Loja me tenderin e paracaktuar 7 mln euro për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore

261
Sigal

Ministrja e Shëndetësisë hesht para tenderave abuzivë

Ja si aparaturat mjekësore jepen në një dorë të vetme, duke manipuluar procedurat e tenderave në mbledhje sekrete

Burime nga grupi i punës raportojnë se kanë vënë re gjithashtu që në “sugjerimet” e Jotit kuptohet se ai synon shmangien e përdorimit në dokumenta zyrtare të termit “pjesë këmbimi të reja”, një manovër që ngre dyshime mbi specialistët që po hartojnë kriteret e tenderit 7 milionë euro.

Pasi Partia Socialiste siguroi mandatin e tretë në mënyrë tejet të diskutueshme, një prej zyrtarëve të saj më të rëndësishëm, drejtori i Qendrës Spitalore Universitare Tiranë (QSUT), Enkelejd Joti, po i rikthehet projektit kontravers, për të përqëndruar tenderin gjigand të mirëmbajtjes së aparaturave mjekësore në një dorë të vetme, drejt një fituesi të paracaktuar. Më herët me miratimin e heshtur të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, synoi dy herë që të zhvillonte tenderin, nëpërmjet të cilit të dorëzonte rreth 7 milionë euro për 4 vitet e ardhshme në duart e një kompanie të vetme, e cila dyshohet se e preferuar ishte austriakja ‘V…D”. Tashmë, që ‘Rilindja’ siguroi mandatin e radhës 4-vjeçar, edhe Enkelejd Joti i rikthehet projektit të dyshimtë. Nëpërmjet këtij projekti, ndërhyhet dhunshëm në dëm të një numri të madh kompanish vendase, të cilat janë distributorë autorizuar të markave më të njohura botërore të të pajisjeve mjekësore, prodhimet e të cilave janë në funksion në QSUT dhe janë mirëmbajtur në mënyrën më korrekte të mundshme prej tyre, për rreth 20 vjet.

Projekti i dyshimtë

Projekti i Jotit, synon dorëzimin e procesit të mirëmbajtjes së pajisjeve në duart e një kompanie, e cila nuk është distributor nga prodhuesit ndërkombëtarë. Kjo konfirmohet nga një fakt tejet i thjeshtë- asnjë kompani në botë nuk ka të drejta distribucioni të të gjitha prodhuesve të tjerë, të marrë së bashku. Në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë janë në funksion pajisje të kompanive si ‘Siemens”, “Fujitsu”, “Philips”, “Toshiba”, “General Elektric”, e të tjera marka ndërkombëtarë. Mirëmbajtja e tyre, siç parashikojnë manualet ndërkombëtare, të adaptuara edhe në Shqipëri, mund të realizohet vetëm nga prodhuesit ose kompani distributore të autorizuar, të cilat pajisen me pjesë origjinale. Çdokush tjetër nuk mund të sigurojë pajisje origjinale, aq më tepër që të jetë distributor i autorizuar nga të gjithë prodhuesit ndërkombëtarë.

“Loja” me termat

Burime nga brenda këtij grupi tregojnë se drejtori Joti i thërret në mbledhje çdo 2-3 ditë, duke u përcjellë rekomandimet dhe “porositë” e tij për hartimin e dokumentave të procedurës.

Në një prej këtyre mbledhjeve, siç dëshmojnë burimet, z. Joti, u ka sugjeruar që të përgatisin dokumenta për tender me “pjesëmarrje të gjerë”, siç e përkufizoi ai dhe të shmangin ato që drejtori i konsideron si “situata monopol, referuar rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

“Monopoli” “ekskluziviteti” dhe “distributor i autorizuar” janë koncepte tejet të ndryshme dhe diferenca mes tyre kuptohet qartë nga hartuesit e dokumentave për tenderin 7 milionë dollarë.

Për më tepër, ky “sugjerim” aktual i Jotit është tërësisht në kundërshtim me atë që vetë QSUT ka parashikuar në kriteret e të njëjtit tender, të anuluar më parë.

Burime nga grupi i punës raportojnë se kanë vënë re gjithashtu që në “sugjerimet” e Jotit kuptohet se ai synon shmangien e përdorimit në dokumenta zyrtare të termit “pjesë këmbimi të reja”, një manovër që ngre dyshime mbi specialistët që po hartojnë kriteret e tenderin 7 milionë euro./ ‘BoldNews’

BOX

Specialistët e fushës kanë një thirrje për drejtorin e QSUT-së:

“Në Shëndetësi, në të gjithë aparaturat, sado të vjetra të jenë ato, përdoret një koeficient në mirëmbajtjen e tyre prej 8 përqind në vit dhe 7 përqind për dy vitet e para.

Duke hequr tenderin e mirëmbajtjes së aparaturave të rënda, të përfshira në një tjetër tender, i cili sapo është mbyllur, aparaturat e vogla që ti po u bën mirëmbajtjen, duke llogaritur me 8 përqind, nuk i bie që të jenë më tepër se 500 mijë euro në vit.

“Si ka mundësi që, për disa aparatura kalkulohet 17 përqind dhe për disa të tjera 8 përqind? Gjurmët janë të thella dhe të freskëta e kush merret me këtë punë, di t’i lexojë siç duhet”, është një mesazh që vjen nga ekspertët e fushës për titullarin e qendrës më të madhe shëndetësore në Shqipëri.