Prof. Dr. Arben Malaj: “Asgjë nuk është e mundur pa njerëz, asgjë nuk zgjat pa institucione”

529
Sigal

Ekonomiksi i SPAK-ut

Impakti pozitiv në mbylljen e tre gropave të zeza në buxhetin e shtetit.

Jean Monnet

Në shkencën e ekonomiksit ka studime të thelluara për korrelacionin midis funksionimit të shtetit ligjor dhe zhvillimit të vendeve të ndryshme. Për vendet ku mungesa e funksionimit të shtetit ligjor e materializuar sidomos në mungesën e të drejtës së pronave dhe lirisë nga korrupsioni, pasojat negative janë të konsiderueshme.

Studimet tregojnë se “vitet e fundit krahasuar me indikatorë të tjerë, siç janë akumulimi i kapitalit, risitë teknologjike, pasuritë gjeografike, hapja ekonomike dhe faktorët kulturorë, institucionet, veçanërisht institucionet juridike janë vlerësuar si një kusht thelbësor për rritjen ekonomike”.   https://papers.ssrn.com/sol3/papers.cfm?abstract_id=1945580

Ndoshta pas pak viteve  mund të kemi një përpjekje studimore për të matur  kostot dhe përfitimet e reformës  gjyqësore të konkretizuara në efektet e pritshme shkak/pasojë të SPAK.

Në rastin konkret është e dobishme të maten efektet pozitive të SPAK-ut në dhënien fund të kulturës se mosndëshkueshmërisë, (impunity) të individëve që abuzojnë me pushtetin e tyre, duke i krijuar kosto ekonomike zhvillimit të vendit dhe kosto të rënda stabilitetetit të financave publike, që në thelbin  tyre janë një e mirë publike. Kostot sociale, ekonomike, buxhetore dhe politike të krizave buxhetore cënojnë të ardhurat reale, prodhojnë papunësi, pabarazi dhe varfëri në rritje dhe krizave politike,  të cilat prodhojnë instabilitet politik dhe  e bëjnë më të vështirë qeverisjen e vendit.

Pjesë e analizave të ekonomiksit të SPAK-ut  duhet të jenë efektet pozitive që duhet të sjellë edhe në qëndrueshmërinë e stabilitetit të financave publike, duke penalizuar  këdo që me veprim, ose mosveprim, krijojnë një dëm financiar dhe një vepër penale.

Tre gropat e zeza  në buxhetin e shtetit që ju kushtojnë qindra miliona dollarë  shqiptarëve dhe që gërryejnë stabilitetin e financave publike  si pasojë e shpërdorimit të detyrës janë:

Gropa e parë e zezë – gjobat e gjykatave ndërkombëtare të cilat sa vijnë dhe po shtohen dhe janë pasojë e qeverisjes me mentalitetin abuzues se: “Shteti jam unë”. Efekti i parë negativ është në investimet e huaja private, të cilat mbeten në nivele të ulta në vendet ku sistemi gjyqësor, nuk është realisht i pavarur dhe vepron nën influencën e pushtetit abuziv të pushtetarëve. Reduktimi “IHD”-së ose zëvendësimi i “IHD”-së nga kompani cilësore në kompani  jo serioze dhe jo konkurrente, sjell dëm në ristrukturimin produktiv të ekonomisë.  Një efekt tjetër negativ është në faktin se investimet nga vendet  me rregulla të qarta të praktikave jo korruptive, ndjehen të penalizuara në vendet ku shkalla e korrupsionit dhe kapjes së shtetit është e lartë, siç është edhe vlerësimi për qeverinë Rama. Gjobat e vendimeve të gjykatave  ndërkombëtare kanë përparësi në pagimin e tyre bazuar edhe në statusin kushtetues që ju jepet vendimeve ndërkombëtare. Kjo nënkupton që vendi detyrohet të paguajë me përparësi këto vendime,  duke rrezikuar që të rritë deficitin dhe borxhin publik ose në kushtet kur ka objektiva të detyrueshme për të ulur  deficitin dhe borxhin publik, qeveritë përdorin si burim  pagimi të këtyre vendimeve, shkurtimin e shpenzimeve, të cilat si në çdo rast krize, të parët që preken janë asistenca buxhetore  kundër papunësisë dhe kundër varfërisë, duke përkeqësuar  kohezionin social, ku të varfërit bëhen më të varfër dhe të pasurit bëhen më të pasur.  Deri tani askush nuk ka dhënë përgjegjësi deri edhe penale për dëmin që i kanë krijuar vendit të tyre, me vendimet e gabuara ndaj bizneseve private kryesisht të huaja, pasi bizneset shqiptare akoma nuk kanë filluar të mbrojnë veten e tyre nga risqet politike të qeverisjeve abuzuese dhe të korruptuara. Fundi i kulturës së pa ndërshkueshmërisë  mund të fillojë pikërisht me mbylljen e kësaj grope të zezë, të thellë dhe të rëndë financiare.

Gropa e dytë e zezë – vendimet gjyqësore për pushimet e pa drejta nga puna, që i rëndojnë rëndë taksapaguesve shqiptarë. Edhe pse Shqipëria ka një ligj evropian për administratën publike, respektimi i tij është i dobët/kryesisht partiak, nepotik e korruptiv. Taksapaguesit shqiptarë paguajnë disa qindra milionë euro për pushimet jo ligjore nga puna. Disa komisione parlamentar kanë hetuar  për këtë abuzim.  Shifrat për efektet buxhetore luhaten nga 120 deri në 170 milionë euro. Mungesa e kulturës të respektimit të ligjit e ushqyer nga kultura e pandërshkueshmërisë bëjnë që pas çdo rotacioni politike apo edhe brenda pas çdo ndryshimi ministrash të së njëjtës mazhorancë politike të kemi tronditje të ndjeshme në administratën  publike në nivel qendror, bashkie, agjenci dhe kompani publike. Dëmi është jo vetëm financiar, por edhe në keq qeverisjen e vendit, pasi përgjithësisht pushohen individë me integritet, experiencë, arsimim dhe kualifikim edhe perëndimor.

Gropa e tretë e zezë  -vendimet e gjykatave kundër bashkive dhe kompanive publike, këto janë borxhet që kryetarët e bashkive apo drejtuesit e ndërmarrjeve dhe institucioneve publike krijojnë duke lidhur kontrata për mallra dhe shërbime pa pasur burimet e financimit. Mos pagesat në kohë të kontratave të pa paguara ju kushtojnë shumë shtrenjtë taksapaguesve dhe janë burim i rritjes se taksave apo shkurtimi shpenzimeve  të bashkive për të përballuar penalitetet gjyqësorë. Kjo cënon cilësinë e shërbime publike të bashkive dhe dëmton ambientin e biznesit.

Të tre këto gropa të zeza, të thella dhe të rënda në buxhetin e shtetit, mund të reduktohen shpejt dhe në maksimum vetëm nëpërmjet veprimit të SPAK-ut, ndaj këtyre drejtuesve që me veprimet dhe mosveprimet e tyre, krijojnë kriza të rënda jo vetëm buxhetore.

Pikërisht në këtë korrelacion pozitiv të funksionimi të SPAK-ut me fillimin e fundit të kulturës së pandëshkueshmërisë dhe efektet pozitive direkt dhe indirekte  në ekonomi nëpërmjet : (i) rritjes së  besueshmërisë së publikut,  rritjes së investimeve, rritjes së punësimit dhe reduktimit të varfërisë; (ii) rritjes së cilësisë dhe përgjegjshmërisë të qeverisjes së vendit  në çdo nivel;  (iii) përmirësimit të funksionimit të shtetit ligjor dhe administratës publike dhe  (iv) rritjes së cilësisë dhe sasisë së investimeve publike e private, që sëbashku  do të bëjnë të prekshme efektet spill-over të “ekonomiksit të SPAK”. Ligji parashikon që këta abuzues veç dënimit penal  mund të humbasin të drejtën për mandate publike për një periudhë deri në 7 vite.

Ministri i Financave si përgjegjësi ligjore për stabiliteitn e financave publike, nëpërmjet zbatimit rigoroz të ligjit për menaxhimin e buxhetit, duhet të urdhërojë denoncim në SPAK, për çdo gjobë që i shkon padrejtësisht  taksapaguesve shqiptarë. Mbyllja e gropave të zeza të buxhetit, ndihmon që vendi të mos ndodhet nën presionin e rritjeve të taksave dhe të mos ndodhen nën presionin për të shkurtuar shpenzimet sociale.