Mirëmbajtja rutinë e rrugëve, nisin sërish ankesat për tenderat

439
Sigal

Mirëmbajtja e rrugësve e cila aktualisht është e ndarë mes asaj rutinore në dimër për disa rrugë në vend dhe mirëmbajtjes në bazë të performancës si pjesë e projektit me Bankën Botërore duket se është një nga procedurat që herë pas here sjell edhe pakënaqësi mes operatorëve ekonomikë. Ditëve të fundit pranë Komisionit të Prokurimit Publik janë dorëzuar të paktën dy ankesa të lidhura me mirëmbajtjen rutinore në dimër e lidhur kjo me dy akse të vendosur në Veri të vendit. Sipas të dhënave të bëra publike procedura e parë e ankimuar është ajo që lidhet me mirëmbajtjen rutinë dhe dimërore me performance për rrugën Peshkopi-Q. Draje, Peshkopi-Ushtelence me gjatësi 52.7 kilometra. Procedura e dytë lidhet me mirëmbajtjen e rrugës Kuben-Vasie 35.4 kilometra edhe kjo nën përgjegjësinë e Drejtorisë së Rajonit Verior Shkodër. Më herët në nëntor ishte një tjetër procedurë e cila u ankimua dhe që lidhej me një aks të rëndësishëm në përgjegjësi të Drejtorisë së Rajonit Qendror Tiranë. Procedura në fjalë ishte mirëmbajtje me performancë K/Sauk-Senatorium-Ibe-Qafe Krrabë 116.25 kilometra që janë nën përgjegjësinë e Kontratës 3 dhe pjesë e projektit të mirëmbajtjes me Bankën Botërore. Çështja e mirëmbajtjes së rrugëve në vend ka qenë sensitive sidomos gjatë këtij viti e lidhur kjo me zyrtarizmin dhe nënshkrimin e kontratave të para që kanë marrë mbështetjen përmes një program me Bankën Botërore. Pavarësisht kësaj edhe numri i ankesave lidhur me mënyrën sesi janë zhvilluar procedurat e prokurimit për mirëmbajtjen kanë qenë veçanërisht të kundërshtuara. Në muajin gusht pranë KPP u paraqitën të paktën 10 ankimime për akse të ndryshme në vend për të cilat nga autoritetet kontraktore kërkohen mirëmbajtje rutinë dimërore dhe mbi bazë performance. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë rrjeti rrugor kombëtar përbëhet prej 3975 kilometra nga të cilat rreth 1330 km rrjet mirëmbahen nga programi i Bankës Botërore ndërsa rreth 2645 km rrugë mirëmbahen nga kontratat e Drejtorive Rajonale sipas rajoneve përkatëse të menaxhuara nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar./monitor