Linja interkonjeksionit Shqipëri-Itali MEI marrëveshje me Max Streicher

793
Sigal

MYNIH – Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe drejtuesit e kompanisë gjermane Max Streicher firmosën sot në Mynih të Gjermanisë një Marrëveshje Bashkëpunimi për krijimin e një konsorciumi që do të zhvillojë ndërtimin e Linjës së Interkonjeksionit të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Italisë.

Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Energjitikës, sipas së cilës në bazë të marrëveshjes kompania  bavareze që operon në fushën e energjisë, do të jetë lideri kryesor i këtij konsorciumi, ndërsa investimi i kësaj linje interkonjeksioni mund të kapë një vlerë mbi 200 milionë euro.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mori pjesë dhe Sekretari i Shtetit për Ekonominë dhe Energjinë për landin e Bavarisë, Franz Jozef Pschiere, i cili shprehu interesin e veçante të Qeverisë së Bavarisë për mbështetjen e këtij projekti.

Në bisedën e zhvilluar mes ministrit Gjiknuri dhe Pschiere u diskutua për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë dhe energjisë midis Bavarisë e Shqipërisë dhe potencialit që ofron Shqipëria në këtë sektor.

Sipas Ministrisë, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, kompania Max Streicher do të kryejë studimin e fizibilitetit dhe do të bëjë të mundur financimin e linjës, me investitorë të tjerë që do ti bashkohen këtij projekti ndërkufitar me një rëndësi të veçantë për korridorin e energjisë në Evropën Juglindore.

Po ashtu theksohet se realizimi i këtij projekti hap mundësi të mëdha për investime të mëtejshme në sektorin e energjisë në Shqipëri, sidomos në sektorin e prodhimit të energjisë së rinovoueshme.

Kompania Max Streicher është një nga liderët gjermanë në ndërtimin e infrastrukturës energjetike. Ky projekt shihet me shumë interes nga Bashkimi Evropian pasi i shërben sigurisë energjetike, dhe integron rajonin e Evropës Juglindore në tregun evropian të energjisë.