Mblidhet Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, miratohet programi i punës për 2016

642
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zhvilloi mbledhjen e tij të parë për vitin 2016. Në këtë mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës miratoi programin e punës për vitin në vijim. Në një njoftim për mediat, bëhet e ditur se në 2015 synim i BSH-së synohej rikthimi i besimit tek publiku.
“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, pasi mori në analizë veprimtarinë e tij gjatë vitit 2015, miratoi programin e punës për vitin 2016.
Veprimtaria e Këshillit për vitin 2015, përveç vendimmarrjes në fushën e politikës monetare dhe atë të mbikëqyrjes bankare, ka synuar rikthimin e plotë të besimit të publikut ndaj institucionit. Një sërë vendimesh të natyrës institucionale kanë pasur për qëllim forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe transparencës së institucionit.”, citohet në njoftimin e BSH-së.
Më konkretisht:
(i)fillimi i detyrës nga ana e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë;
(ii)emërimi i Zëvendësguvernatorit të Dytë të Bankës së Shqipërisë pas një periudhe mungese disavjeçare;
(iii) plotësimi i Këshillit me një anëtar të ri, duke çuar në plotësimin e përbërjes së këtij organi;
(iv) fillimi i veprimtarisë së Komitetit të Auditit, në zbatim të rekomandimeve të vazhdueshme të FMN-së dhe në përputhje me standardet më të mira të llogaridhënies së bankave qendrore;
(v) rifillimi i raportimit në Këshill për veprimtarinë e auditit nga ana e Inspektorit të Përgjithshëm;
(vi) miratimi i Strategjisë Afatmesme dhe Buxhetit Afatmesëm për periudhën 2016-2018; dhe
(vii) miratimi i strukturës së re organizative të Bankës së Shqipërisë, së bashku me ngritjen dhe
vënien në funksionim të Muzeut të BSH-së, përbëjnë disa nga vendimet e rëndësishme në këtë drejtim.
“Ndërkohë në programin e punës për vitin 2016, në përputhje me mandatin ligjor të Bankës së Shqipërisë, në vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës vend të veçantë do të zërë politika monetare dhe përsosja e saj, rritja e kapaciteteve të mbikëqyrjes bankare si dhe forcimi i stabilitetit financiar të sistemit bankar. Një vend i rëndësishëm i është kushtuar edhe përsosjes së mëtejshme institucionale të Bankës së Shqipërisë. Në vijim të miratimit të strukturës së re organizative si dhe mbështetur në dokumentin e strategjisë trevjeçare të zhvillimit të Bankës së Shqipërisë, në vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë do të materializohen në vazhdimësi përmirësime aktesh ligjore dhe nënligjore që rregullojnë: aktivitetin ditor të departamenteve të Bankës, mobilizimin dhe motivimin e burimeve njerëzore, si dhe përdorimin e fondeve për financimin e veprimtarisë.
Qëllim mbetet përsosja e administrimit të veprimtarisë së institucionit, kryesisht nëpërmjet forcimit të pandërprerë të kontrollit të brendshëm dhe administrimit më të mirë të rrezikut të veprimtarisë.”, thuhet në njoftim. Miratimin e rregullores së re “Mbi organizimin dhe funksionimin e Departamentit të Emisionit”.
Në përputhje me strukturën e re organizative të Bankës së Shqipërisë të miratuar në fund të vitit 2015, Këshilli Mbikëqyrës filloi procesin e miratimit të rregulloreve përkatëse të veprimtarisë së çdo departamenti. Nëpërmjet këtij procesi synohet forcimi i kuadrit normativ për administrimin e aktivitetit dhe minimizimin e rreziqeve operacionale që burojnë nga veprimtaritë e përditshme të çdo departamenti të Bankës. Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.
Sigal