Në rast se Senati italian miraton mbylljen e ‘call center’ -ve, në Shqipëri mbyllen 25 mijë vende pune për të rinjtë shqiptarë

839
Për sipërmarrësit e biznesit “call center” në vendin tonë, në rast se Senati italian miraton ligjin e zhvendosjes së këtyre bizneseve nga vendet joanëtarë të BE-së, do të sjellë mbyllje të aktiviteteve në Shqipëri.
Sigal

Një nga sipërmarrësit italianë në vendin tonë i biznesit “call center”, Roberto Caparrotta, tha për gazetën se miratimi i ligjit ka si qëllim mbylljen e këtyre bizneseve në Shqipëri, gjë e cila do të ndodhë 3 deri në 4 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit.

“Aktualisht, sektori i ‘call center’ ka problemet e veta me miratimin e ligjit nga Senati italian dhe për këtë unë jam 100 për qind i sigurt, pasi ligji që është miratuar në Dhomën e Deputetëve do të sjellë mbyllje të të gjitha këtyre bizneseve në Shqipëri. Sipas të dhënave të Tatimeve janë 850 kompani në vend dhe janë 25 mijë të punësuar”, tha Caparrotta.

Sipërmarrësi italian shpjegon se ky ligj i detyron të gjitha kompanitë italiane në fjalë në Shqipëri që të krijojnë opsionin e lajmërimit të klientit nëse dëshiron të flasë me një operator që ndodhet në Shqipëri apo me një operator që ndodhet në Itali.

Por, sipas tij, nëse ky detyrim nuk zbatohet, kompania gjobitet 150 mijë euro. Caparrotta shpreh shqetësimin se si qeveria shqiptare nuk ka lobuar pranë asaj të Renzi-t për të lehtësuar amendimet që janë shumë të rënda për kompanitë që veprojnë këtu, kur propozimet kanë muaj që diskutohen.

“Problematik është fakti që telefonuesi tashmë do të jetë i detyruar të thotë vendin e origjinës. Sipas ndryshimeve ligjore, nëse telefonuesi nuk thotë vendin nga telefonon, gjobitet me 150 mijë euro.

Në këto kushte, ne do të detyrohemi të largohemi nga Shqipëria, pasi shtrëngimet e ligjit janë të papërballueshme dhe nuk e kuptoj pse qeveria ka heshtur deri tani”, tha Caparrotta.

Sipas sipërmarrësit italian ndryshimet e ligjit janë dërguar që në fillim të këtij viti në Parlamentin italian, kjo për shkak të lobingut të një nga operatorëve kryesorë, “Almaviva”. Caparrotta shpjegon se kjo kompani vetëm në prill të këtij viti shkurtoi 30 mijë punonjës. Shkaku ishte mospërballimi i konkurrencës ndaj kompanive që po hapnin filiale në Shqipëri me kosto më të ulët.

“Ligji do të miratohet për shkak të presioneve të kompanisë italiane ‘Almaviva’, e cila humbi këtë vit 30 mijë punonjës, pasi nuk përballonte dot konkurrencën e kompanive që janë hapur në Shqipëri.

Nga kontaktet që unë kam me shumë sipërmarrës italianë në Shqipëri thonë se nuk kthehen në Itali, pasi aty taksat dhe kostot janë më të larta. Këto biznese do të ikin në Rumani”, tha Caparrotta. Ligji për “call center”- at u miratua më 24 nëntor në Dhomën e Deputetëve.

Ndryshimet ligjore parashikojnë vendosjen e rregullave të forta sa i përket zhvendosjes së këtyre bizneseve nga Italia.

Në këtë nen thuhet se nëse një operator privat ekonomik vendos që të ndryshojë vendndodhjen apo t’i japë në përdorim shërbimin një operatori të tretë që nuk është shtet anëtar i BE-së, duhet të njoftojë autoritetet e Ministrisë së Punës, si dhe Inspektoratin e Punës 30 ditë përpara.