Rriten kreditë me probleme për mikrofinancën, 14.9%, por bilanci financiar, pozitiv. Thuajse 30 milionë euro për gjashtëmujorin

43
Sigal

Në të kundërt të sektorit bankar, i cili përtej pritshmërive nuk ka shënuar rritje domethënëse të kredive me probleme, e kundërta ka ndodhur këtë vit me institucionet financiare jobanka, apo siç i njohim në terminologjinë e përditshme shoqëritë e mikrofinancës. Banka e Shqipërisë raporton se cilësia e kredisë së këtij sektori shënoi përkeqësim në gjysmën e parë të vitit. Sipas të dhënave zyrtare të saj, kredia me probleme u ngjit në 14.9% të totalit për gjysmën e parë të këtij viti. Rritja është me e madhe se 1.5% përqindje krahasuar me vitin e shkuar, kur raporti i kredive me probleme për këtë sektor ishte  13.2% Gjithësesi, Banka e Shqipërisë nënvizon se ato patën një rezultat pozitiv financiar në masën 3 miliardë lekë, thuajse 30 milionë euro, në rritje me 0.5 miliardë lekë ndaj nivelit të një viti më parë.

Institucionet financiare jobanka raportuan zgjerim të aktivitetit, rritje të fitimit dhe nivel të mirë të kapitalizimit. Aktiviteti kryesor i tyre është ai kreditues (41%), ndjekur nga pagesat dhe transfertat (19%). Sektori i aktiviteteve të tjera të shërbimit dhe ai i tregtisë me shumicë dhe pakicë janë sektorët më të financuar nga IFJB-të (me nga rreth 20% të totalit të stokut për bizneset), ndjekur nga ndërtimi (11%). Kredia dhënë individëve zë 54% të totalit të kredisë dhe 46% i takon bizneseve. Cilësia e kredisë shënoi rënie gjatë periudhës, ku RKP u ngjit në nivelin 14.9%. Rreth 81% e kapitalit të paguar të institucioneve jobanka është kapital vendas.

Struktura e sektorit jobankar për këtë vit vijon të dominohet nga institucionet financiare jobanka që mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë, të ndjekura nga fondet e investimit dhe shoqëritë e sigurimit që licencohen dhe mbikëqyren nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Përveç këtyre dy segmenteve, në sistemin financiar vendas veprojnë edhe shoqëritë e kursim-kreditit (SHKK) dhe fondet e pensionit, që mbikëqyren përkatësisht nga Banka e Shqipërisë dhe AMF. Aktualisht, në tregun financiar operojnë 38 IFJB, 16 SHKK dhe një Union, 12 shoqëri sigurimi, 15 fonde investimi dhe 6 fonde pensioni.