Kuçedrat e plehrave/ Ekspertët e KiE paralajmëruan qeverinë se inceneratorët do të kushtonin 4 hërë më pak, nëse do bëhej ndarja në burim e mbetjeve

152
Sigal

 Sipas KiE kostoja do të ishte 101 mln euro dhe jo 400 mln euro.

 Si e zhduku qeveria strategjinë që do i kushtonte më pak taksapaguesve  për t’i hapur rrugë incenerimit për Tiranën, Elbasanin dhe Fierin, me një kosto totale prej mbi 400 milionë eurosh të shtrirë deri në 30 vjet.

 

Incenerimi konsiderohet një proces me ndikim të madh negativ në mjedis dhe te burimet natyrore, por është 4-fish më i shtrenjtë se ndarja në burim, e llogaritur me kosto vjetore 101 milionë euro për Shqipërinë nga ekspertët e Komisionit Europian.

Nga Dorina Azo

Mungesa e zbatimit të një modeli të duhur për trajtimin e mbetjeve në Shqipëri e ka kthyer këtë çështje më shumë në telash se sa në një mekanizëm për ta transformuar në burim me përfitim ekonomik, siç ndodh në shtetet e zhvilluara.

Në vitin 2014, para rishikimit të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” në emër të qeverisë, ekspertë të GIZ dhe shqiptarë hartuan studimin për menaxhimin e mbetjeve me burim. Projekti nisi në kohën kur kompania “ALBTEK ENERGY sh.p.k.” propozoi studim fizibiliteti për ndërtimin dhe operimin e një “Impianti të përpunimit të mbetjeve urbane në qytetin e Elbasanit”.

Ai mbështetej në skemën e Partneritetit Publik-Privat (PPP). Për këtë arsye, ekspertët dolën me dy variante, i pari për modelin për grumbullim me diferencim në burim dhe përpunimin në landfill dhe i dyti, për djegien e mbetjeve me inceneratorë. Institucionet shtetërore kishin një strategji të hartuar nga Komisioni i Komunitetit Europian për “Zbatimin e Planit për Përafrimin e Legjislacionit Mjedisor në Shqipëri”, i hartuar në gusht të 2010-s, në emër të qeverisë së mëparshme.

Strategjia përcaktonte si hierarki zbatimin me komponentë, që nisnin nga parandalimi i mbeturinave, përgatitja për ripërdorim, riciklimi, përpunimi dhe groposja. Në gjetjet e studimit theksohej se në praktikë, strategjia kërkon nivel të lartë organizimi, sidomos për ndarjen në burim të mbetjeve. Kostoja totale vjetore llogaritej 101 mln euro, apo 31,6 euro për person.

Kostoja financiare për këtë model ishte 4 herë më e ulët se ajo e incenerimit. Ky studim nuk u mor parasysh dhe qeveria zgjodhi variantin e inceneratorëve përmes projekteve të partneritetit publik privat për Tiranën, Elbasanin dhe Fierin, me një kosto totale prej mbi 400 milionë eurosh të shtrirë deri në 30 vjet.

Fillimi i hetimit për dy inceneratorët, atë të Elbasanit që punoi vetëm një vit dhe Fierit që ka përfunduar, por nuk është vënë asnjëherë në punë, vuri më tepër në dukje për shoqërinë se me inceneratorët, jo vetëm që nuk është përmirësuar situata mjedisore e plehrave në vend, por edhe kostot e buxhetit janë të larta.

Për inceneratorin e Tiranës, ende nuk janë ndërprerë pagesat, edhe pse ndërtimi i tij nuk ka përfunduar. Menaxhimi i mbeturinave është shqetësim i përditshëm i shoqërisë shqiptare. Për këtë arsye, ekspertët theksojnë se institucionet shtetërore duhet të nisin shqyrtimin e modeleve që përmirësojnë metodat për menaxhimin e mbetjeve.

Ekspertët shtojnë se tarifa e incenerimit prej 29 euro për ton po paguhet për një proces që nuk kryhet. “Inceneratorët nuk djegin mbetje, sepse nuk ka lëndë të parë që ato të funksionojnë. Kapaciteti djegës është më i madh se mbetjet që gjenerohen në vend”

Opsioni 1 për menaxhimin e mbetjeve

Një model i rekomanduar nga përfaqësuesi i Shoqatës së Konvertuesve të Plastikës, Vullnet Haka, është që mbetjet të mblidhen të ndara në dy rryma, ato të mbetjeve organike dhe inorganike, të transportohen e trajtohen të ndara. Skema parashikon që për mbetjet organike, pasi të depozitohen dhe të dekompozohen, përfitohet gazi djegës dhe pjesa e mbetur kthehen në pleh për bujqësinë.

Ndërsa mbetjet e ngurta (plastikë, letër, tekstile, dru, metale, qelq e të tjera) pasi ndahen sipas derivateve të llojit të tyre, do të përdoren nga industritë ricikluese. Në këtë proces do të rezultojnë edhe një sasi e vogël mbetjesh në raport me të gjithë sasinë që do të ripërdoret apo riciklohet, që nuk do të kenë vlerë për këto procese dhe do të duhet të asgjësohen.

Djegia e mbetjeve nga inceneratorët është asgjësim me qëllim të drejtpërdrejtë, kurse djegia e mbetjeve që nuk ripërdoren është sërish proces ripërdorimi, pra ripërdoren mbetjet e paripërdorshme, duke zëvendësuar lëndët fosile. “Me këtë proces, kostot janë shumë më të ulëta, përfitimi është më i madh”, -thekson z. Haka.

Bazuar në legjislacionin mjedisor të Shqipërisë dhe eksperiencës së Shoqatës së Konvertuesve të Plastikës, e cila ka ndërtuar një rrjet në të gjithë Shqipërinë për mbledhjen e mbetjeve plastike që më pas riciklohen dhe kthehen në produkte të gatshme, Vullnet Haka shpjegon se pse duhet ndarja në burim.

“Modeli që ne si riciklues kemi replikuar zyrtarisht dhe publikisht se si do të duhej të menaxhoheshin mbetjet në vendin tonë është ai i ndarjes në burim, që nuk është bërë për gati 30 vjet. Mungon përvoja, burimet financiare dhe sfida është aq e madhe sa e konsiderojmë të pamundur të adresohet nga pushteti lokal i bashkive më vete, pa një mbështetje nga qeveria qendrore”.

Sipas tij, është e domosdoshme që për funksionimin e MIM në vendin tonë të mos përzihet politika, por t’i lihet në dorë tregut të lirë për ta zgjidhur natyrshëm këtë sfidë shumëdimensionale.

Jamarbër Malltezi, nga Departamenti i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore në Universitetin Bujqësor të Tiranës, thekson se ky model u hartua me ndihmën e delegacionit të BE-së në 2009-2011, që sollën ekspertë të huaj dhe hartuan Strategjinë Kombëtare, por edhe Planin Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve.

“Qeveria shqiptare e kohës vendosi të pranonte, pa asnjë hezitim, draftin e hartuar nga ekspertët e BE-së, duke nxjerrë VKM nr.175, datë 19.1.2011 për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Menaxhimit të Mbetjeve dhe të Planit Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve. Të njëjtët ekspertë hartuan edhe ligjin “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”.

Theksi ishte te fuqizimi i reduktim-ripërdorim-riciklimit dhe më pak të dëshiruara ishin mënyrat e tjera përfshi incenerimin dhe landfillet. Në ato vite u krijuan dhjetëra kompani riciklimi, ndonëse në kushte jo të përshtatshme, pasi pranonin materialin e parë nga grumbulluesit që e merrnin ose nga kazanët e plehrave, ose duke punuar në kushte të papërshtatshme te vend-depozitimi i Sharrës.

Skema duhej të vepronte duke mbështetur ricikluesit për të krijuar infrastrukturën e riciklimit pranë vend-depozitimeve ekzistuese. Në qershor 2014 (6 muaj para se të jepte 22 mln euro për një propozim të pakërkuar për Elbasanin) qeveria miratoi një VKM të lavdërueshme, me të cilën detyronte gjithë bashkitë e vendit që të nisnin procesin e grumbullimit të diferencuar të mbetjeve. Por pastaj u bë sikur nuk ekzistonte kjo VKM”, pohon ai.

11,470 lekë për familje me 3 anëtarë nevojitet për menaxhimin e mbetjeve sipas skemës së hartuar nga ekspertët e BE-së në 2010-n. Në total llogaritet që shpenzimet vjetore për ndarjen e mbetjeve të jenë 101 mln euro, apo 4 herë më të ulëta se ato për incenerimin. Në total, kostot e paguara për ngritjen e 3 inceneratorëve llogariten 430 mln euro.

Opsioni II për menaxhimin e mbetjeve

Një tjetër model për menaxhimin e mbetjeve mund të jetë krijimi i zonave të ndarjes së mbetjeve në impiantet e trajtimit sipas Jamarbër Malltezi, nga Departamenti i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

“Duhet vendosur nëse do të bëjmë grumbullim të diferencuar në burim. Pra duhet investuar apo jo në kosha të veçantë në qytetet kryesore? Sa kushton ky model? Kjo gjë detyron që, edhe makinat të cilat mbledhin mbetjet të jenë të veçanta dhe jo të hidhen në të njëjtën makinë e të përzihen.

Kjo kërkon kosto. Modeli tjetër është që të bëhet ndarja në qendrat ndarëse në hyrje të impianteve të trajtimit. Të kemi ricikluesit si pjesë të skemës së zgjidhjes dhe jo një monopol që falimenton ricikluesit. Të ndahen jo vetëm mbetjet e riciklueshme, por edhe ato me fuqi kalorifike.

Mbetjet e rrezikshme të çohen veç në inceneratorë dhe të ndalet praktika e tenderave korruptivë për dërgimin e mbetjeve të rrezikshme në privatë, që nuk kanë fare autoklava dhe thjesht ndajnë paratë. Në disa qytete duhen ngritur qendrat e transferimit të mbetjeve, pasi nuk ka nevojë të kemi landfill për çdo qytet, por mjaftojnë landfille rajonale.

Nga qytetet e vogla, mbetjet mund të mbahen në qendrat e transferimit ku edhe ndahen mbetjet e riciklueshme, edhe ka kompaktor që i ngjesh dhe i mjafton një rrugë kamioni çdo dy ditë për në landfillin rajonal, duke kursyer kostot e transportit të përditshëm dhe shtimin e mbetjeve në landfille rajonale”.

Opsioni III për menaxhimin e mbetjeve

Për ekspertët e menaxhimit të mbetjeve urbane, incenerimi konsiderohet hallka e fundit e procesit. Shqetësimi është ngritur edhe nga audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit. KLSH, në raportin paraprak për inceneratorin e Tiranës, ngre disa problematika, që nga mungesat dhe paqartësitë në lidhje me propozimin paraprak të projektit, te mosllogaritja e saktë e kostove për Bashkinë e Tiranës deri te keqorientimi i politikave për reduktimin e mbetjeve.

Ndër të tjera në raport theksohet se trajtimi nuk është në linjë me objektivat kombëtarë dhe europianë, pasi është kaluar direkt tek incenerimi, kur duhet t’i kushtohej rëndësi ndarjes në burim dhe riciklimit. Incenerimi i mbetjeve, përveçse konsiderohet një proces shumë i dëmshëm për mjedisin, ka tarifa shumë të shtrenjta.

Vetëm sistemi filtrues i ajrit, i cili shërben për të eliminuar tymrat dhe gazrat që janë shumë të rrezikshme për shëndetin e njeriut, sipas gjetjeve të studimit të inxhinierit gjerman të mbetjeve Stefan Schatz dhe shqiptarit Lulzim Baumann, zënë 36% të kostos totale të koncensionit.

Si do të arrihet te ndarja në burim?

Për zbatimin e këtij modeli, përveç ndryshimit të legjislacionit aktual, që nga ligji për mjedisin, për menaxhimin e mbetjeve, për koncesionin dhe ligjet fiskale për mbështetjen e kompanive, sipas përfaqësuesit të Shoqatës së Konvertuesve të Plastikës duhet të funksionojë edhe Agjencia e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve (MIM), me afat 15-vjeçar, në varësi të Këshillit të Ministrave.

Ndërsa kompanitë të përzgjidhen nëpërmjet garave me kontrata me afat 15 deri në 20 vjet. Vullnet Haka, përfaqësues nga ricikluesit, vlerëson se procesi në tërësi duhet mbrojtur me ligj dhe nisma fiskale, si dhe duhet vlerësuar edhe ndikimi ekonomiko-social i tij.

“Propozojmë që ky proces do të duhet të nisë me rishikimin e të gjithë kuadrit ligjor mjedisor (ligji për mjedisin, ligji për menaxhimin e mbetjeve, ligji për koncesionet në pjesën që lidhet me aktivitetin ekonomik të menaxhimit të mbetjeve, zbatimin e direktivave europiane që kanë të bëjnë me menaxhimin e integruar të mbetjeve (MIM), si “Circular Economy”; “Përgjegjësia e Zgjeruar e Prodhuesit” do të duhet të rishikohet përsëri në frymën e ligjeve të sipërcituara të ndryshuar në “Strategjia Kombëtare për MIM”, si dhe “Plani Kombëtar për MIM, rikthimin e piramidës së hierarkisë së trajtimit të mbetjeve në kushte reale sipas direktivave të BE-së.)

Gjykojmë që për një problem kaq të rëndësishëm për vendin do të duhet të ngrihet një “Agjenci për MIM në nivel Kombëtar”, e cila do të duhet të funksionojë të paktën për një periudhë rreth 15-vjeçare, e varur direkt nga Këshilli i Ministrave. Kjo agjenci do të duhet të marrë një mori kompetencash që janë shpërndarë aktualisht nëpër ministri, apo institucione të ndryshme, përfshi këtu edhe një pjesë të atyre të pushtetit lokal.

Agjencia do të operojë në dy nivele, si në hartimin e politikave dhe në atë operacional. Gjatë periudhës që realizohen ndryshimet ligjore, ngrihet agjencia, trajnohen specialistët që do të punojnë në qendër dhe në të gjithë territorin e vendit, duhet të nisë paralelisht një plan në nivel kombëtar për ndërgjegjësimin e publikut se përse duhet të realizojmë ndarjen e mbetjeve në familje në dy burime (në organike dhe inorganike) dhe të depozitohen në kosha të ndarë.

Gjatë kësaj periudhe do të duhet të jenë kryer studimet e fizibilitetit nga Agjencia për çdo bashki apo grup bashkish, për të realizuar investime për MIM. Mbi bazë të këtyre studimeve të fizibilitetit do të përzgjidhen me garë kompani që janë strukturuar për të realizuar aktivitetin e MIM apo vetë bashkitë do të krijojnë kompani të tilla.

Këto kompani do të kenë kontrata minimalisht 15-20-vjeçare. Kontratat për këto kompani do të jenë ekskluzive, në kuptimin e të drejtave (këtyre kompanive ju duhet garantuar siguria juridike mbasi do të kalojnë 4-5 kryebashkiakë e këshilla bashkiakë), si dhe do të duhet të kenë një monitorim të shtuar, për të siguruar transparencën e nevojshme për këtë veprimtari kaq delikate dhe të rëndësishme për të mirën publike”.

Haka shton ndër të tjera se, pasi të jenë realizuar të gjithë etapat më lart që mund të zgjasin për një periudhë rreth 2-3-vjeçare, është momenti që kompanitë e specializuara dhe të strukturuara për MIM të kenë kryer investimet në infrastrukturë që të fillojnë të operojnë në përditshmëri. “Rezultatet e para të prekshme do të duken që në vitin e parë, por njëfarë konsolidimi do të vihet re në vitin e tretë të kësaj veprimtarie.

Për të shmangur problematika të ekonomisë së shkallës për bashki të vogla apo me dendësi të ulët të popullsisë, do të duhet që një grup bashkish të tenderojnë së bashku nevojën e aktivitetit të MIM. Për sa u përket mbetjeve që gjenerohen nga biznesi, Shoqata e Konvertuesve të Plastikës rekomandon se do të duhet të trajtohen në veçanti nga ato të publikut (mbetjet bashkiake).

“Përgjithësisht këto mbetje do të duhet të trajtohen bazuar në skemën e “Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit” që kanë skemën e tyre, që është paralele me atë që shpjeguam më lart (në jo pak raste ato mund të bashkëveprojnë, bashkëpunojnë me njëri-tjetrin)”, pohon ai.

Kostoja për ndarjen e mbetjeve, 4 herë më pak se incenerimi

11,470 lekë për familje me 3 anëtarë (duke përdorur normën aktuale të këmbimit valutor) nevojitet për menaxhimin e mbetjeve sipas skemës së hartuar nga ekspertët e BE-së në 2010-n. Në total llogaritet që shpenzimet vjetore për ndarjen e mbetjeve të jenë 101 mln euro, apo 4 herë më të ulëta se ato për incenerimin. Në total, kostot e paguara për ngritjen e 3 inceneratorëve llogariten 430 mln euro.

Në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT, totali i mbetjeve të gjeneruara është me ulje në vitin 2020 në raport me 2019. Rënie kanë shënuar edhe mbetjet që menaxhon, ndërsa mbetjet e pamenaxhuara janë rritur.

Konkretisht totali i mbetjeve të gjeneruara nga popullata ka shënuar rënie të lehtë 2% në 2020 e krahasuar me vitin 2019. Mbetjet e menaxhuara janë ulur 4% dhe ato të pamenaxhuara janë rritur 9%. Totali i mbetjeve të menaxhuara për banor në 2020 është ulur 3% në raport me 2019-n.

Biznesmeni i riciklimit të plastikës Iljaz Mehmeti, në një studim të tij, llogarit se në situatën kur në Shqipëri niveli i menaxhimit të mbetjeve është i ulët, minimalisht mund të riciklohet 7% (ose 70 kg) e sasisë, duke i dhënë një vlerë të shtuar minimale prej 700 euro/ton nëpërmjet kthimit të saj në lëndë të parë dytësore, e thënë ndryshe, duke rritur PBB me 0,07 ton x 700 euro/ton = 50 euro.

“Nga procesi i riciklimit, përfitimi financiar është 50 euro për çdo ton mbetje të prodhuar në vend, kundrejt 85 euro për ton të shpenzuar për incenerim”, pohon ai. Tarifa 85 euro për ton e incerimit është bazuar te tarifa mesatare e vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa tarifa prej 29 euro që llogaritet për inceneratorët në Shqipëri, sipas Mehmetit, nuk arrin të mbulojë as koston e transportit dhe më pas të ndarjes dhe djegies së tyre.

Në realitetin e ri të rritjes së çmimeve të lëndëve të para të prodhuara nga riciklimi nga 700 euro në 1,500 euro për ton dhe ndërsa kostot buxhetore për incenerim janë shtuar, përfitimi nga riciklimi i mbetjeve është 100 euro/ton. “Përfitimi financiar nga riciklimi i mbetjeve është rritur, ndërsa kostot e procesit nuk janë shtrenjtuar, pasi bazohet në punë të papaguar”.

Ekspertët shtojnë se tarifa e incenerimit prej 29 euro për ton po paguhet për një proces që nuk kryhet. “Inceneratorët nuk djegin mbetje, sepse nuk ka lëndë të parë që ato të funksionojnë. Kapaciteti djegës është më i madh se mbetjet që gjenerohen në vend”, thekson z. Mehmeti nga Shoqata e Ricikluesve.

Si do të veprohet me mbetjet e rrezikshme

Në gjetjet e studimit për menaxhimin e mbetjeve nga ekspertë të BE-së llogaritej se mbetjet industriale të rrezikshme në Shqipëri (përjashtuar mbetjet spitalore dhe elementet e rrezikshme të mbetjeve shtëpiake) zinin 3-4% të mbetjeve, në nivele të krahasueshme me ato të vendeve mesdhetare. Studimi përfshinte përgatitjen e groposjes së tyre në vend të përshtatshëm.

Kjo problematikë në Shqipëri nuk ka marrë ende zgjidhje. Anëtari i Shoqatës së Ricikluesve, Vullnet Haka, rekomandon se mbetjet e rrezikshme duhet të trajtohen nga një operator i specializuar që mungon në Shqipëri. “Tek ne nuk flitet për mbetjet e rrezikshme të popullatës, ku është krijuar ideja që nuk ekzistojnë. Por në të vërtetë, këto mbetje duhet të trajtohen nga një kompani e specializuar, që deri tani nuk ekziston në vend”.

 

Modeli i një qyteti

Për arritjen e ndarjes në burim të 50% të mbetjeve për një periudhë 4-vjeçare në studimin për qytetin e Durrësit, përfaqësuesi i Shoqatës së Ricikluesve, Iljaz Mehmeti, thekson nevojën e zbatimit të një plani operacional masash dhe investimesh. Së pari, nevojitet nënshkrimi i një “Pakti qytetarie për mbetjet”, me sipërmarrës të sektorit turistik dhe shkollat.