Retorika për bashkimin Kosovë-Shqipëri: Tarifa e “Rrugës së Kombit” duhet të hiqet

516
Sigal

Deklaratat për Tarifën e “Rrugës së Kombit”  janë aktualizuar edhe ditëve të fundit. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë ditës së djeshme në një deklarime për media ka  thënë se Shqipëria me Kosovën duhet të shikojnë rrugët e bashkëpunimit, e jo të vendosin taksa reciproke.

Ai ka pohuar se gjithmonë ka qenë kundër taksës së “Rrugës së Kombit”.

“E kam theksuar dhe e theksoj. Edhe sikur asnjë lekë të mos paguaj njeri, boll fakti që duhet të ndaloj aty dikush që udhëton, nga ana psikologjike është bezdisëse. Aq më tepër që bëhet fjalë për një trafik të madh në sezonet pranverë, verë dhe vjeshtë. Të gjendet çdo mënyrë për t’u larguar taksa në Rrugën e Kombit. Ka qenë qëndrimi i imi edhe në të kaluarën dhe do të jetë i tillë edhe në të ardhmen”.

Kurse, në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka folur për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri ku tha se Shqipëria duhet të heq gjitha barrierat ndaj Kosovës në mënyrë që të ndihmohet fuqizimi i ekonomisë nga dy të vendet.

“Është me rëndësi që Kosova dhe Shqipëria të thellojnë bashkëpunimet e gjithanshme të i heqin gjitha pengesat edhe taksën e rrugës do ishte mirë të veprohej kështu dhe me ndihmuar lidhjen më të fuqishme ekonomike të gjithanshme Kosovë Shqipëri”.

Edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ditë më parë para  qytetarëve të Hasit ka thënë se momenti kur Shqipëria dhe Kosova do të jenë bashkë, pa kufi do të jetë shumë afër.

“Të jeni të sigurt që shumë e lehtë është realizmi i ëndrrës që të kemi një hapësirë pa kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë, sesa që ka qenë sfida e largimit të Serbisë nga Kosova dhe kjo do të ndodhë”, u shpreh presidenti i Kosovës.

Më tej ai shtoi se misioni i Kosovës për liri dhe pavarësi është i pamjaftueshëm dhe se shqiptarët janë ndarë padrejtësisht e tani duhet të bashkohen me vullnet.

Kujtojmë se kjo çështje ngjalli jo pak reagime të mëdha tek qytetarët shqiptarë të cilët i vunë zjarrin sporteleve duke i lënë ato plotësisht të shkatërruara.

Ndërsa edhe kosovarët reaguan duke e vlerësuar të papërballueshëm çmimin e vendosur. Tarifa për automjetet nga Kosova do të jetë 660 lekë (5 euro). Për kalimtarët e shpeshtë është premtuar zbritje prej 10 deri në 20 për qind në muaj. Edhe motoçiklistët (klasi 1) do të paguajnë 2.50 euro, minibusët dhe makinat 5 euro (klasi 2), autobusët (klasi 3) 11.30 euro, kamionët e vegjël (klasi 4) 16.30 euro dhe kamionët e mëdhenj (klasi 5) do të paguajnë 22.60 euro.