Qeveria anashkalon përsëri ligjin, zyrtarët e lartë pranohen në postet e rëndësishme të administratës pa konkurs

354
Sigal

 

Në dhjetor ka ardhur vendimi i radhës për anashkalimin e ligjit për punësimin e zyrtarëve të lartë të administratës civile. Ndërsa ligji përcakton se postet që i përkasin trupës së nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues plotësohen vetëm përmes procedurës së ngritjes në detyrë apo lëvizjeve paralele, me Vendim Qeverie, ky përcaktim ligjor shkelet duke i ndezur dritën jeshile rekrutimit nga jashtë radhëve të administratës publike. “Përjashtimisht, për vitin 2021, procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND është e hapur edhe për kandidatë të tjerë jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kërkesat specifike për pranimin në TND.”, specifikon vendimi i Qeverisë që mban datën 3 dhjetor.

Bëhet fjalë për rekurtimin e 8 zyrtarëve në poste të niveli të lartë drejtuese, siç njihen ndryshe TND. Vendimi përcakton edhe nivelet minimale që ata duhet të plotësojnë për të përfituar postin.

Vendimi përcakton se kandidatët duhet të zotërojnë një diplomë të nivelit “Master shkencor” apo “Master profesional” të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike ose të barasvlershme me to. Ndërkohë që të kenë të paktën 3 (tre) vjet përvojë pune në pozicione të mesme drejtuese ose të barasvlershme në: – institucione të administratës publike; – institucione bankare të nivelit të dytë e që aktualisht nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij;  shoqëri tregtare, të cilat, sipas legjislacionit në fuqi, konsiderohen si biznes i madh e që aktualisht nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij; ashtu si dhe në organizata jofitimprurëse, të cilat kanë të paktën 5 (pesë) vjet që janë krijuar.