Nga 1 marsi, agjentët e “Crown Agents” zbresin në terren

650
Sigal

Kontrata për doganat shqiptare. Smith: Luftë korrupsionit dhe më shumë të ardhura

Nga data 1 mars agjentët e kompanisë britanike “Crown Agents”, që asiston doganat shqiptare, do të zbresin në terren. Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në datën 1 Mars agjentët e “Crown Agents” do të nisin punën në terren me 8 grupe mobile. Sipas marrëveshjes me qeverinë shqiptare, kompania britanike do të kryejë 450 kontrolle në muaj. Burimet thonë se së shpejti do të jenë në dispozicion edhe 10 makinat e specializuara të “Crown Agents”, të pajisura me teknologjinë më të fundit.

Nga fundi i muajit janar në Tiranë është vendosur një ekip prej 15 pjesëtarësh nga 5 vende të ndryshme, si Letonia, Finlanda, Mbretëria e Bashkua, e Danimarka.

Drejtuesi i projektit të kompanisë “Crown Agents” për asistencë në sistemin doganor shqiptar, David Smith, ka bërë të ditur se zbatimi i kontrolleve në dogana dhe zbulimi i mashtrimit do të jetë teknologjia kryesore që do të praktikohet. “Agjentët tanë nuk do të jenë të ulur në zyrë, por në terren, në pikat kufitare për të identifikuar e zbuluar mashtrimin. Ata do të sjellin informacion drejt zyrës qendrore, në mënyrë që të përmirësohen e të hartohen politika e procedura të reja në bazë të të dhënave e informacionit të zbuluar. Do të punojmë me burimet njerëzore për të përkufizuar më mirë përshkrimin e punës, apo procesin e rekrutimit të personelit profesional doganor. Do të reduktojmë mundësinë që korrupsioni të ndodhë”, ka theksuar Smith. Në mënyrë që të jemi efektiv, tha Smith, duhet të bashkërendojmë punën me të gjitha institucionet, por edhe me komunitetin e biznesit. Sipas tij, ekipet në pikat doganore do të hartojnë raporte javore për institucionin qendror. “Përmes reformave synojmë të mbledhim më shumë të ardhura në një afat të shkurtër kohor dhe të ngremë kapacitetet, në mënyrë që të ardhurat të jenë të qëndrueshme në periudhë afatgjatë. Objektivat kryesore të programit tonë është të rrisim nivelin e mbledhjes së të ardhurave, të rrisim integritetin brenda administratës doganore dhe në bashkësinë e biznesit dhe të mbështesim ngritjen e kapaciteteve të doganave në përputhje me kriteret për integrimin në Bashkimin Europian”, nënvizoi Smith. Kompania britanike “Crown Agents” që u kontraktua në muajin nëntor për asistimin në punën e doganave shqiptare u prezantua në 27 janar të këtij viti në Tiranë. Ekipi prej 15 pjesëtarësh, nën drejtimin e David Smith, do të punojë duke pasur në fokus një administrim më të mirë të punës në dogana, luftën e korrupsionit dhe rritjen e të ardhurave për llogari të qeverisë shqiptare. Qeveria shqiptare do t’i paguajë kompanisë britanike “Crown Agents”, 8.5 milionë euro për shërbimin dyvjeçar të asistencës që ajo do u ofrojë doganave. Sipas kontratës, shuma, do të lëvrohet në dy vjet. Por marrëveshja parashikon se kjo pagesë mund të ulet deri në 25 për qind, nëse kompania britanike nuk sjell rezultatet në rritjen e të ardhurave, për të cilat palët kanë rënë dakord. “Crown Agents” do të ndërmarrë sipas kontratës 450 kontrolle në muaj dhe po sipas kontratës, do të na ndihmojë që të garantojmë këtë vit rritjen me 1 për qind të GDP-së së vendit nga të ardhurat e doganave. Në kontratë janë përcaktuar gjithashtu edhe të drejtat dhe detyrimet e palëve. Sipas saj, “Crown Agents” do të asistojë personelin e administratës doganore në analizën e informacioneve doganore. Po kështu, kompania britanike do të asistojë edhe personelin e administratës doganore që kryen funksione hetimi, kontrolli dhe verifikimi. Marrëveshja do të ketë një afat prej dy vitesh, me opsion rinovimi për vitin e tretë. Kompania “Crown Agents” është e njohur në botë dhe me aktivitet, aktualisht, në rreth 100 vende të botës.

 Gati falja e “gjobave elektorale” të 2013-s

 Një projekt-vendim i hartuar nga ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes parashikon faljen e gjobave, që iu vunë një numri të konsiderueshëm biznesesh nga organet tatimore dhe doganore për periudhën 1 mars deri në 31 gusht të vitit 2013. Prej kësaj mase ligjore, një numër i konsiderueshëm biznesesh do të çlirohen nga detyrimi për t’i paguar ato. Burime zyrtare thonë se, “me këtë projekt-vendim, pritet të vihet në vend ligjshmëria e cenuar nga veprimet abuzive të administratës fiskale ndaj biznesit si presion në kohën e fushatës zgjedhore të 2013-s. Projekt-vendimi është iniciuar dhe firmosur nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj dhe pritet të miratohet  javën që vjen në Qeveri, thanë burimet e ministrisë. Falja e gjobave të vendosura vjet në fushatën zgjedhore, u paralajmërua gjatë fushatës elektorale nga kreu i opozitës së atëhershme, Edi Rama, sot Kryeministër i Shqipërisë.