Ndryshimet e buxhetit 2020 në kuadër të situatës së COVID-19, ulet parashikimi për rritjen ekonomike

374
Sigal

Në kuadër të përballimit dhe kapërcimit me sukses të situatës së shkaktuar nga COVID 19, Këshilli i Ministrave ka miratuar propozimet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për ndryshimet në Buxhetin e Shtetit për Vitin 2020.

Akti Normativ “për disa ndryshime në ligjin nr.88/2019 “për buxhetin e vitit 2020” bën të mundur alokimin e një Pakete Financiare prej 12 miliardë lekë për përballimin të situatës emergjente të krijuar nga Pandemia COVID-19.

Akt Normativ i miratuar nga Këshilli i Ministrave alokon fondet buxhetore drejt financimit të sektorit te shendetesise per pajisje, medikamente, materiale mjekësore dhe sherbimet e tjera te nevojshme, si dhe financimin e paketave sociale, në kuadër të saj.

Në mënyrë të detajuar ndryshimet në Buxhetin e vitit 2020 sipas këtij Akti Normativ synojnë mbështetjen e shtyllave bazë të përpjekjeve kundër pasojave të COVID 19, duke siguruar:

6.5 miliardë lekë Fond për Paketën Sociale anti-COVID“ në mbështetje të punëmarrësve dhe/ose shtresave të tjera të prekura nga pezullimi i proçeseve të punës në shkallë vendi duke përfshirë shtresat në nevojë, personat që humbasin punët dhe komunitetet, që do të rezultojnë më të dëmtuar;

2.5 miliardë lekë Fond në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Strukturave Spitalore, për të siguruar furnizimin me medikamente, aparatura dhe urgjenca të ndryshme dhe në mbështetje të stafeve mjekësore;

1 miliard lekë në drejtim të Fondit Rezervë të Buxhetit të Shtetit, për krijimin e hapësirës për financimin e shpenzimeve të domosdoshme me karakter të paparashikuar, për muajt në vijim;

2 miliard lekë rialokim drejt një Fondi Emergjence për të siguruar furnizimin me ushqim të komuniteteve të caktuara, që do të rezultojnë të prekura nga pandemia, apo për familje me ndihmë ekonomike dhe pensionistë të vetmuar që do të kene nevojë për ndihmë direkte. Njëkohësisht, ky fond do të përdoret edhe për nevoja të ekipeve mjekësore, si në spitalet civile ashtu edhe në spitalin ushtarak.

Parashikimet sasiore për impaktin negativ të COVID-19 në ekonomi, mbeten ende të paqarta edhe në Shqipëri. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka realizuar një vlerësim të impaktit që pritet në sektorët e turizmit, transportit, tregtisë etj., dhe ngadalësimin e përkohshëm të investimeve totale dhe eksporte. Përmes këtij vlerësimi, për hartimin e këtij Akti Normativ, rritja ekonomike reale e vendit është parashikuar në nivelin 2%.

Parashikimi i rritjes ekonomike, si dhe të gjithë variablave të tjerë makroekonomikë, do të jetë subjekt rishikimesh në vijimësi të qartësimit të dinamikës së situatës.

Në vijim, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të ndjekë me kujdes maksimal ecurinë e treguesve kryesorë, me objektiv primar përmirësimin e tyre gradual dhe ruajtjen e qendrueshmërisë fiskale.