Projektligji:Pagat e përmabruesve do jenë sa 60% e gjyqtarëve

287
Sigal

Paga e përmbaruesit gjyqësor shtetëror do të jetë e barabartë me 60% të pagës bruto fillestare të gjyqtarit, që ushtron funksionet në gjykatat e shkallës së parë. Ministria e Drejtësisë ka publikuar në konsultimet publike projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror”. Ndryshimet e propozuara prekin më shumë se 70% të ligjit ekzistues, duke përfshirë edhe pagat e përmbaruesve shtetërore. Në draftin e ri gjithashtu përcaktohet se pas 3 vjetësh në shërbimin përmbarimor gjyqësor shtetëror, për çdo vit vjetërsi, deri në 25 vjet shërbim, kjo pagë shtohet me 2% në vit, sipas legjislacionit në fuqi për statusin e gjyqtarëve. Kryetarët e zyrave përmbarimore përfitojnë shtesë page 10 % të pagës së përmbaruesit gjyqësor shtetëror. Në relacion theksohet se propozimi i një ligji të ri synon rritjen e cilësisë së ekzekutimit nga shërbimi përmbarimor gjyqësor shtetëror; rritja e performancës profesionale të përmbaruesit gjyqësor shtetëror dhe garantimin e një kuadri të drejtash dhe llogaridhënie, që synon një shërbim përmbarimor gjyqësor shtetëror të përgjegjshëm, profesional, të besueshëm dhe të orientuar drejt shërbimit ndaj qytetarit.Sipas përcaktimeve në projektligj mbi ndryshimin e pagës së përmbaruesit gjyqësor shtetëror, shpenzimet e personelit (paga dhe sigurime shoqërore) rriten në masën rreth 85 milionë lekë, krahasuar me fondet e planifikuara të vitit 2022. Efektet financiare të përllogaritura nga ndryshimi i ligjit nr. 8730, datë 18.01.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit përmbarimor gjyqësor”, i ndryshuar, nuk janë parashikuar në PBA. Në këto kushte, Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit do të realizojë kërkesën për fonde shtesë në fazën e dytë të PBA-së 2023-2025, duke kryer ndërhyrjet respektive. Në rast se nisma ligjore hyn në fuqi në fillim të vitit 2023, fondet do të miratohen me ligjin e buxhetit për vitin 2023. Për vitin 2023 dhe 2024, fondet financiare për shpenzimet e personelit janë përllogaritur 174,2 milionë lekë në vit. Përmbaruesit gjyqësorë shtetërorë, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të Përmbarimit dhe me miratim nga Ministri i Drejtësisë, në varësi të rezultateve të punës, mund të përfitojnë shpërblime për merita profesionale. Shpërblimet përballohen nga të ardhurat që realizohen sipas nenit 14 të këtij ligji. Kriteret për shpërblim për merita profesionale për përmbaruesit gjyqësorë shtetërorë përcaktohen me udhëzim të ministrit. Edhe masa e tarifës fikse të veprimit përmbarimor, llojet e veprimeve përmbarimore të tarifuara dhe rastet e përjashtimit nga parapagimi i tarifës për kategori të caktuara përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit përgjegjës për Financat.

 Ndryshimet e propozuara prekin më shumë se 70% të ligjit ekzistues, duke përfshirë edhe pagat e përmbaruesve shtetërore.Në draftin e ri gjithashtu përcaktohet se pas 3 vjetësh në shërbimin përmbarimor gjyqësor shtetëror, për çdo vit vjetërsi, deri në 25 vjet shërbim, kjo pagë shtohet me 2% në vit, sipas legjislacionit në fuqi për statusin e gjyqtarëve.

 

Pjesë e projektligjit

Neni 31

Paga dhe shpërblimet e përmbaruesit gjyqësor shtetëror

  1. Paga e përmbaruesit gjyqësor shtetëror është e barabartë me 60% të pagës bruto fillestare të gjyqtarit, që ushtron funksionet në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm të shkallës së parë, sipas legjislacionit në fuqi për statusin e gjyqtarëve.

 

  1. Pas 3 vjetësh në shërbimin përmbarimor gjyqësor shtetëror, për çdo vit vjetërsi, deri në 25 vjet shërbim, kjo pagë shtohet me 2 përqind në vit, sipas legjislacionit në fuqi për statusin e gjyqtarëve.
  2. Kryetarët e zyrave përmbarimore përfitojnë shtesë page 10 për qind të pagës së përmbaruesit gjyqësor shtetëror.
  3. Përmbaruesit gjyqësorë shtetërorë, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të Përmbarimit dhe me miratim nga Ministri i Drejtësisë, në varësi të rezultateve të punës, mund të përfitojnë shpërblime për merita profesionale. Shpërblimet përballohen nga të ardhurat që realizohen sipas nenit 14 të këtij ligji. Kriteret për shpërblim për merita profesionale për përmbaruesit gjyqësorë shtetërorë përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Neni 32

Përfitime të tjera

  1. Përmbaruesi gjyqësor shtetëror gëzon të drejtën e pushimeve vjetore të paguar prej 4 (katër) javësh kalendarike. Si rregull, pushimi vjetor përfshin një periudhë prej tre javësh pa ndërprerje në muajt korrik dhe gusht. Përmbaruesi gjyqësor shtetëror, i ngarkuar me detyra të ngutshme në këtë periudhë, pushimin vjetor e kryen në një periudhë tjetër, duke përfituar 5 (pesë) ditë pushimi shtesë.
  2. Pushimi vjetor jepet nga kryetari i zyrës përmbarimore.
  3. Përmbaruesi gjyqësor shtetëror ka të drejtë, që, në raste të veçanta, për nevoja personale ose familjare, të kërkojë leje pa të drejtë page. Kohëzgjatja e kësaj leje përcaktohet nga kryetari i zyrës përmbarimore. Kohëzgjatja maksimale e lejeve të papaguara, brenda një viti kalendarik, nuk mund të jetë më e gjatë se 30 ditë.
  4. Përmbaruesi gjyqësor shtetëror mund të kërkojë leje të papaguar deri në 2 (dy) vjet për arsye shëndetësore, familjare ose për qëllime kualifikimi apo specializimi profesional. Leja e papaguar mund të merret e gjitha njëherësh ose në periudha të ndryshme sipas kërkesës së përmbaruesit.
  5. Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit mund të japë lejen e papaguar sipas pikës 4, pasi ka marrë mendimin e kryetarit të zyrës, nëse leja nuk cënon interesat e funksionit dhe nuk vë në rrezik në tërësi përmbushjen e funksionit me eficencë dhe në kohë në zyrën përmbarimore. Periudha e lejes së papaguar nuk merret në konsideratë për vjetërsinë në punë ose për efekt të përfitimeve të tjera.
  6. Ministri miraton rregulla më të detajuara për kriteret dhe procedurat për dhënien e lejes së papaguar, sipas kësaj dispozite.