Pastrimi i qytetit / Bashkia e Tiranës tender €23 mln për katër zona

88

Bashkia e Tiranës ka hapur të mërkurën e kësaj jave një tender me vlerë 2.7 miliardë lekë apo rreth 23 milionë euro që ka si objekt të tij kontraktimin e kompanive që do të bëjnë pastrimin e kryeqytetit për tre vjet.

Në dokumentet që shoqërojnë këtë procedurë bëhet me dije se katër do të jenë lotet e kësaj kontrate që i përkojnë katër zonave në të cilat është ndarë kryeqyteti.

“Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin: Afati maksimal i realizimit të shërbimit do të jetë 3-vjeçar. Operatorët ekonomik të shpallur fitues (për secilin Lot) do të rinovojnë kontratat objekt të kësaj Marrëveshje Kuadër çdo 1 (një) vit”, deklarohet në dokument.

Kompanive ju kërkohet që të paraqesin bilancet e tre viteve të fundit, kopje të deklarimit të xhirove dhe vërtetim të shlyerjes së taksave vendore. Po kështu lidhur me punësimin kërkohet që të jenë të paktën 200 të punësuar secila prej tyre.

Lidhur me pajisje, kompanitë duhet të kenë makina teknologjike transportuese, me ngarkim fundor ose anësor, me kapacitet mbajtës 10-12 ton, jo më pak se 7 (shtatë) copë “Makinë teknologjike transportuese, me ngarkim fundor ose anësor, me kapacitet mbajtës jo më pak se 5-7 ton, raport kompaktimi 1:4 – 1:6, i vitit të prodhimit jo më poshtë se 2010, jo më pak 4 (katër) copë; Makine transportuese të kontenierëve me platformë ngarkimi nga pas, për të mundësuar ngarkimin dhe shkarkimin e kontenierëve pa sjellë dëmtimin e tyre, i vitit të prodhimit jo më poshtë se 2010, jo më pak se 1 (një) copë” e një sërë specifikimesh te tjera për makineritë.

Operatori ekonomik duhet të disponojë gjithashtu 1070 copë kontenierë. Disponueshmëria e tyre duhet të vërtetohet me dokumentacion. Afati për dorëzimin e ofertave është data 18 janar.

Në shkurt të këtij viti Bashkia e Tiranës rriti tarifat e pastrimit për bizneset. Sipas faturave që bizneset bënë publike në atë kohë tarifa vjetore e pastrimit është 85,100 lekë, nga 74 mijë lekë që ishte në vitet e mëparshme (shiko faturën në fund), me një rritje prej 15%, për disa kategori të tjera (biznesi i vogël me xhiro nga 2-8 milion lekë) rritja është nga 10 mijë në 11,500 lekë, po me rritje 15%.

Rritja është më e lartë në përqindje për bizneset e vogla, me xhiro nga 0-2 milion lekë në vit. Për këtë kategori, tarifa është rritur me rreth 64%, nga 3,500 lekë në 5,750 lekë. Vetëm për disa kategori si shërbimet e fotokopjimit, sallonet e bukurisë, agjencitë valutore, transport etj, tarifa e pastrimit është 4 mijë lekë.