Në katër vite pensioni mesatar në qytet u rrit 10%, në fshat 17%, si po rëndohet skema

556
Sigal

Nga viti 2013, pensioni mesatar i pleqërisë në qytet është rritur me 10%, ndërsa në fshat me 17% sipas të dhënave të INSTAT. Në fund të vitit 2017, pensioni mesatar në qytet ishte 15,527 lekë nga 12,076 lekë që ishte në vitin 2013. Ndërsa pensioni mesatar në fshat arriti në fund të 2017 në 8,808 lekë, nga 7,565 mijë lekë që ishte në vitin 2013. Sipas të dhënave zyrtare, mësohet se rritja më e madhe e pensioneve mesatare në vend ka ndodhur gjatë viteve 2000-2010.
Gjatë kësaj periudhe, pensionet në qytet u rritën me 134%, duke arritur në 12,153 lekë nga 5,180 lekë që ishin në vitin 2000. Ndërsa pensioni mesatar në fshat u rrit në këtë periudhë në 543% duke arritur në 6576 lekë në vitin 2010 nga 1022 lekë që ishte në vitin 2000. Me aplikimin e reformës së re në sistemin e sigurimeve shoqërore në vitin 2014, rritja e pensioneve kufizohet vetëm në një indeksim vjetor me masën e inflacionit mesatar, i cili vitet e fundit nuk ka qenë as 2%. Pagesat për pensionet në vitet në vijim do të kushtëzohen edhe nga zhvillimet demografike në vend që po sjellin plakjen me ritme të shpejta të popullsisë. Rritja e popullsisë mbi 65 vjeç dhe rënia e numrit të lindjeve do të sjellë disbalanca ndërmjet kontributeve dhe përfitimeve. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore në vitin 1990, vendi numëronte një popullsi më shumë se 3.2 milionë banorë, teksa paguanin sigurime më shumë se 1.4 milionë persona. Në vitin 2017, paguan sigurime vetëm 752,383 persona teksa numri i përgjithshëm i popullsisë ishte mbi 2.8 milionë. Të dhënat krahasuese tregojnë se ndërkohë numri i përgjithshëm i popullsisë ka rënë me 11% personat që paguanin sigurime kanë pësuar rënie me 49%. Por ndryshimin më të madh e ka pësuar popullsia në moshë pensioni. Nga 321 mijë pensionistë që numëroheshin në vitin 1990, në vitin 2016 numri i tyre pothuajse u dyfishua duke arritur në 611 mijë persona. Në vitin 2010, statistikat zyrtare të ISSH-së raportonin 543,053 pensionistë, ndërsa në fund të vitit 2017, u raportuan 621,186 të tillë.
Sipas të dhënave që i përkasin harkut kohor 2010-2016, ritmet e rritjes së numrit të pensionistëve u zgjeruan pas 2012-s. Në dy vitet e mëparshme, numri i tyre është rritur me pak më shumë se 5 mijë persona, por në vitin 2013, në skemë janë shtuar mbi 16 mijë pensionistë, më 2015 mbi 15 mijë pensionistë. Ritmet janë ulur dy vitet e fundit, për shkak të reformës së re në pensione, që zgjati moshën e daljes në pension me 6 muaj në vit për gratë. Për pasojë, qeveria ka ndërmarrë një projektligj që synon të ulë masën e përfitimeve të pensioneve në fshat në vitet në vijim, duke rikthyer pagën minimale për efekt kontributesh në fshat./monitor