Qytetarët: Uji që na vjen në shtëpi nuk pihet, faturat në stratosferë. ERRU: 7 mijë familje faturohen aforfe

139
Sigal

Qytetarët: Uji që na vjen në shtëpi nuk pihet, faturat në stratosferë

Qytetarët ankohen se faturat e ujit aktualisht janë të shtrenjta dhe për më tepër paguajnë, por ujin e pijshëm e blejnë, pasi nuk kanë besim dhe siguri. Ata shprehen se janë kundra cdo barre të shtuar në fatura

Uji i pijshëm dhe cilësia e tij vazhdon të jetë një problem permanent për qytetarët. Ata ankohen për faturat e kripura dhe denoncojnë faktin se uji u vjen i ndotur në cezmat e tyre.

Por, një raport i Entit Rregullator të Ujit nuk premton asgjë të mirë për xhepat e konsumatorëve shqiptar. Në këtë raport theksohet se që të garantohet furnizimi i plotë me ujë të pijshëm në të gjithë territorin e vendit, duhen investuar rreth 5 miliardë euro deri në vitin 2040, më konkretisht rreth 200 milionë euro në vit.

Një pjesë e mirë e këtyre fondeve parashikohet të sigurohen nga rritja e çmimit të ujit të pijshëm për familjet shqiptare. Qytetarët thonë se gjendja e tyre ekonomike ua bën të pamundur përballimin e një rritje të mundshme të çmimit të ujit.

Pavaresisht premtimeve të mbetet problematik furnizimit me ujë. Qytetarët evidentojne faktin e ardhjes së ujit me orar dhe janë në meshirën e depozitave.

Në raportin e ERRU thuhet se një prej alternativave është aplikimi i një fature të unifikuar për sektorin në vlerën prej rreth 1400 lekë/muaj, ndërsa aktualisht vlera mesatare e faturës mujore varion nga 350 deri në 2 000 lekë në muaj.

Kjo automatikisht do të çonte në një katërfishim të faturës për ata që sot paguajnë me vlerë minimale. Vetë ERRU e pranon se kjo do të krijonte kosto të mëdha sociale, sidomos për zonën verilindore.

ERRU: 7 mijë familje faturohen aforfe

Mungesa e matësve ndikon negativish xhepat e qytetarëve, që konsumojnë nën limit

 

Kostot e fshehura

Banorët  përveç faturës zyrtare të UKT-së për ujin e pijshëm, paguajnë edhe një faturë shtesë, atë për blerjen e ujit që konsumojnë. Ndërkohë që, rreth 2 vjet e gjysmë nga miratimi i tarifave të rritura, që do të shkonin për furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm, investimi duket i largët, ndërsa afatet për arritjen e objektivit 5-vjeçar vihen në pikëpyetje.

 

Enti Rregullator i Ujit foli më parë në Parlament mbi raportin vjetor për 2020, foli për rishikim të çmimit të ujit që mund të katërfishohej

 

Sfidë për sektorin mbetet pjesa e kanalizimeve, ku ende gati gjysma e vendit nuk është e mbuluar me këtë shërbim për largimin e kontrolluar të ujërave të përdorur.

 

 Edhe pse Shqipëria është e 3-ta në Evropë për burimet ujore, qytetarët nuk kanë ujë të pijshëm në shtëpi. Asnjë ujësjellës nuk e vlerëson aktin higjieno-sanitar. Çdo person duhet të konsumojë 3 litra ujë në ditë dhe për 1 familje me 4 persona, shpenzohen 2500 lekë në ditë ose mbi 75 mijë në muaj. Kësaj vlere duhet t’i shtohet edhe fatura me taksat e Ujësjellësit, ku vlera totale është e barabartë me 1 pension mujor.

Enti Rregullator i Ujit ka nënvizuar se faturimi aforfe ndikon negativisht sektorin e ujit dhe në këtë kontekst ka familje që konsumojnë nën këtë limit ashtu siç ka edhe nga ato që konsumojnë mbi limitin. Për të vendosur një raport të drejtë ERRU ka nxitur instalimin e matësve në kushtet kur janë mbi 7 mijë faturime të tilla.

Shoqëritë UK për vitin 2020 kanë raportuar instalimin e 32,349 matëseve të rinj, kështu numri i lidhjeve me matës ka shkuar 717,725 lidhje nga 902,142 lidhje ekzistuese në total në të gjithë shoqëritë. Sektori ende vazhdon të faturojë aforfe 7,447 klientë privat dhe institucione, ndërkohë që procesi i instalimit të matësave, në kategorinë klientë jofamiljarë të financuara nga vetë klientët, duhet të kishte përfunduar në zbatim të Vendimit Nr. 236, datë 10.5.1993 dhe VKM nr.96, datë 21.2.2007” vlerëson ERRU.

Lidhur me nevojën financiare, që mund të lindë për instalimin e matësve ERRU nënvizon se mund të jetë qeverisja qëndrore ajo që mbështet këtë pjesë për të shkuar drejt një faturimi sa më të drejtë të konsumatorëve.

ERRU thekson vazhdimisht nevojën e instalimit të matësave në të gjithë komponentët kyç të sistemeve të furnizimit me ujë dhe konsumatorëve individualë, por për këtë kërkohet edhe mbështetja me financime nga qeveria qendrore. Konsumatorët duhet të paguajnë për sasinë reale të ujit të konsumuar prej tyre, prandaj pajisja me ujëmatës e gjithë sistemit mbetet një nga objektivat kryesorë të shoqërive dhe një element, që lehtëson problemet e menaxhimit të kërkesës për ujë dhe uljes së shpërdorimeve të mbikonsumit të tij” thuhet në raportin e performancës së sektorit.

Enti nënvizon se përkeqësimi i treguesit të ujit pa të ardhura lidhet ndër të tjera edhe me faturimin aforfe dhe për këtë duhet të ketë vëmendje ashtu si për lidhjet e jashtëligjshme që janë një tjetër shkaktar.

“Treguesi UPA në nivelin 65.4%, i përkeqësuar me 1.7% për vitin 2020, vazhdon të mbetet në nivele të larta e të papranueshme. Faktorët si “lidhje të paligjshme”, “faturimi aforfe”, “leximet e gabuara nga faturuesit”, si dhe “sistemet me tubacione të vjetra” që ju bashkëngjitën shoqërive gjatë reformës së re territoriale janë disa nga faktorët, që e mbajnë akoma këtë tregues në nivele kaq të larta”, thuhet në raport.