OSHEE kufizon investimet dhe bleu për korrikun 5.2 milionë euro energji në tregun e lirë

403
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Vera ka sjellë për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) më shumë blerje energjie në tregun e parregulluar për të plotësuar nevojat për konsum.

Gjatë qershorit dhe korrikut janë hapur disa procedura të cilat parashikonin sigurimin e energjisë për muajin e shtatë të këtij viti dhe që në total kanë akumuluar një vlerë blerjeje prej 5.2 milionë euro. Kjo i përgjigjet një sasie energjie mbi 55 mijë MWh çka bën që çmimi mesatar me të cilin është siguruar kjo energji të jetë disi e lartë me rreth 96 euro/MWh.

Ky vit në ndryshim nga viti i kaluar është paraqitur disi më mirë në aspektin hidrik dhe të situatës financiare të operatorëve të sektorit. Në 2020 varësia e OSHEE-së për të plotësuar nevojat për konsum në vend ishte në një pjesë të madhe tek importet që regjistruan një vlerë mbi 120 milionë euro. Kjo e kufizoi kompaninë në kryerjen e investimeve madje një pjesë e planit u rishikua për shkak të pamundësisë së zbatimit në kushtet kur edhe pandemia e COVID-19 preku lehtë arkëtimet.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike parashikon që edhe në gusht të ketë blerje nga tregu për të plotësuar nevojën për konsum dhe kjo duket qartazi edhe nga një procedurë e fundit e hapur që kërkon blerje energjie për periudhën 1-31 gusht.