Reduktohen tarifat roaming mes Kosovës dhe Shqipërisë

641
Sigal

Reduktimi i tarifave për Roaming mes Kosovës dhe Shqipërisë nis në qershor

Reduktimi i tarifave për shërbimet roaming mes Shqipërisë dhe Kosovës pritet të nisë shumë shpejt. Në Tiranë u organizua mbledhja e përbashkët midis Këshillit Drejtues të AKEP dhe Bordit Drejtues të ARKEP lidhur me procesin e reduktimit të tarifave të shërbimit roaming për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë mbledhjes u diskutua për përfitimet që do të kenë qytetarët e të dy vendeve në lidhje me reduktimin dhe heqjen e tarifave të shërbimet roaming, reduktim i cili do të aplikohet sipas principeve të modelit të aplikuar më parë nga vendet e Bashkimit Evropian “Roam Like At Home (RLAH)”. Të dy palët u dakordësuan që procesi i reduktimit të tarifave të fillojë nga data 15 Qershor 2019 fillimisht nëpërmjet aplikimit të modelit “RLAH+”, reduktim i cili do të sjellë efekte pozitive të menjëhershme tek qytetarët e të dy vendeve, dhe në vijim heqjen e plotë të tarifave roaming për qytetarët e dy vendeve, duke filluar nga 1 korriku 2021 në linjë dhe me Marrëveshjen Rajonale të roamingut kur këto tarifa pritet të hiqen edhe me 4 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, anëtarët e AKEP dhe ARKEP shprehën angazhimin e tyre maksimal për vazhdimin e procesit të reduktimit të tarifave roaming sipas modelit RLAH edhe me vendet e tjera të rajonit në përputhje me marrëveshjen rajonale të nënshkruar nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor me datë 4 Prill 2019 në Beograd./Monitor