Parapagimi i tatim-fitimit, laku në fytin e biznesit

929
Si rrezikon të mbysë sipërmarrjen masa represive që nuk merr parasysh fakti nëse biznesi në vitin aktual nuk ka të njëjtin aktivitet si një vit më parë
Parapagimi i tatim-fitimit është laku në fytin e biznesin, që rrezikon të dërgojë shumë sipërmarrje drejt dështimit. Gjoba e këstit të tatim-fitimit, nëse nuk e parapaguan në kohë këstin, po rezulton fatale për bizneset, duke çuar deri në mbylljen e tyre. Kontabilistët sqarojnë se kjo masë po i detyron bizneset të kalojnë në statusin pasiv dhe të pezullojnë aktivitetin. Situata vazhdon të mbetet e njëjtë prej shumë muajsh, ndërkohë që lista e bizneseve me statusin pasiv, me qëllim që “të shpëtojnë” prej gjobës, është shtuar. Përveç kundërshtimit të masës nga ana e biznesit, gjoba u cilësua e lartë dhe penalizuese gjatë diskutimeve në nëntorin e shkuar të ndryshimeve në ligjin e Procedurave Tatimore në Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Kryetari i komisionit, Erion Braçe, tha se nuk është legjitime vendosja e gjobës për parapagimet dhe duhet të rishikohet. Ndërsa zëvendëskryetari i komisionit, Ridvan Bode, tha se gjoba prej 15% është e lartë pasi rëndon biznesin. Më pas ky nivel u ul në 10 %.

Në bazë të ligjit, tatim-fitimi i vitit aktual parapaguhet në bazë të një formule që merr për bazë fitimet e dy viteve më parë për tremujorin e parë të vitit dhe fitimet e vitit të mëparshëm për 9 muajt e mbetur (në vitet në vijim bëhet rakordimi nëse biznesi ka paguar tatim-fitimi tepër). Kontabilistët sqarojnë se nuk merret fare parasysh fakti nëse biznesi në vitin aktual nuk ka të njëjtin aktivitet si një vit më parë dhe atij i kanë rënë si xhiro, ashtu dhe fitimet dhe si rrjedhojë, detyrohet të parapaguajë për një fitim që ai nuk e ka realizuar realisht. “Në vend që likuiditetin biznesi ta përdorë për të mbijetuar dhe zhvilluar aktivitetin e tij normal, është i detyruar të parapaguajë detyrimet, të cilat në rast se nuk paguhen në kohë, ngarkohen me një gjobë”, thonë ekspertët.

Edhe në një sondazh të kryer nga mediet e specializuara gjatë vitit të shkuar, në lidhje me shkaqet se pse po mbylleshin bizneset në kryeqytet, një prej arsyeve kryesore që raportuan disa biznese ishte dhe gjoba për këstet e tatim-fitimit. Bizneset kanë deklaruar se nuk e përballojnë dot gjobën prej 10 apo 15% të shumës për vonesat në pagimin e kësteve të tatim fitimit. Këstet e përllogaritura në bazë të xhiros së një viti më parë, kanë vënë në vështirësi biznese, të cilët në vitin aktual gjenden në vështirësi financiare, pasi po shohin rënie të xhiros dhe fitimeve, por duhet të parapaguajnë këstet në bazë të fitimeve të vitit të kaluar.

Një nga nenet e ligjit të super-gjobave (procedurave tatimore), miratuar dy vjet më parë dhe që nuk u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ishte ai për gjobat në rast se këstet e tatim-fitimit nuk paguheshin në kohë. Çdo fillim-viti, tatimet i njoftojnë bizneset se “mospagimi në afat i kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin ose kësteve paraprake të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, dënohet me gjobë”. Më parë, bizneset nuk merrnin gjoba, në rast se nuk parapaguanin tatim-fitimin, thjesht nuk merrnin dot vërtetim në tatime që kishin paguar detyrimet. “Frika” nga gjobat duket se ka ndihmuar tatimet të tejkalojnë planin e tatim fitimit gjatë viteve të shkuar.

Ekonomistët e firmave shpjegojnë se bizneset kanë nxituar të paguajnë këstet e tatim-fitimit, përndryshe rrezikonin që të merrnin gjobën. Për rrjedhojë, të ardhurat nga tatim-fitimi ishin edhe më shumë se plani, duke shënuar performancën më të mirë nga gjithë zërat e tjerë tatimorë.

Si parapaguhet tatim-fitimi
Tatimi mbi fitimin paguhet çdo tremujor ose çdo muaj në formë paradhënie gjatë vitit, bazuar në këste mujore. Administrata tatimore, bazuar në të dhënat e deklaratës së fitimit të tatueshëm të vitit paraardhës, dorëzuar nga tatimpaguesi brenda datës 31 mars të vitit vijues, llogarit këstet mujore të paradhënieve të tatimit mbi fitimin për periudhën prill – dhjetor të vitit vijues dhe për periudhën janar – mars të vitit të ardhshëm. Këstet mujore të paradhënieve të tatimit mbi fitimin, për periudhën prill – dhjetor të vitit vijues dhe për periudhën janar – mars të vitit të ardhshëm, i njoftohen tatimpaguesit brenda datës 30 prill të çdo viti. Këstet e paradhënieve të tatimit mbi fitimin, përcaktuar si më sipër paguhen nga tatimpaguesit në bazë tremujore ose në bazë mujore.

Kur këstet e paradhënieve të tatimit mbi fitimin paguhen në bazë tremujore, kësti i çdo tremujori llogaritet në bazë të shumës së kësteve të çdo muaji të tremujorit. Afatet e pagesës së kësteve tremujore të paradhënieve janë: për tremujorin e parë (janar-shkurt-mars) të vitit, brenda datës 30 mars; për tremujorin e dytë (prill-maj-qershor) të vitit, brenda datës 30 qershor; për tremujorin e tretë (korrik-gusht-shtator) të vitit, brenda datës 30 shtator; për tremujorin e katërt (tetor-nëntor-dhjetor) brenda datës 30 dhjetor. Kur këstet e paradhënieve të tatimit mbi fitimin paguhen në bazë mujore, afati i pagesës është brenda datës 15 të çdo muaji,

Llogaritja e kësteve mujore të paradhënieve

a) Kur tatimpaguesi ka më shumë se dy vite që e ka filluar veprimtarinë, këstet mujore të paradhënieve të tatimit mbi fitimin llogariten si më poshtë :

Shembull:
Tatimi mbi fitimin: Viti 2016 = 1,200,000 lekë
Këstet mujore të paradhënieve të tatimit mbi fitimin për vitin 2017 do të jenë:
– Për periudhën prill – dhjetor 2016 : 1,200,000/12 muaj = 100,000 lekë/muaj. Totali për 9-mujori : 100,000 x 9 muaj = 900,000 lekë.
– Për periudhën janar – mars 2017 : 1,200,000/12 muaj = 100,000 lekë/muaj. Totali për 3-mujorin 100,000 x 3 muaj = 300,000 lekë.
– Për tremujorin e parë (janar – mars) 2016 kësti i paradhënieve presupozohet se është përcaktuar më parë (në vitin 2015) sipas skemës së mësipërme, bazuar në deklaratën e fitimit të tatueshëm të vitit 2013.
Sigal