Në 2020 hiqen nga përkrahja sociale edhe 27 mijë familje

782
Sigal

 

Numri i përfituesve të ndihmës ekonomike zvogëlohet: Sistemi i ri hoqi nga listat e përfitimit rreth 27 mijë familje 

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se për vitin e kaluar numri i familjeve përfituese pësoi një rënie drastike, që mund të shpjegohet kryesisht me ndryshimin e sistemit të përfitimit të ndihmës ekonomike. Nëse deri në vitin 2017 përfitonin ndihmë ekonomike rreth 81 mijë familje, vitin e kaluar ky numër zbriti në 54 mijë familje. Një ndryshim kaq drastik i numrit të familjeve përfituese sigurisht që nuk mund të justifikohet vetëm nga sistemi dhe metodologjia burokratike e përdorur. Ose me ndihmën ekonomike është abuzuar në përmasa të mëdha dhe Shqipëria ka më pak familje në nevojë për ndihmë ekonomike, ose sistemi i ri ka krijuar kufizime të padrejta për shumë familje që janë realisht në nevojë.

Shteti shpenzoi vitin e kaluar 3.33 miliardë lekë ose 27 milionë euro për ndihmën ekonomike. Por, shkurtimi drastik i listës së familjeve përfituese i kurseu buxhetit të Shërbimit Social Shtetëror rreth 6.2 milionë euro krahasuar me vitin 2017. Pavarësisht nga kjo, ende rreth 7% e numrit të përgjithshëm të familjeve shqiptare përfitojnë ndihmë ekonomike, çka është tregues i nivelit ende mjaft të lartë të varfërisë. Anketa e Instat për të ardhurat dhe nivelin e jetesës tregon se rreth 671 mijë shqiptarë ose afërsisht 180 mijë familje janë të kërcënuar nga varfëria. Pragu i rrezikut të varfërisë konsiderohet një e ardhur mujore për frymë prej rreth 13,400 lekësh./Scan