Largimet nga administrata u rritën me 23.5 % gjatë 2018-s

819
Sigal

568 punonjës u liruan gjatë vitit të kaluar, arsyet kryesore: masat disiplinore dhe dorëheqjet

Largimet nga administrata u rritën me 23.5 % në 2018

Në vitin 2018 nga administrata publike u liruan 568 punonjës ku arsyet kryesore ishin dorëheqjet dhe masat disiplinore. Sipas shifrave zyrtare të Departamentit të Administratës Publike, të referuara nga Monitor, gjatë vitit të shkuar u larguan, pas kërkesës për dorëheqje, 229 nëpunës civilë. Për shkak të mbushjes së moshës së daljes në pension nga shërbimi civil janë larguar 112 punonjës që i korrespondon 40 për qind të largimeve. Për shkak të problematikave që mund të jenë konstatuar në përmbushjen e detyrës janë larguar apo shkaktuar 38 punonjës ndërkohë që largimet për arsye të tjera zenë një total prej 31 për qind. “Nga analiza e të dhënave në lidhje me lirimet vihet re se gjatë vitit 2018 numri total i lirimeve në krahasim me vitin 2017, është rritur me 23.5%. Gjithashtu, vihet re se për vitin 2018, në krahasim me vitin 2017: janë rritur me 19.9% rastet e lirimeve me dorëheqje, rritur me 3.7% rastet e lirimeve për arsye të plotësimit të moshës së pensionit, rritur me 15.2% rastet e lirimeve për shkak të masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil” dhe rritur me 52.1% rastet e lirimeve për arsye të tjera” thuhet në raportin vjetor të DAP për vitin e shkuar.

266 masat disiplinore për nëpunësit civilë

Në vitin 2018 janë dhënë gjithsej 266 masa disiplinore për nëpunësit civilë të administratës shtetërore. Pjesën më të madhe të këtyre masave e zënë vërejtjet me 98 raste, ndërsa të dytat janë pezullimet nga e drejta e ngritjes në detyrë deri në dy vjet, përfshirë rritjen në shkallën e pagës ku janë regjistruar 96 raste. Në të paktën 34 raste, nëpunësve u është mbajtur 1/3 e pagës për një periudhë 6 mujore, kurse masa më ekstreme e largimeve është dhënë në 38 raste. “Nga analiza e të dhënave në lidhje me masat disiplinore, vihet re se gjatë vitit 2018 numri total i tyre në krahasim me vitin 2017, është rritur me 150.9%. Gjithashtu konstatojmë se për vitin 2018 në krahasim me vitin 2017: janë rritur me 15.2% rastet e masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil”, rritur me 112,5% rastet e masës disiplinore ‘Mbajtje deri në 1/3 e pagës për një periudhë deri në 6 muaj’, rritur me 159.5% rastet e masës disiplinore ‘Pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë deri në dy vjet përfshirë rritjen në shkallën e pagës’, rritur më 390% rastet e masës disiplinore Vërejtje”- raportoi DAP.