Prof. Ermelinda Meksi/Sa na kushton privatizimi jo transparent

699
Sigal

Duke lexuar dje një deklaratë të Bankës Botërore për privatizimin e CEZ-it, pyetëm Prof. Ermelinda Meksin, e cila është prononcuar një vit më parë në gazetën tonë për këtë çështje.  Konkretisht, ekskluzivisht për “Telegraf”, Prof. Meksi tha:

Banka Botërore deklaroi se: Privatizimi i CEZ-it ishte i nxituar. Kjo është një deklaratë e vonuar nga ky institucion prestigjioz që asistoi këtë proces. Qysh tre vite me parë dhe në vazhdimësi kam kërkuar vëmendjen e BB për mbarëvajtjen e këtij procesi, por deri sa situata degradoi në nivelin aktual ky institucion nuk kishte vesh të dëgjonte.

Më poshtë gjëndet deklarata e Znj.Meksi më shumë se një vit më parë dhënë për “Telegraf”

Qëllimi i privatizimit të OSSH-së, i mbështetur dhe nga grupi i Bankës Botërore duhej të ishte angazhimi i investimeve private në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike për të përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji. Ky ka qenë ndër objektivat parësore kudo tjetër ku privatizimi është kryer. Prandaj ishte e papritur që CEZ u deklarua qysh në dhjetor 2009 (konferenca për shtyp e menaxherit privat të OSSH-së) se tarifat/çmimet duhet të rriten që të sigurohen fondet për investimet e planifikuara në sistem?! Kjo është e papranueshme nëse është e vërtetë! Qysh dy vjet më parë kam kërkuar, se nëse kjo është e parashikuar kështu në kontratën e privatizimit, atëherë duhej të jetë e palejueshme edhe për Bankën Botërore sepse rrezikon që fondi i garancisë prej 60 mln Euro ku është dhe BB, do të përdoret dhe mbarojë shpejt. Dhe në këtë rast është e vështirë që BB ta quajë rastin e OSSH-së si privatizim të suksesshëm. Në këtë situatë, nuk do kishte nevojë për privatizim me çmim qesharak, por do që më mirë të kishim një kontratë menaxhimi (Performance basen Management Contract) gjë që do t’i kushtonte shumë më pak ose hiç fare Shqipërisë; sepse nga rritja e efektivitetit dhe eficiencës së operimit të OSSH-së do të mbuloheshin shpenzimet për kompaninë private që do të menaxhonte OSSH-në. E them këtë sepse në sistemin energjetik të shpërndarjes gjatë 15-17 viteve të fundit janë kryer qindra milion Euro investime kapitale, që megjithatë u vlerësuan për shitje vetëm rreth 100 mln Euro. Kujtoj se Maqedonia shkoi në arbitrazh ndërkombëtar me kompaninë private që privatizoi OSSH në Maqedoni vetëm sepse kjo kompani kreu investimet e parashikuara sipas planit në kontratën e privatizimit.  Ndërkohë, tek ne vazhdon kërkesa e CEZ për rritjen e tarifave, rritje të cilën vjet për arsye elektorale e mbajti qeveria duke rënduar mbi ndërmarrjen publike KESH, kurse sivjet këtë rritje do ta mbajë popullata. Ndërkohë pak ose aspak nuk ndihet roli i shtetit për mbrojtjen e konsumatorit nga abuzimet e kompanisë me pozita monopol ndaj qytetarit. Shembull tipik i këtij abuzimi janë matësit që vetë kjo kompani për shumë kohë ka instaluar te qytetari. Pra dhe arka dhe llogaria në një dorë. Edhe ndryshimi i ligjit pak shprese jep për përmirësim në këtë drejtim për sa kohë roli kontrollues i shtetit është pothuajse inekzistent. Prandaj përmirësimi i mekanizmave të mbikëqyrjes së tregut të energjisë elektrike në kushtet e monopolit të kompanive këtë sektor është një nga detyrat e rëndësishme, por për fat të keq të munguar deri tani të qeverisë dhe institucioneve të tjera të pavarura që kanë rol në këtë drejtim si ERE apo Autoriteti i Konkurrencës.