Rehabilitimi i Rrugës së Lumit të Vlorës/ Pse Shqipëria po tërhiqet nga marrëveshja e huasë 30 milionë dollarë?

651
Sigal

Kuvendi pritet të miratojë në seancë plenare një projektligj, që ka kaluar tashmë në Komisionin e Ligjeve, ku parashikohet denoncimi i marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës”. Marrëveshja e financimit është miratuar në vitit 2017.

Por çfarë ka ndodhur me këtë marrëveshje?

Referuar relacionit të projektligjit, fondet e akorduara nëpërmjet marrëveshjes së huasë së vitit 2017 ishin parashikuar të shkonin për realizimin e financimit të segmentit Peshkëpi –Selenicë – Kryq – Levan Tepelenë, me gjatësi prej 16.4 km, i identifikuar nga ana e FSHZH-së si loti IV i “Projektit të rrugës së Lumit të Vlorës”, ku qëllimi i këtij segmenti është, kryesisht, lidhja e dy rrugëve Levan – Tepelenë –Gjirokastër me rrugën Vlorë – Sarandë, si dhe lidhjen e rajonit të Tepelenës me bregdetin jugor.

Bazuar në parashikimet e marrëveshjes së huas, fondet e akorduara nëpërmjet saj bëhen efektive me njoftimin me shkrim të huadhënësit. Duke qenë se si rezultat i projekteve të tjera të konektivitetit në proces zbatimi nga agjencia zbatuese (FSHZH), përmbushej qëllimi fillestar i projektit, u kërkua që huadhënësi të përcillte letrën e përfundimit të marrëveshjes së huas për shkak të mosbërjes efektive të saj.

Nga huadhënësi jemi njoftuar për terminimin e marrëveshjes në fjalë. Komunikimet shkresore mes palëve janë pjesë e këtij projektakti. Në këto kushte, vlerësohet se duhet të ndiqen procedurat e mëtejshme ligjore për denoncimin e marrëveshjes në fuqi në Republikën e Shqipërisë, në mënyrë që të çlirohet barra financiare e nivelit të borxhit dhe, njëkohësisht, të adresohet nevoja për sigurimin e financimit për projekte të tjera më prioritare.

Ky projektligj nuk sjell efekte apo shpenzime buxhetore në kushtet kur marrëveshja e huas që denoncohet nëpërmjet tij, nuk është bërë ende efektive nga ana e palës huadhënëse” shkruhet në relacionin e nismës që ndodhet në Kuvend.

Projekti “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës”, i cili do të financohej nga kjo marrëveshje në shumën prej rreth 30 milionë USD nga Fondi Saudit për Zhvillim, parashikon ndërtimin e rrugës që fillon nga by-pass-i i Vlorës – Ura e Peshkëpisë, Ura e Laskos – Qeparo, si dhe degëzimi Ura e Peshkëpisë – Selenicë – superstrada Levan – Tepelenë.

Rruga ka një gjatësi prej 94 km. Pjesa tjetër e financimit do të mbulohej nga buxheti i shtetit për TVSH-në, dhe nga Fondi i Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, në vlerën 42 milionë USD. Parashikohej që me kredinë nga Fondi Saudit për Zhvillim të rehabilitohet pjesa e dytë e kësaj rruge, me gjatësi 30 km.

Projekti “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës” shihej si shumë i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik në nivel rajonal e vendor dhe me një impakt ekonomik e social të konsiderueshëm. Ai parashikohej të niste zbatimin në vitin 2017 dhe të përfundonte në fund të vitit 2020 dhe do të krijonte një rrugë të re tërheqëse, më të shkurtër dhe midis të tjerave edhe ndotje më të ulët të mjedisit dhe reduktim të kohës së udhëtimit drejt destinacioneve të bregdetit. Sipas marrëveshjes së huas, fondet e akorduara nëpërmjet saj bëhen efektive me njoftimin me shkrim të huadhënësit.

Tërheqja nga kjo marrëveshje kërkohet pasi Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka në proces zbatimi disa projekte aksesh rrugore të cilat përmbushin edhe qëllimin fillestar të projektit për të cilën është ratifikuar kjo marrëveshje financimi. Për këtë arsye i është kërkuar huadhënësit të përcjellë letrën e përfundimit të marrëveshjes së huas për shkak të mosbërjes efektive të saj dhe huadhënësi ka njoftuar për përfundimin e marrëveshjes në fjalë.Nisma në fjalë është parashikuar të votohet këtë javë në seancë plenare./SCAN