Qeveria i ka borxh 1.5 miliardë euro bizneseve dhe individëve

508
Sigal

Bizneset shqiptare janë zhytur në krizë gjatë 5 viteve të fundit. Sipas INSTAT shumë prej tyre kanë falimentuar nga taksat e larta, konkurrenca e pandershme dhe kreditë. Sipas Bankës së Shqipërisë borxhliu më i madh ndaj ekonomisë së vendit është shteti me vlerën 5.6 miliardë euro, për shpenzimet e luksit, udhëtimeve, ujit, dritave, qerave etj. Vetëm ndaj privatëve, borxhi i shtetit arrin në 1.5 miliardë euro

BSH: Detyrimet e qeverisë, 19 miliardë lekë më shumë se llogaritë e arkëtueshme

Qeveria i ka borxh 1.5 miliardë euro bizneseve dhe individëve

Bizneset shqiptare janë zhytur në një periudhë krize gjatë viteve të fundit, duke detyruar shumë prej tyre të shpallin falimentimin. Në raporte të mëparshme të INSTAT u raportua se numri i bizneseve është ulur gjatë viteve 2017-2018. Taksat e larta dhe konkurrenca e pabarabartë janë disa nga arsyet e krizës së sipërmarrjeve. Megjithatë ndikim të madh tek ecuria negative e bizneseve shqiptare kanë detyrimet financiare që qeveria ka ndaj tyre. Politikat e gabuara, të qeverisë në fushën e ekonomisë, të theksuara më parë dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, kanë krijuar kushtet e akumulimit të borxheve të shtetit ndaj sipërmarrjeve dhe individëve. Së fundmi sipas llogaritjeve të Bankës së Shqipërisë,  detyrimet që qeveria shqiptare ka ndaj bizneseve është më i madh se borxhi i bizneseve ndaj qeverisë. Sipas BSH, qeveria i detyrohet palëve të treta 1.5 miliardë euro ose 190 miliardë lekë, në fundin e vitit 2017. Vlen të theksohet se detyrimet e qeverisë nuk përfshijnë llogaritë e borxhit publik. Sipas bankës, detyrimet përfshijnë faturat e papaguara në kohë ndaj sektorit të biznesit, individëve etj,. Në raport me vitin e parë të qeverisjes socialiste (2013), detyrimet e prapambetura ndaj sipërmarrjeve u rritën me rreth 20 miliardë lekë. Gjithashtu, një raport i disa muajve më parë i Bankës së Shqipërisë e nxirrte qeverinë si borxhliun më të madh në ekonominë shqiptare me detyrime totale që kapnin shifrat e 5.6 miliardë eurove. Në vlerësimin e BSH, llogaritë e arkëtueshme ishin rreth 171 miliardë lekë ose 1.3 miliardë euro në fund të vitit 2017. Kjo shumë përfshin pretendimet e autoriteteve publike ndaj agjentëve ekonomikë, të tilla si komisione, taksa dhe sigurimet shoqërore, që për 2017, vlerësohen në 172 miliardë lekë, nga 224 miliardë në fund të 2016-s.

Detyrimet e qeverisë, 19 miliardë lekë më shumë se llogaritë e arkëtueshme

Përgjatë 5 viteve të fundit, llogaritë e arkëtueshme të qeverisë ishin më të larta se ato të pagueshmet, por në vitin 2017 këto raporte u përmbysen, ku detyrimet ishin rreth 19 miliardë lekë më shumë se llogaritë e arkëtueshme. Detyrimet financiare të përgjithshme të qeverisë vlerësohen në nivelin e 1,2 triliardë lekëve, nga 1,18 triliardë lekë në fund të vitit 2016, ku pjesa më e madhe i takon borxhit publik. Instrumenti kryesor i financimit, i përdorur nga qeveria e përgjithshme vijon të jenë “letrat me vlerë të borxhit”, të cilat përbëjnë rreth 48% të totalit të detyrimeve. Mbajtësit kryesorë të letrave me vlerë të borxhit të qeverisë janë korporatat e tjera depozituese, në një total prej 343 miliardë lekë. “Huatë afatgjata”, ashtu si letrat me vlerë, kanë luajtur rol të rëndësishëm si instrument financues për qeverinë e përgjithshme, dhe zënë 36% të detyrimeve totale. Në fund të vitit 2017, huatë arritën nivelin 434 miliardë lekë, nga 422 miliardë lekë në vitin 2016, me një rritje vjetore prej 2.7%. Financuesi kryesor i borxhit të qeverisë së përgjithshme është sektori i jorezidentëve, i cili mban rreth 46% të totalit, i shoqëruar nga sektori i korporatave të tjera depozituese në rreth 34%.