Prokurimi i shërbimeve sociale hap “thesin” e buxhetit të shtetit: Do tenderojmë deri në 900 milionë euro

230
Sigal

Prokurimi i shërbimeve sociale hap ‘thesin’: Do prokurojnë deri në 900 milionë

Shërbimet sociale mund të prokurohen nga institucionet, por ato duhet të përmbushin një sërë rregullash që lidhen me transparencën si, dhe me vlerën e parave që dedikohet për këto shërbime.

Duke qenë se në ligjin e ri të prokurimeve, shërbimet sociale janë lënë si opsion prokurimi, por nuk është përcaktuar procedura që duhet të ndiqet, qeveria ka përgatitur një vendim që qartëson se çfarë janë në vetvete shërbimet sociale dhe, si duhet të veprojnë institucionet në procedurat e prokurimit.

Në nenin 2 thuhet se, shërbime sociale janë ato që lidhen me a) shërbime rekreative, kulturore dhe sportive; shërbime të administrimit, mbrojtjes dhe sigurisë sociale; shërbime të biznesit; shërbime të edukimit dhe trajnimit; shërbime të shëndetit dhe të punës sociale; shërbime të tjera personale, sociale dhe në komunitet.

Në nenin 4 thuhet se, autoritetet/entet kontraktore, që synojnë të japin një kontratë publike për këto lloj shërbimesh, bëjnë të ditur qëllimin e tyre, nëpërmjet njërës prej mënyrave. Së pari, nëpërmjet njoftimit të kontratës. Ky njoftim duhet të përmbajë informacionin e nevojshëm që i jep mundësi kandidatëve të interesuar, të përgatisin ofertat e tyre.

Së dyti, nëpërmjet njoftimit paraprak të informacionit ose njoftimit periodik të informacionit, i cili, i referohet në mënyrë specifike llojeve të shërbimeve, që do të jenë objekt i kontratave që do të jepen. Ky njoftim përmban të gjithë informacionin e nevojshëm, sipas germës “a” të këtij neni, i cili i jep mundësi operatorëve ekonomikë të përgatisin ofertat e tyre. Ky njoftim duhet të jetë shpallur nga 35 ditë deri në 18) muaj përpara datës, në të cilën është dërguar ftesa.

Së treti, nëpërmjet një njoftimi për ekzistencën e një sistemi kualifikimi, i cili shpallet vazhdimisht, për shërbime në rastin e kontratave sektoriale.

Në të njëjtin projektvendim është caktuar edhe një tavan për fondin limit. “Kufiri monetar për kontratat e shërbimeve, objekt i këtij vendimi 90 milionë lekё. I njëjti kufi monetar zbatohet edhe për kontratat sektoriale” thuhet në nenin 7.

Draft VKM, sipas relacionit synon të plotësojë kuadrin ligjor të prokurimit publik për shërbimet sociale dhe shërbimet e tjera specifike në Republikën e Shqipërisë, bazuar në Direktivën 2014/24, 2014/25 dhe 89/665 EFC, të Bashkimit Evropian.

Agjencia e Prokurimit ka nxjerrë në faqen e saj draft vendimin, relacionin si dhe njoftimin e konsultimit për këto dokumente, duke u lënë tre javë kohë palëve, për të dërguar komentet./ ‘Monitor’