Kredia e re shënon nivelin më të lartë të borxhit në 4 vitet e fundit, arrin rekordin prej 5.5 miliard euro

278
Sigal

Kredia e re për ekonominë gjatë 2021 shënoi nivelet më të larta të katër viteve të fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin e kaluar shuma e kredisë së re të disbursuar nga sektori bankar arriti në 264.6 miliardë lekë ose pothuajse 2.2 miliardë euro. Krahasuar me vitin 2020, vlera e kredisë së re ka shënuar rritje me 7.8%. Kontributi në rritjen e kredisë gjatë vitit 2021 ka ardhur nga ndërmarrjet publike dhe nga individët, ndërsa kredia për kompanitë private ka shënuar rënie krahasuar me një vit më parë.

Statistikat tregojnë se kredia për ndërmarrjet publike është rritur me 3.4 herë krahasuar me një vit më parë, për një shumë totale vjetore prej 14.5 miliardë lekësh. Ndikimin kryesor e kanë dhënë kreditë e marra nga kompanitë e sektorit energjetik, me qëllim financimin e importeve të energjisë elektrike.

Ndërkohë, kontributin më të madh në rritje e ka dhënë segmenti i individëve, me një total të kredisë së re prej 78 miliardë lekësh ose pothuajse 35% më shumë krahasuar me një vit më parë. Rritja e lartë e kredisë për individë është mbështetur kryesisht nga sektori i pasurive të paluajtshme. Rritja e çmimeve me ritme të shpejta dhe oferta e lartë e bankave në këtë segment kanë nxitur zgjerimin me ritme të shpejta të kredisë për blerjen e pronave.

Segmenti më i madh i tregut, ai i kredisë për biznesin, vitin e kaluar ka pësuar një rënie të kredisë së re, me 6.2% më pak krahasuar me një vit më parë. Rënia e kredisë për biznesin është ndikuar kryesisht nga një huamarrje më e pakët e ndërmarrjeve për qëllime të likuiditetit.

Portofoli i kredisë për ekonominë, i matur si tepricë, në fund të vitit 2021 arriti vlerën e pothuajse 667 miliardë lekëve ose rreth 5.5 miliardë eurove, në rritje vjetore me 9.5%. Në vlerë absolute, portofoli i kredisë për ekonominë ka arritur tashmë nivelet më të larta historike. Ritmet më të larta të rritjes vjetore po regjistrohen në segmentin e ndërmarrjeve publike, ku portofoli i kredisë është rritur me 49% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, pesha e këtij segmentin në portofolin total të kredisë për ekonominë ngelet e ulët, me 3.4% të totalit.

Për sa i përket sektorit privat, edhe në portofolin total rritja më e lartë është regjistruar në segmentin e individëve, ku kredia është rritur me 12% me bazë vjetore. Portofoli i kredisë për individët tashmë ka arritur vlerën më të lartë historike, prej 235 miliardë lekësh ose 1.95 miliardë eurosh. Gjithashtu, portofoli i individëve po shënon edhe peshën më të lartë sepcifike të regjistruar ndonjëherë në kredinë totale të ekonomisë, peshë, që ka arritur në 35.1%.

Madhësia e portofolit u rrit edhe për kompanitë private, me 6.7% më shumë krahasuar me një vit më parë. Megjithë rënien e kredisë së re, portofoli total është zmadhuar falë një sturkture më të qëndrueshme, që mbështetet më shumë te kredia afatgjatë për investime dhe më pak tek kredia afatshkurtër për likuiditet, që ka një cikël të shkurtër maturimi.