Kuçedrat e naftës/ Financat zbardhin udhëzimin, ja taksimi i ri për nënkontraktorët e hidrokarbureve me 50% normë fitimi

311
Sigal

 

Nënkontraktorët, që kryejnë operacione hidrokarbure do të paguajnë tatim fitim me normë 50%, nëse niveli i kontributit të faturimit të bërë për këto operacione, në totalin e shpenzimeve për operacionet hidrokarbure të personit të autorizuar është jo më i vogël se 25% e këtyre shpenzimeve.

Shpenzimet për operacionet johidrokarbure do të tatohen 15%. Në Fletoren Zyrtare është botuar udhëzimi ku përcakton ndryshimin e regjimit fiskal për nënkontraktorët e naftës. Udhëzimi përcakton edhe llogaritjen për fitimin e tatueshëm për një operacion të veçantë hidrokarbur për një periudhë tatimore, duke zbritur nga të ardhurat shpenzimet e zbritshme dhe humbjet e lejuara, por me kusht mos kalojë të 85% të të ardhurave të operacionit për periudhën. Ligji “Për regjimin fiskal të sektorit të hidrokarbureve” u miratua në qershor të 2020. Ndryshimi i taksimit për sektorin nisën hartimin në 2018, me asistencën e një grupi teknik nga departamenti i çështjeve fiskale në FMN.

Për llogaritjen e tatim mbi fitimin të nënkontraktorëve udhëzimi thekson se nëse niveli i kontributit të faturimit të bërë për këto operacione, në totalin e shpenzimeve për operacionet hidrokarbure të personit të autorizuar është jo më i vogël se 25% e këtyre shpenzimeve, atëherë nënkontraktori i nënshtrohet regjimit fiskal për sektorin hidrokarbur, pra paguan tatim mbi fitimin me normë 50%. Për këtë, nga kontraktori kërkohet që për çdo vit ushtrimor, krahas deklaratës vjetore të tatimfitimit dhe pasqyrave financiare brenda datës 31 mars, të depozitojë pranë organit tatimor një informacion ku të evidentohet vlera e blerjeve vjetore për secilin nënkontraktor, përqindja që ato zënë lidhur me totalin e shpenzimeve për operacionet hidrokarbure të vitit ushtrimor. Ky informacion, njëkohësisht duhet t’i dërgohet edhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, e cila nga të dhënat që disponon sipas tremujorëve, e verifikon paraprakisht atë për përputhshmërinë dhe ja përcjell zyrtarisht organit tatimor. Në këtë rast, llogaritja e shpenzimeve për operacionet hidrokarbure, nga nënkontraktori për kontraktorin, bëhet mbi bazën e vlerës totale në lekë të faturave të lëshuara nga nënkontraktori pa TVSH, në mënyrë akumulative për të gjithë periudhën që nga data e fillimit të marrëveshjes ndërmjet kontraktorit dhe nënkontraktorit.

Shembull. Nëse kontrata ndërmjet kontraktorit dhe nënkontraktorit zgjat 3 vjet dhe është lidhur në vitin “1” atëherë. Për vitin “1” llogaritja e nivelit të shpenzimeve mbi apo nën kufirin 25% do të bëhet duke krahasuar: – Faturimet në lidhje me operacionet hidrokarbure të nënkontraktorit për kontraktorin në vitin 1, me – Shpenzimet e operacioneve hidrokarbure të kontraktorit në vitin 1. Për vitin “2” llogaritja e nivelit të shpenzimeve mbi apo nën kufirin 25% do të bëhet duke krahasuar: – Faturimet në lidhje me operacionet hidrokarbure të nënkontraktorit për kontraktorin në vitet 1+2, me – Shpenzimet e operacioneve hidrokarbure të kontraktorit në vitet 1+2. Për vitin “3” llogaritja e nivelit të shpenzimeve mbi apo nën kufirin 25% do të bëhet duke krahasuar: – Faturimet në lidhje me operacionet hidrokarbure të nënkontraktorit për kontraktorin në vitet 1+2+3, me – Shpenzimet e operacioneve hidrokarbure të kontraktorit në vitet 1+2+3.

Fitimet e tatueshme dhe humbjet e lejuara

Në nenin 9 përcaktohet mënyra e llogaritjes së fitimeve të tatueshme nga një operacion i veçantë hidrokarbur. Qëllimi i sistemit të izoluar (ring fence) është të sigurojë që shpenzimet dhe humbjet nga një operacion i veçantë hidrokarbur nuk kompensojnë të ardhurat nga një operacion tjetër i ndarë hidrokarbur. Gjithashtu, shpenzimet dhe humbjet nga operacionet johidrokarbure nuk mund të kompensojnë të ardhurat nga operacionet hidrokarbure dhe anasjelltas. Ligji përcakton se për një operacion të veçantë hidrokarbur, shpenzimet dhe humbjet mund të reduktojnë të ardhurat në një maksimum prej 85% të tyre. Kjo metodë ka funksion të ngjashëm me kufirin e rikuperimit të kostos në marrëveshjet hidrokarbure, duke siguruar kështu një tatim-fitimi minimal vjetor të marrë nga sasia e hidrokarbure të nxjerra. Pra, fitimi i tatueshëm i periudhës llogaritet duke zbritur nga të ardhurat, shpenzimet e zbritshme dhe humbjet e lejuara, me kusht që zbritja të mos kalojë 85% të të ardhurave nga operacioni i veçantë hidrokarbur.

Nëse shpenzimet e zbritshme, të përcaktuara në nenin 11, do të tejkalojnë 85% të të ardhurave të periudhës, atëherë pjesa e shpenzimeve që tejkalojnë 85% të të ardhurave lejohet që të mbartet si humbje për periudhat e tjera. Këto humbje të lejuara mund të mbarten për një periudhë të pacaktuar duke u përdorur për të zvogëluar fitimet e tatueshme. Humbja e lejuar nga një operacion i veçantë hidrokarbur, për një periudhë tatimore të caktuar, është masa në të cilën shpenzimet e zbritshme të operacionit për periudhën tejkalojnë 85% të të ardhurave nga ky operacion për këtë periudhë.

 

Shembull. Supozojmë se shpenzimi i zbritshëm i një operacioni hidrokarbur, në periudhën tatimore përkatëse, përbën 60% të totalit të të ardhurave të së njëjtit operacion hidrokarbur, dhe humbjet e lejuara të viteve të mëparshme, të po të njëjtit operacion hidrokarbur, përbëjnë 35% të totalit të të ardhurave të këtij operacioni. Shpenzimet e periudhës do të njihen si të zbritshme plotësisht në këtë periudhë, ndërkohë që nga humbja e lejuar e periudhave të mëparshme, në këtë periudhë tatimore, do të njihet si e zbritshme vetëm 15% e saj, ndërkohë që pjesa tjetër prej 20% është humbje e palejuar për periudhën tatimore në fjalë, dhe do të kalojë si humbje e mbartur për periudhën pasardhëse. Në nenet 10, 11 dhe 12 parashikohen të ardhurat nga operacionet hidrokarbure dhe shpenzimet që janë të zbritshme nga të ardhurat. Shpenzimet e zbritshme janë specifikuar, por lidhja e tyre me një operacion të caktuar hidrokarbur do të përcaktohet edhe duke iu referuar programit të punës për operacionin.

Gjithashtu, këto dispozita përcaktojnë se rregullat e transferimit të çmimit, të përcaktuara nga ligji i tatimit mbi të ardhurat, zbatohen pa kufizime juridiksionale në operacionet hidrokarbure. Baza e tatueshme për operacionet hidrokarbure është e ndryshme nga baza e tatueshme e zakonshme e llogaritjes së tatimit mbi fitimit, sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat. Kjo, pasi shpenzimet kapitale (përveç shpenzimeve operative) në operacionet hidrokarbure janë menjëherë të zbritshme në periudhën kur ndodhin, ose mbarten në periudhën/periudhat pasardhëse nëse kalohet kufiri i shpenzimeve prej 85%. Pra në operacionet hidrokarbure amortizimi nuk lejohet, ndërkohë që shpenzimet e financimit nuk janë të zbritshme.

Lehtësimi nga taksat vendore dhe taksat e tjera

Në nenin 19 të ligjit përcaktohet se njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të zbatojnë lehtësim nga taksat/tarifat vendore, të cilat janë parashikuar në marrëveshjet hidrokarbure.

Shmangia e përfitimeve të dyfishta nga marrëveshjet hidrokarbure Në nenin 20 të ligjit përcaktohet se një palë në një marrëveshje hidrokarbure nuk mund të pretendojë përfitime të dyfishta nga marrëveshjet hidrokarbure. Pra, nuk mund të pretendojë njëkohësisht një mbrojtje specifike apo përjashtim/lehtësim sipas marrëveshjes, në lidhje me legjislacionin fiskal, si dhe në të njëjtën kohë përfitime nga ndryshimet lehtësuese në legjislacionin fiskal, që ndodhin pas miratimit të marrëveshjes hidrokarbure. Pra, p.sh. nëse në marrëveshjen hidrokarbure ka klauzolë stabiliteti fiskal dhe është parashikuar pagesa e rentës minerare me normën 10 %, kontraktori hidrokarbur do të vazhdojë ta paguajë rentën minerare sipas kësaj norme edhe nëse shteti shqiptar, për qëllime të tjera që nuk kanë të bëjnë me këtë marrëveshje, në vitet në vijim, e ul normën e rentës në 5%, ose e rrit atë në 15%. Nëse në marrëveshje nuk është parashikuar klauzolë stabiliteti fiskal, do të zbatohet në çdo rast legjislacioni fiskal në fuqi.

Deklarata tatimore dhe pagimi i rentës, dhe tatimit mbi fitimin për operacionet hidrokarbure

Në nenin 22 përcaktohet mënyra dhe afati i deklarimit, dhe i pagesës së rentës minerare, si dhe përmbajtja e deklaratës tatimore dhe e rentës minerare. Afati për kryerjen e pagesës së rentës minerare për hidrokarburet e nxjerra gjatë një muaji kalendarik është brenda datës 15 (pesëmbëdhjetë) të muajit të ardhshëm kalendarik dhe kryhet nga mbajtësi i të drejtës hidrokarbure. Deklarimi bëhet në përputhje me modelin e miratuar të deklaratës që i bashkëlidhet këtij udhëzimi: “Formulari i deklarimit të rentës për hidrokarburet”. Kur subjekti mbajtës i së drejtës hidrokarbure eksporton mineralin hidrokarbur, renta minerare paguhet në degët doganore, në çastin e plotësimit të deklaratës doganore të eksportit.

Sipas nenit 23, nëse një person kryen njëkohësisht edhe operacione hidrokarbure edhe operacione johidrokarbure, ai duhet të paraqesë më vete një deklaratë tatimore për operacionet hidrokarbure të kryera nga ai dhe një deklaratë tjetër tatimore për operacionet johidrokarbure. Personi në këto raste duhet të ndajë veprimtarinë në fushën e operacioneve hidrokarbure, me NIPT më vete, nga veprimtaria tjetër që mund të kryejë. Kjo bëhet me qëllim që të aplikojë shkallën e tatimfitimit 50% për operacionet hidrokarbure, sipas këtij ligji, dhe shkallën e tatimit 15% për operacionet johidrokarbure, sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”. Shembull. Nëse një person kryen operacione hidrokarbure të nxjerrjes së naftës, por njëkohësisht, i njëjti person ka rafineri për përpunimin dhe prodhimin e nënprodukteve të naftës, ai duhet t’i ndajë këto dy veprimtari dhe t’i regjistrojë me NIPT-e të ndryshme, si dhe të deklarojë veçmas për këto dy veprimtari. 4.2 Koordinimi me autoritetin rregullator dhe parashikimet financiare Neni 25 parashikon që administrata tatimore duhet të punojë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetin rregullator në administrimin e këtij ligji. Për këtë qëllim, administrata tatimore dhe autoriteti rregullator ndajnë informacione të tilla që lidhen në mënyrë të parashikueshme me funksionet e tyre përkatëse dhe mund të kryejnë kontrolle të përbashkëta. Në nenin 26 parashikohet detyrimi i mbajtësit të së drejtës hidrokarbure për të përgatitur parashikime financiare, periudha dhe afatet e raportimit të parashikimeve. Udhëzimi i përbashkët i ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për hidrokarburet nr. 21, datë 14.7.2021, “Për operacionet e veçanta hidrokarbure dhe parashikimet financiare”, detajon zbatimin e këtij neni.