Nga kush janë të pavarura institucionet e pavarura?

889
Sigal

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi bëri lajm edhe një herë kur deklaroi, se institucioni i parlamentit dëshiron të kontrollojë Kontrollin e Lartë të Shtetit. Para se të vijojë me këtë logjikë, Ruçi bën mirë të lexojë më me vëmendje Kushtetutën. Institucionet e pavarura, siç e kanë edhe emrin, duhet të jenë të pavarura, pikërisht nga parlamenti.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi duhet se është në vendin e gabuar. Nuk kalon as një javë pa bërë një deklaratë që çudit. Dy javë më parë deklaroi se drogën në Shqipëri e solli Evropa. Edmond Tupja me të drejtë vëren se urdhrat e tij si kryetar parlamenti (të tilla si “Ulu poshtë”) gjatë seancave me sherr fals me opozitën i rikujtojnë mësuesin autoritar të kohës së komunizmit. Mua personalisht më bën më shumë përshtypje fraza e tij e stërpërsëritur në mbyllje të çdo sherri parlamentar: “Media të dalë jashtë!”. Vështirë se ka ndonjë pushim apo mbyllje seance parlamentare që të kalojë pa urdhrin aspak të logjikshëm të Ruçit “Media të dalë jashtë!”. Një urdhër i tillë absurd që flet shumë për mungesën e të kuptuarit prej z. Ruçi, se komunizmi ka rënë. Ai bën mirë të mos urdhërojë hyrjen ose daljen e medias nga kuvendi, sepse media nuk mund të marrë urdhra prej tij. Duket sikur Ruçi beson se duke nxjerrë “median jashtë”, sherri fals dhe banal parlamentar pushon së ekzistuari, se reputacioni i parlamentit rritet në rast se shqiptarët nuk informohen përmes medias për çfarë Ruçi nuk dëshiron që të informohen. Dhe duket sikur media është në dispozicion të Ruçit, ajo duhet “të hyjë brenda” dhe të “dalë jashtë” kurdo që Ruçi e sheh të arsyeshme. Por ishte një arsyetim i tipit filozofik të z. Ruçi, i shprehur në një takim të organizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ditën e hënë, më 4 qershor, ajo që më tërhoqi vëmendjen. “Kuvendi, në përmbushje të detyrimeve ligjore dhe në ushtrim të kontrollit parlamentar, do të realizojë auditimin e llogarive financiare të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe t’i bëjë ato publike. Në këtë mënyrë, do të zgjidhim dilemën “Kush i ruan rojet?” dhe do të garantojmë Kushtetutën, ligjin dhe qytetarët që Kontrolli i Lartë i Shtetit është edhe vetë një institucion i kontrolluar prej tyre”, deklaroi Ruçi. Duke dhënë një koment që duket sikur është huazuar nga sloganet propagandistike të kohës së Komunizmit, për të cilën, Ruçi nuk e fsheh dot nostalgjinë, ai tha gjithashtu: “Qeverisja nga populli, me popullin dhe për popullin garantohet në radhë të parë nëpërmjet kontrollit parlamentar dhe auditimit të veprimtarisë së saj”. Kjo është ekzaktësisht e kundërta e asaj që shkruhet në Kushtetutë dhe e kundërta e parimit të ndarjes së pushteteve, të kontrollit dhe balancave në një vend demokratik. Le të lexojmë pak Kushtetutën, neni 162, sepse mund të na ndihmojë:

Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar. Ai u nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve”. Besoj se nuk ka nevojë të ndalem më gjatë. Kur kushtetuta thotë se KLSH i “nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve”, kjo do të thotë vetëm dhe vetëm. Nuk do të thotë në asnjë çast “i nënshtrohet edhe parlamentit”, apo “shumicës parlamentare”. Por meqë Ruçi e ka dilemën se “kush i ruan rojet?”, duhet t’i themi se:

– Roja ruan një mall me vlerë që të mos vidhet, nga ata që kanë mundësi potenciale për ta vjedhur. – Roja nga ana e tij ruhet nga një roje tjetër, i cili nuk është nga ata që kanë mundësi potenciale për të vjedhur vlerën që ruhet.

Për këtë arsye, Kushtetuta thotë se KLSH i nënshtrohet vetëm kushtetutës dhe ligjeve. Kjo është ndryshe nga, fjala vjen, Këshilli i Ministrave, i cili, teorikisht kontrollohet nga parlamenti, pavarësisht se, hë për hë në Shqipëri ndodh e kundërta. Dhe kur Kushtetuta thotë se KLSH i nënshtrohet ligjeve e ka fjalën për ato ligje që zbatohen nga organe ligj-zbatuese ndërsa parlamenti nuk është i tillë. Parlamenti është ligjbërës. Institucionet e pavarura, të tilla si Gjykata Kushtetuese, Banka e Shqipërisë apo Kontrolli i Lartë i Shtetit apo entet e ndryshme regullatore që mbikëqyrin tregje specifike e kanë emrin të pavarura posaçërisht për të treguar pavarësinë e tyre nga pushteti politik. Reforma në Drejtësi, p.sh, pavarësisht se kuptohet gjerësisht si një fushatë anti-korrupsion, ka në thelb: Shkëputjen e drejtësisë nga varësia politike, e ushtruar kjo përmes maxhorancave parlamentare. Reforma kërkon që prokurorët e njësive të prokurorisë të mos jenë produkt i shumicës politike apo kompromisit politik në mënyrë që të jenë të pavarur për të hetuar pushtetin politik. Kjo është krejt e kundërta me sistemin e mëparshëm, të cilin ne e kishim trashëguar nga koha për të cilën Ruçi nuk fsheh nostalgjinë e tij, sistemin ku prokurori i përgjithshëm zgjidhej nga parlamenti, kontrollonte të gjithë prokurorët dhe punën e tyre dhe supozohej se duhej të hetonte politikanët, ndërsa në thelb, ishte dajaku i politikës për popullin. Deklarata e Ruçit dhe dilema e tij mbi rojen e rojes nuk ka nevojë të alarmojë ndokënd. Kjo nuk do të thotë se jemi pranë rrëzimit të sistemit të balancave dhe kontrolleve që duhet të funksionojnë në një shoqëri demokratike. Ne nuk jemi pranë rrëzimit për shkak se nuk kemi ende një sistem të tillë. Ajo është thjeshtë një tregues i asaj, se sa pak kuptojnë ata që duan të bëjnë shtet nga thelbi i shtetit. (Gjergj Erebara, BIRN )