Punëtorë sezonalë në Greqi, starton zbatimi i procedurës

390
Sigal

Në Greqi ka startuar zbatimi i procedurës për punëtorët sezonalë.

Ministria e Bujqësisë së Greqisë këtë vit ka ndryshuar kuadrin ligjor për punëtorët sezonalë nga vende të treta, jo vetëm shqiptarët, gjë që nuk ka lidhje ekskluzive me virusin Covid-19.

Prej vitesh në ekzistonte një plan për organizimin e punës sezonale në bujqësi, pasi ishte vënë re se punëtorët kalonin kufirin si turistë e në vijim punësoheshin pa sigurime shoqërore, pa taksa, pa kontratë zyrtare.

Kështu, në Aktin Normativ emergjent për situatën e shkaktuar nga Covid-19, botuar më 1 maj në fletoren zyrtare nr. 90, është përfshirë dhe neni 42, ku konkretisht përcaktohet se:

-Deri në 20 qershor 2020 fermerët punëdhënës grekë dorëzojnë një kërkesë të posaçme në zyrën përkatëse të Administratës së Decentralizuar për Emigracionin, me të dhënat e punëtorit/punëtorëve (emër/mbiemër, shtetësinë, adresën në Shqipëri dhe telefonin) që duan të punësojnë, që shoqërohet me një fotokopje të pasaportës dhe pikën kufitare shqiptaro-greke nga do të hyjë në territorin grek punëtori.

-Fermerët punëdhënës do të paguajnë një taksë pa rikthim prej 100 eurosh për çdo punëtor të përfshirë në kërkesë.

-Të gjithë punëdhënësit, përveç kërkesës duhet të plotësojnë dhe një deklaratë përgjegjësie ku të përshkruajnë me detaje këto të dhëna:

a)punëtori do të punësohet për të paktën 20 ditë pas hyrjes në territorin grek.

b)do të shlyhen me përpikmëri të gjitha sigurimet shoqërore, sipas legjislaturës greke

c) do të mbulohen shpenzimet e punëtorit për ushqimin dhe riatdhesimin, përderisa nuk ka leje qëndrimi, siç parashikohet në paragrafin 3, neni 80, ligji grek 3386/2005.

d)do të mbulohen të gjitha shpenzimet e kontratës së punës, që sivjet për shkak të situatës emergjente nuk mbyllet dot në afatin e duhur për realizimin e planit të punës.

e)do të ofrohet strehim i sigurt tek punëtori.

f)deklarohet lloji i punës dhe të dhënat e kontratës së punësimit.

g)sivjet do të shtohet dhe shënimi i domosdoshëm “deklaroj se do të strehohen për sa ditë do të caktohet karantina e detyrueshme, si dhe se do të kryhet testi për virusin Covid-19”.

Menjëherë pasi të dorëzohet dosja me këto dokumente, zyrat e emigracionit në Administratën e Decentralizuar të Greqisë do të lëshojnë brenda dy ditëve listën e punëtorëve të kërkuar, në të gjitha Drejtoritë e Kontrollit Kufitar të Policisë Greke për të lejuar hyrjen e lirë të punëtorëve në vend.

Në vijim, zyra e Emigracionit dërgon listën në pikat kufitare përkatëse dhe punëtorët sezonalë, të informuar nga vetë pronarët, do të kalojnë kufirin grek pa u dashur të marrin vizë apo leje nga konsullatat greke në Shqipëri. Kushtet e qarkullimit në territorin shqiptar deri në pikën kufitare i vendos qeveria e Shqipërisë.