Kriza i kushtoi buxhetit 220 milionë euro rënie në të ardhura

343
Sigal

Të dhënat e periudhës pesëmujore janar-maj 2020 ku përfshihen edhe muajt e krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19 tregojnë se të ardhurat e qeverisë pësuan një rënie prej afro 220 milionë eurosh, një shifër kjo lehtësisht e përballueshme për ekonominë shqiptare.

Të ardhurat e buxhetit të shtetit për pesë muajt e parë të këtij viti pësuan një rënie në masën 28 miliardë lekë ose 14% në krahasim me vitin 2019 ndërkohë që shpenzimet mbetën pothuajse të pandryshuara për shkak se kursimet në shpenzimet operative u kompensuan nga rritja e shpenzimeve për pagesë papunësie dhe ndihmë ekonomike përmes skemës së njohur nga pikëpamja propagandistike si “paga e luftës”.

Të ardhurat e qeverisë ishin 161 miliardë lekë për periudhën janar-maj 2020 nga 188 miliardë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2019. Shpenzimet e qeverisë ishin 187 miliardë lekë, me një rënie të vogël në krahasim me vitin e kaluar.

Në total kriza duket se ka krijuar deri tani një faturë prej afro 220 milionë eurosh ose 1.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Shpenzimet e qeverisë për pagesë papunësie deri në maj ishin 8 miliardë lekë ose 64 milionë euro nga 225 milionë lekë në periudhën janar-maj 2019. Shpenzimet për ndihmën ekonomike ishin 10.6 miliardë lekë ose 84 milionë euro. Në total, paketa shtesë sociale e qeverisë për të përballuar pasojat e COVID-19 në buxhetin e familjeve duket se është rreth 80 milionë euro ose 0.57% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Shqipëria kaloi në mbyllje të pjesës më të madhe të aktivitetit ekonomik nga data 10 mars deri në fillim të muajit qershor, kur kufizimet filluan të hiqen. Pasojat ekonomike të krizës duket se janë reflektuar në rënie të të ardhurave buxhetore më shumë në prill e në maj ku rënia vjetore e të ardhurave ishte rreth 30%.

Qeveria ka parashikuar një rritje të borxhit publik me rreth 300 milionë euro këtë vit për shkak të pandemisë.

Ekonomia pritet të ringrihet gjatë muajve në vazhdim dhe të rikuperojë humbjet e pandemisë brenda vitit 2021 por parashikimi mbi ecurinë e ekonomisë varet shumë nga ecuria e situatës me pandeminë.

Aktualisht kufijtë e botës vijojnë të jenë në përgjithësi të mbyllura për udhëtarët ndërsa kohëzgjatja e këtyre mbylljeve do të përcaktojë edhe kohëzgjatjen e pasojave ekonomike.

Ministria e Financave publikon një buletin të detajuar të të ardhurave dhe shpenzimeve çdo muaj.