Kriza ekonomike/ Banka Botërore: Shteti shqiptar duhet tu paguajë 459 milion euro bizneseve të goditura nga mbyllja

374
Sigal

Banka Botërore: 459 mln euro fatura e pagave në risk të sektorëve të mbyllur nga COVID-19 në Shqipëri

Rreth 30% e punonjësve kanë qenë të punësuar në kompani që janë mbyllur nga kriza e Covid-19,  kryesisht shërbime, ndërsa 14.7% , janë në aktivitete që janë përballur me kërkesë  të ulët si rrjedhojë  e situatës, kryesisht  në industrinë tekstile e këpucë (45% në total).

Gjetjet janë publikuar në një raport të fundit të Bankës Botërore, që analizon perspektivën e firmave dhe cenueshmërinë e tyre nga Covid-19.

Përqindja e punonjësve të prekur është më e larta në rajon, si në ndërmarrjet e mbyllura ashtu dhe në ato me kërkesë të ndrydhur. Në Mal të Zi, psh, nga mbyllja janë prekur 23.4% e punonjësve, në Maqedoni 16% dhe në Serbi 7.8%.

Fatura e pagave në risk për këta punonjës të prekur është 290 milionë euro për punonjësit në aktivitetet e mbyllura dhe 167 mln euro për ata në bizneset e përballuara me rënie kërkese.

Banka Botërore raporton , se “në total,  në vit, fatura e pagave në rrezik,  llogaritet në rreth  38 përqind të totalit të pagave, ose 459 milionë euro, nga 1.2 miliardë euro që është totali i pagave (llogaritë janë bërë për të dhënat e vitit 2016). Nga kjo, fatura e pagave në shërbime  është  290 milionë euro.

Shqipëria, thotë raporti, mund të presë një barrë më të madhe në shërbime, duke qenë se akomodimi dhe shërbimet  ushqimore  punësojnë 13.4%.  Ndërkohë,  që ndërsa prodhimi mund ta marrë veten shpejt pas heqjes së kufizimeve,  Shqipëria dhe Mali i Zi  do të rekuperojnë më me vonesë sektorin e turizmit.

Ndërmarrjet mikro dhe të vogla,  janë ndikuar më negativisht se firmat e mesme e të mëdha,” -thotë raporti.

Ndërmarrjet e vogla janë më shumë në rrezik, -thotë Banka. Pesha mesatare e firmave  të vogla në sektorët e brishtë është 72%  në Maqedoni,  në Serbi dhe Shqipëri,  për secilën me 88% , dhe për Malin e Zi,  92%.

Industritë e turizmit dhe shërbimeve veçanërisht kanë përjetuar një efekt më të ashpër se pjesa tjetër e ekonomisë. Në Shqipëri, rënia e kërkesës për turizmin është cituar si pengesa kryesore, më shumë se në çdo sektor tjetër.