Konkurrenca nis hetimin për tregun e shërbimeve stomatologjike

511
Sigal

Autoriteti: Marrëveshjet që kufizojnë konkurrencën ndalohen me ligj

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur në mbledhjen e fundit të hapë procedurën e hetimit paraprak në tregun e ofrimit të shërbimeve  stomatologjike, për të parë nëse ka ose jo shenja të kufizimit apo shtrembërimit të dispozitave të ligjit për konkurrencën. Kjo masë u mor pasi Autoriteti i Konkurrencës u njoh përmes medias lidhur me një Vendim të Asamblesë Kombëtare të Urdhrit të Stomatologut “Për miratimin e listës së çmimeve dysheme për shërbimin stomatologjik” sipas të cilit, është vendosur miratimi i një liste çmimesh dysheme për  një kategori të caktuar shërbimesh dentare për: Terapinë, Ortopedinë, Kirurgjinë dhe Ortodoncinë. Konkurrenca thekson se në bazë të ligjit për konkurrencën janë të ndaluara të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg. Ajo shton se Vendimi i mësipërm i Urdhrit të Stomatologut, mund të ketë elementë të kufizimit të konkurrencës në kuptim të nenit 4 të Ligjit 9121/2003. Sipas raportit të konkurrencës, Misioni i Urdhrit të Stomatologeve është ruajtja e standardeve të larta në formimin dhe ushtrimin e profesionit te stomatologut dhe mbrojtja e pacientëve dhe publikut nga keq ushtrimi i këtij profesioni.  Urdhri i Stomatologut në Republikën e Shqipërisë është ent publik, jo buxhetor, i cili përfaqëson interesat e përbashkët të profesionistëve, stomatologë dhe ndihmës stomatologë, si dhe rregullon marrëdhëniet ndërmjet tyre në funksion të publikut, thuhet në njoftim.

Vendimi i Urdhrit të Stomatologëve

Prej fillimit të 2019-s, klinikat dentare në vend janë të detyruara që të bazohen në listën e re me çmimet dysheme për shërbimet bazë që ofrojnë, të caktuar në një shkresë të Urdhrit të Stomatologëve. Për një mbushje dhëmbi të gradës së dytë, përpara 1 janarit, pacientët në klinikën e tij duhet të paguanin 2,000 lekë, ndërsa tani me çmimin dysheme që ka vendosur Urdhri i Stomatologut, pacientët duhet të paguajnë 4,000 lekë, ose dyfish. Rritje ka pasur edhe për shërbimet e tjera dentare. Pjesa më e madhe e klinikave në vend për vizitat e pacientët (ekzaminim me sy) i kanë falas, por prej 1 janarit për vizitat çmimi dysheme është 500 lekë. Për mbushjet e gradës së tretë, çmimi ishte 3,000 lekë, ndërsa me referencën e re çmimi bëhet 5.000 lekë (2.000 lekë më shumë, shtrenjtim 67%). Çmimi për pastrimin e gurëzave dhe të cipave bëhet 3.000 lekë, nga 1.500 lekë, sa dyfishi. Heqja e dhëmbëve bëhet 1.000 lekë nga 500 që ishte. Çmimet referencë dysheme aplikohen për klinikat dentare në të gjithë vendin./Monitor