“Paralizohet” trafiku ajror, 33 avionë të parashikuar, vetëm 7 nisen sot nga Rinasi

434
Sigal

Trafiku ajror në Rinas është pothuajse i paralizuar. Sipas të dhënave që jepen në kohe reale nga Aeroporti i Rinasit, gjatë disës së sotme, në kohë normale duhet të niseshin 33 avionë drejt qyteteve të ndryshme të Europës, pjesa më e madhe e të cilëve në Itali.

Por, numri i atyre që nisen sa vjen e zvogëlohet si rrjedhojë e ndalimit të lëvizjeve, për të kufizuar përhapjen e koronavirusit, dhe sot do të nisen vetëm 7. Me këto ritme, në ditët në vijim nuk do të ngrihet asnjë avion.

Fillimisht, në 9 mars u ndaluan udhëtimet drejt Italisë së Veriut, shteti më i prekur, më pas kufizimet u shtuan në gjithë Italinë. Më pas u ndaluan fluturimet me Britaninë e Madhe dhe nga sot ka filluar dhe pezullimi i Austrian Airlines drejt Vjenës, që ishte një nyje për tranzitin në Europë dhe botë. Vjena për momentin është e arritshme vetëm përmes Wizz Air.

Lufthansa ka anuluar dy fluturimet e parashikuara drejt Frankfurtit. Nuk ngrihet sot as avioni drejt beogradit.

Sipas të dhënave të TIA, gjatë ditës së sotme, po niset Air Albania drejt Stambollit, I cili ka tashmë vetëm një fluturim në ditë në mëngjes, pasi ka anuluar atë të mbrëmjes. Pegasus, një tjetër operator që ka fluturim drejt Stambollit në mengjes herët, ka anuluar fluturimin.

Operatori më aktiv është ai me kosto të ulët, Wizz Air që sot ka fluturime drejt Dortmund, Vjenës dhe Budapestit.

EasyJet planifkon një nisje në drektë drejt Gjenevës. Jetairfly planfikon në mbrëmje të niset drejt Brukselit, Transavia drejt Parisit dhe me këto 7 destinacione mbyllet dita e sotme.

Në 2019-n nga dhe drejt Rinasit fluturuan 3.3 milionë pasagjerë. Tregu është rritur vazhdimisht si rrjedhojë e shtimit të operatorëve me kosto të ulëta, që kishin çuar në rënien e bielatave deri në 20 euro një drejtim dhe kthimit të Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik.

Ky blokim pritet të sjellë humbje të mëdha jo vetëm për industrinë ajrore, por edhe për atë mbështetëse, kryesisht agjencitë e udhëtimit./monitor