Punësimet, qeveria hap garën për vendet në shërbimin civil

1189
Qeveria vendosi të hapë garën për punësime në shërbimin civil edhe për personat jashtë administratës. Me një vendim të posa. Me një vendim të posaçëm në një mbledhje jashtë radhe, Këshilli i Ministrave përcaktoi se edhe të interesuarit, të cilët nuk janë pjesë e shërbimit civil, mund të marrin pjesë në garën për vendet e lira, aty ku konkurset kanë dështuar. “Për vitin 2018, procedura e plotësimit të pozicioneve të lira të kategorisë së ulët drejtuese, për të cilat lëvizja paralele është mbyllur pa fitues, të jetë e hapur edhe për kandidatë të tjerë nga jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kushtet dhe kërkesat për vendet e lira”, thuhet në vendimin e qeverisë. Aty përcaktohet se numri maksimal i pozicioneve, për të cilat do të përdoret kjo procedurë, është 61 pozicione për kategorinë e ulët drejtuese. Gjithashtu, qeveria ka miratuar edhe një listë vendesh në Agjencinë për Zhvillimin Bujqësor e Rural, ku mund të konkurrojnë sërish kanë nga jashtë shërbimit civil për nivelin e ulët drejtues. Në AZHBR, janë hapur gjithsej 10 vende, ku mund të përfshihen në garë edhe të interesuarit jashtë administratës. Edhe në fund të muajit dhjetor 2017, qeveria vendosi të hapë dyert për punësimin e kandidatëve nga jashtë shërbimit civil, duke shtuar mundësinë e angazhimit edhe të personave, të cilët nuk janë aktualisht në administratë. Ky vendim u kritikua nga ekspertët, të cilët vlerësuan se shërbimi civil duhet forcuar, pa u ndikuar nga presioni për punësime të reja në administratë. 
Ndërkohë, në një takim të djeshëm, kryeministri Rama përsëriti rëndësinë, që sipas tij, kanë zyrat e punës për rritjen e punësimit. Vetëm gjatë muajit mars nga zyrat e punës në të gjithë vendin janë punësuar 1396 persona, një shifër kjo e konsideruar si mjaft inkurajuese nga kryeministri Rama, në sfidën e punësimit. Shefi i qeverisë ishte dje i pranishëm në një aktivitet mbi punësimin, ku u paraqitën të dhëna dhe shifra konkrete mbi rezultatet e arritura deri tani në këtë drejtim. Punësimi i njerëzve në nevojë, atyre që dolën nga ndihma ekonomike por jo vetëm, sipas Ramës, është një sfidë e vështirë dhe komplekse, por rezultatet e muajit mars janë tejet inkurajuese. “Rezultati 1396 persona që kanë filluar punë në mars është shumë inkurajues, po të kemi parasysh rolin që kanë luajtur zyrat e punës, sepse bëhet fjalë për ata që kanë filluar punë falë zyrave të punës”, tha Rama. Kryeministri tha se, është vendosur edhe shënjestra e punësimit të 25 mijë të punësuarve që janë të regjistruar si punëkërkues të papunë, të cilët kanë dalë nga ndihma ekonomike apo jo, dhe që janë të gatshëm të punojnë. Shefi i qeverisë e konsideroi këtë objektiv plotësisht të realizueshëm, po të kemi parasysh rezultatet e arritura në muajin mars. Nga ana tjetër, kryeministri theksoi se, “në muajin mars kemi 23 për qind më shumë vende pune të deklaruara nga bizneset për zyrat e punës”. Sipas tij, “është rritur po ashtu edhe volumi i mundësive për punësim”.
Pozicionet në të cilat mund konkurrojnë edhe kandidatë nga jashtë shërbimit civil
I – Niveli i ulët drejtues dhe të barasvlershëm
1 – Drejtor i Drejtorisë së Financave, në Agjencinë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural – kategoria III-a;
2 – Përgjegjës i Sektorit të Përzgjedhjes dhe Aprovimit të Projekteve IPARD, në Drejtorinë e Përzgjedhjes dhe Aprovimit të Projekteve, në AZHBR – kategoria III-a/1;
3 – Përgjegjës i Sektorit të Kontrollit IPARD, në Drejtorinë e Kontrollit, në AZHBR – kategoria III-a/1;
4 – Përgjegjës i Sektorit të Ekzekutimit të Pagesave IPARD, në Drejtorinë e Ekzekutimit të Pagesave, në AZHBR – kategoria III-a/1;
5 – Përgjegjës i Sektorit të Monitorimit të Skemave, në Drejtorinë e Kontrollit, në AZHBR – kategoria IIIa/1;
6 – Përgjegjës i Sektorit të Promocionit dhe Komunikimit, në AZHBR – kategoria III-a/1;
7 – Përgjegjës i Sektorit të Kontrollit të Skemave Kombëtare, në Drejtorinë e Kontrollit, në AZHBR – kategoria III-a/1;
8 – Drejtor i Drejtorisë së Autorizimit të Pagesave, në AZHBR – kategoria III-a;
9 – Drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Shërbimeve Mbështetëse, në AZHBR – kategoria III-a;
10 – Përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore, në Drejtorinë Juridike dhe Shërbimeve Mbështetëse, në AZHBR – kategoria III-a/1.
Sigal