Deri më tani, në mbyllje të muajit prill, Ministria e Financave ka zhbllokuar rreth 160 milionë dollarë detyrime të prapambetura në sektorët e investimeve publike, rimbursimit të TVSH dhe atij energjetik. Në një njoftim për mediat, Ministria e Financave bën të ditur se “në lidhje me rimbursimin e TVSH, Ministria ka shpallur listën e subjekteve për detyrime që i takojnë periudhës deri më 31 dhjetor 2013, me vlerë rreth 85 milionë dollarë. “Pra, nëse për likuidimin e borxhit ndaj firmave private tek investimet publike Ministria është duke procesuar për vitet 2010-2011, te rimbursimi i TVSH ka avancuar duke mbyllur kështu 2013-n (pas rakordimit me drejtorinë e Tatimeve në lidhje me detyrimet që ka biznesi)”, thuhet në njoftim.
Më tej, Ministria sqaron se nëse llogarisim edhe detyrimet e paguara në dhjetor 2013, në total fatura e borxheve të vjetra të shlyera deri më tani arrin gati në 200 milionë dollarë. Për vitin 2014 është parashikuar në buxhet të shlyhen rreth 350 milionë dollarë fatura të prapambetura. Ministria e Financave u bën thirrje subjekteve private të njihen me listën e detyrimeve të hedhura në thesar dhe të proçedojnë me pagesën në institucionet përkatëse.
Ministria e Financave, Drejtoria e Pagesave ka publikuar së fundmi në ueb (Programi / Shlyerja e Detyrimeve të Prapambetura) dy tabela: “Shlyerjet e detyrimeve të prapambetura për rimbursimin e TVSH-së deri më dt. 24.04.2014” si dhe “Shlyerjet e detyrimeve të prapambetura për investimet publike deri më dt .24.04.2014”.
Tabelat paraqesin të listuara kompanitë me detyrimet në fushën e investimeve dhe të rimbursimit të TVSH, të cilave u janë çelur fondet në thesar nga Ministria e Financave.
Publikimi i tabelave me kompanitë, datën e faturës, datën e krijimit të pagesës, institucioni me të cilën ka lidhur kontratë, shumat, etj, që nga dita e parë e nisjes së procesit bëhet në kuadër të transparencës së plotë, për t’i njohur me ecurinë e pagesës. Me këtë rast, Ministria e Financave i fton kompanitë të njihen me statusin e tyre dhe të vijojnë me procedimin e faturave për detyrimet e prapambetura.


















