Popullsia e Shqipërisë mund të përgjysmohet deri në 2100

261

Studimi  i  “The Lancet”:  Popullsia e Shqipërisë  mund të përgjysmohet deri në vitin 2100

Popullsia e Shqipërisë pritet të zbresë  në 1.32 milionë banorë në vitin 2100, duke u tkurrur me 52%  në krahasim me vitin 2017, sipas skenarit, që bazohet në objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm. Të dhënat janë publikuar në një studim të revistës shkencore ndërkombëtare “The Lancet”, e cila ka hartuar skenarët e fertilitetit, vdekshmërisë, migracionit dhe popullsisë për 195 shtete dhe territore, nga 2017 në 2100.

Studimi ka modeluar popullsinë e ardhshme, duke iu referuar skenarëve alternativë në funksion të fertilitetit, migracionit dhe normave të vdekshmërisë.

Shqipëria penalizohet nga fertiliteti i ulët, që në vitin 2100 pritet të zbresë në 1.17 dhe migacioni i lartë. Migracioni neto modelohet në funksion të indeksit social-demografik, normës bruto të rritjes së popullsisë, si dhe vdekjeve nga luftërat dhe fatkeqësitë natyrore. Raporti vlerëson dhe madhësinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto të çdo vendi dhe territori në skenarin referencë. Edhe në skenarin referencë, popullsia e Shqipërisë pritet të bjerë në 1.97 milionë banorë në vitin 2100, me një tkurrje prej gati 30% në raport me vitin 2017.

Parashikimet globale

Duke kombinuar skenarët e vdekshmërisë, fertilitetit dhe migracionit, raporti parashikon që popullsia globale në skenarin referencë të kulmojë në 9.73 miliardë në vitin 2064 dhe më pas të bjerë në 8.79 miliardë në vitin 2100.

Gjetjet e raportit tregojnë se tendencat e vazhdueshme në arritjen arsimore të grave dhe qasjen në mjetet kontraceptive do të shpejtojnë rënien e fertilitetit dhe rritjen e ngadaltë të popullsisë