Korçë: Mosha e tretë në depresion nga braktisja dhe varfëria. Shteti mjaftohet me 1 pjatë supë dhe fjalimin e rastit

324
Sigal

Popullsia e qarkut po plaket, numri i vdekjeve më i madh se ai i lindjeve

Korçë, mosha e tretë po braktiset, çdo ditë përballet me pasojat e depresionit
Në ditën botërore të të moshuarve, bashkitë u ofrojnë një drekë dhe fjalimin e rastit

Vepror Hasani

Popullsia e qarkut Korçë po plaket nga viti në vit. Në rang republike mban vendin e parë. Më konkretisht, në shkallë vendi, vlera më e vogël u regjistrua në qarkun e Korçës, ku vdekjet tejkaluan me 205 numrin e lindjeve. Gjithashtu, në tremujorin e parë të vitit 2021 pati 375 lindje dhe 708 vdekje, kurse në tremujorin e dytë 380 lindje dhe 585 vdekje. Numri i të moshurave po rritet gjithnjë e më shumë, por ndërkaq vdekjet po e tejkalojnë atë të lindjeve. Pra shifrat e mësipërme po flasin për një plakje të shtuar të qarkut Korçë, ndërsa kujdesi ndaj të moshuarve lë shumë për të dëshiruar. Ekzistojnë qendra ditore, por ato ofrojnë vetëm kafe, çaj dhe domino. (Gjatë periudhës së pandemisë u mbyllën, shërbimi u ofrohej në ambiente të hapura pranë godinës). Me vlerë mbetet ofrimi falas i transportit urban. Vetëm në ditën botërore të tyre, të moshuarave u ofrohet një drekë modeste dhe fjalimi para kamerave. Edhe kjo mënyrë sjelljeje nuk është aspak dinjitoze, askush nuk do ta kapërdinte dot një pjatë gjellë të dhuruar në këtë mënyrë. Vetmia e përhershme e të moshuarve është stres i përditshëm, i cili mesa duket do t’i ndjekë hap pas hapi deri ditën e fundit të tyre. Vendprehjeje dhe çlodhjeje për të moshuarit mbeten lulishtet, ku një pjesë të kohës e kalojnë ulur nëpër stola nën shoqërinë e trishtimit, pasi askush nuk flet për sakrificat e tyre, për rritjen e fëmijëve në kohë varfërie të tejskajshme, madje nuk ua kujton kush as kontributin falas për ndërtimin e këtij vendi, duket sikur gjithë jeta e tyre ishte dhe mbeti një kotësi.

Edhe sot më të varfër se dje

 

Edhe sot e kësaj dite të moshuarit vijojnë të jenë edhe më të varfër se dje. Pensionet vazhdojnë të mbeten të ulta. Ka të tjerë që nuk marrin as pension, detyrohen të punojnë për mbledhjen e bimëve medicinale, sepse është e vetmja rrugë për të siguruar bukën e përditshme. Jeta që bëjnë është më shumë se e rëndomtë. Marrim gjithnjë të njëjtat ushqime, ato që janë më të lira, sepse me ato pak të holla që sigurojnë, u duhet të kalojnë gjithë muajin, të paguajnë ilaçet, ujin, energjinë elektrike, ushqimet me çmimet që rriten kohë pas kohe, bukën,  taksat e bashkisë etj, etj, madje të presin edhe ndonjë mysafir. Ndërkohë sëmundjet tek të moshuarit shtohen, kurse aktiviteti fizik dhe social pakësohet. Pra, nuk i krijojnë dot vetes asnjë mundësi më shumë për të festuar qoftë edhe një ditë ndryshe, apo për të shijuar edhe diçka tjetër më të shtrenjtë. Rrëfimet e tyre janë të mbushura me keqardhje dhe trishtim. Si kontribut nga ana e bashkive, u përmenden shpesh e më shpesh, stolat e vendosura në hapësirat e gjelbra të pallateve, a thua se po të mos ishin të moshuarit, atëherë stolat dhe gjelbërimi do të ishin të panevojshme! Në qendrat private të të moshuarave, ku u ofrohet gjithçka me cilësi dhe përkujdesje që nga ushqimi e deri te shërbimi mjekësor, nuk shkojnë dot, sepse nuk mund të paguajnë.

 

Jeton vetëm ai që ka para

 

Në një publikim te Publikimet e Fondacionit Friedrich Ebert, posaçërisht për kujdesin e moshës së tretë thuhet: “Në ditët e sotme mund të parashikohet, që problemet e kujdesit për moshën e tretë do të vijnë në rritje. Dhe në këtë përfundim arrihet duke marrë parasysh situatën shumë të keqe të të moshuarve në ditët e sotme. Vetëm një pjesë e vogël e këtij grupimi pranohet në shtëpitë përkatëse të të moshuarve apo merr një trajtim të mirë mjekësor. Edhe këtu konstatohet, se ekzistojnë dallime të mëdha midis të moshuarve – kush disponon para të mjaftueshme, mbase mund ta përballojë trajtimin dhe kujdesin privat, por pjesa më e madhe e të moshuarve nuk i disponon këto para të mjaftueshme dhe duhet ta kalojë pleqërinë në kushte pjesërisht të padenja për njeriun. Fjalia “Shoqëria e tregon fytyrën e saj të vërtetë në mënyrën si sillet me të moshuarit” duhet të jetë një paralajmërim dhe njëkohësisht një shtysë për ta përmirësuar shpejt situatën e sotme dhe për t´u përgatitur për të ardhmen. Kjo nuk mund dhe nuk duhet t´i lihet ekskluzivisht vetëm iniciativës private!”

 

Aktualisht

 

Bashkitë e qarkut Korçë pretendojnë të shtrijnë kujdesin për moshën e tretë edhe në fshat, por kjo duket tejet e vështirë, pasi edhe në qytet ky shërbim ofrohet me shumë mungesa, shumë larg standardeve evropiane. Gjithsesi në këtë drejtim ka patur edhe arritje. Skema e mbrojtjes sociale në Shqipëri, bazohet në dy shtylla: Përfitimet kontributive (të përbëra nga pensionet dhe kujdesi shëndetësor) dhe përfitimet jokontributive (përbërë nga skemat dhe institucionet e përkujdesit social për të moshuarit në nevojë), por gjendja aktuale vijon të jetë ashtu siç e përshkruam më sipër.