MF: Të ardhurat e 3-mujorit të I, 40% më tepër se 2014

654
Ministria e Financave, nisur nga disa deklarime të bëra nga shoqata të ndryshme lidhur me “shqetësimin për rënien e ndjeshme të të ardhurave nga tatim fitimi” dhe paralajmërimin për “rrezikun e dështimit të plotë edhe të recetave të FMN-së, të parashikuara në marrëveshjen e kredisë të vitit 2014 me qeverinë shqiptare” sqaron se e ardhura nga taksa e “Tatim Fitimit” për tremujorin e parë Janar – Mars 2015 është 8.896.707 mijë lekë, që do të thotë 24.92 % më shumë se plani dhe 40.19 % më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2014.
Të dhënat paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve flasin për rritje të arkëtimit të këtij tatimi, i cili ka qenë në vlera negative vetëm për muajin janar 2015 dhe ka shënuar shifra pozitive për muajt shkurt e mars 2015, në raport me planin dhe faktin.
Vetëm për muajin Mars 2015, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shënuar si të hyra fiskale për këtë tatim 67.09% më shumë se sa treguesi i shënuar në marsin e vitit 2014.
Pra, në tremujorin e vitit 2014 janë arkëtuar 6.35 miliardë lekë, ndërsa në periudhën respektive të vitit 2015 janë arkëtuar 8.9 miliardë lekë. Plani i mbledhjes së të ardhurave për këtë periudhë ka qenë 7.122 miliardë lekë.
Ministria e Financave bën me dije se rezultatet progresive në mbledhjen e të hyrave fiskale tregojnë se janë pjesë e drejtpërdrejt e politikës së miradministrimit të taksave dhe tatimeve, e rritjes së efikasitetit të punës së enteve shtetërore që menaxhojnë të hyrat fiskale, si dhe e klimës përherë e më të mirë të krijuar për sipërmarrjen vendase dhe të huaj, në mbështetje edhe të luftës kundër informalitetit, evazionit dhe shmangies tatimore.
Ministria e Financave dhe institucionet në varësi të saj janë duke koordinuar përpjekjet e përbashkëta për të zbatuar strategjinë e re të luftës kundër informalitetit, efektet e së cilës janë duke u shfaqur tani në shifra konkrete të realizimit të të ardhurave dhe detyrimeve të tjera të përcaktuara me ligj.
Ministria e Financave do të vijojë të kontribuojë në respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara me institucionet financiare ndërkombëtare, përfshirë FMN dhe BB, si pjesë e politikave të saj për mbështetjen e ekonomisë dhe të biznesit dhe e ritmeve më të shpejta të zhvillimit ekonomik të vendit. 
Sigal