Konferenca e Tretë Shkencore/ KLSH, rol të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit

688
Sigal

Në datat 29-30 tetor, 2014, Kontrolli i Lartë i Shtetit organizoi Konferencën e tretë vjetore Shkencore me temë “Auditimi Kombëtar në shërbim të Qeverisjes Kombëtare”.

Në Konferencë morën pjesë rreth 120 përfaqësues nga bota akademike, nga profesorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës, studiues dhe lëvrues të auditimit dhe të financave publike, përfaqësues nga institucionet supreme të auditimit të Polonisë, Austrisë, Kroacisë, Turqisë, Kosovës dhe Malit të Zi, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit e Komisionit Evropian (DG-Budget), përfaqësitë diplomatike në Shqipëri, shoqëria civile, si dhe auditues të KLSH-së. Konferencën e nderoi me praninë e tij në ditën e dytë, edhe Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani. Në fjalën e tij, z. Nishani vlerësoi dinamikën e zhvillimit të auditimeve dhe kapaciteteve audituese të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ai vlerësoi po ashtu përgatitjen nga KLSH të një ligji të ri modern për auditimin publik, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Presidenti shprehu bindjen se Parlamenti shqiptar do ta miratojë këtë ligj së shpejti.

Presidenti Nishani deklaroi se “paraja publike nuk është pronë e askujt, vetëm e Shtetit Shqiptar dhe askush të mos mendojë se mund të dalë mbi ligjin dhe mbi rregullshmërinë financiare të Shtetit. Ai i nxiti institucionet që luftojnë në plan të parë korrupsionin, si Prokurorinë, ILDKP dhe KLSH, që të bashkëpunojnë më shumë me njëri-tjetrin. “Duhet një dinamikë e re në marrëdhëniet mes jush”, theksoi Nishani.

Në përshëndetjen e tij, Deputeti i Parlamentit Evropian (PE), Igor Sholtes, njëkohësisht edhe zv/kryetar i Komisionit të Buxhetit në PE, deklaroi se nuk ka pse të ekzistojë një institucion suprem auditimi, në rast se atij nuk i garantohet qasje e pakufizuar në informacion dhe dokumente të nevojshme për të kryer auditimin. “Nuk ka kuptim ta kesh një institucion të tillë sa për formë, vetëm pse ai duhet të ekzistojë”, u shpreh Sholtes. Më tej, ai vlerësoi progresin e bërë nga KLSH në rritjen e kapaciteteve të audituesve të tij, nëpërmjet trajnimeve dhe marrjes së eksperiencës nga SAI-t partnere.

Këshilltari kryesor i Drejtorit të Përgjithshëm të DG-Budget dhe Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik në Komisionin Europian, z. Robert Gielisse cilësoi se Strategjia e re e Zgjerimit e Bashkimit Europian e vendos në vijën e parë Qeverisjen Ekonomike dhe KLSH-ja, si Auditues i Jashtëm Publik, është gur themeltar i përmirësimit të qeverisjes.

Në përshëndetjet e tyre, Presidentit e institucioneve supreme të auditimit (SAI-ve) të Kroacisë dhe Malit te Zi, Ivan Klesiç dhe Milan Daboviç, theksuan rritjen e bashkëpunimit të SAI-ve të tyre me KLSH-në dhe punën e përkushtuar që KLSH bën për ngritjen e kapaciteteve profesionale të audituesve të tij.

Në Konferencë u lexua përshëndetja nga Sekretari i Përgjithshëm i INTOSAI-t, Dr. Josef Moser, prej Drejtorit të Përgjithshëm të Gjykatës Austriake të Audituesve, z. Ëolfgang Ëiklicky.

Konferencën e përshëndeten, edhe dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, prof. dr. Anastas Angjeli dhe Edmond Spaho, të cilët theksuan hapat e bërë vitet e fundit nga KLSH, në drejtim të kryerjes së auditimeve më cilësore dhe shtimit të kapaciteteve profesionale të audituesve. Ata garantuan një bashkëpunim të frytshëm të Kuvendit me KLSH në të ardhmen.

Në dy ditët e punimeve të Konferencës, të moderuara, krahas Kryetarit të KLSH-së z. Bujar Leskaj, edhe nga z. Robert Gielissë, DG Budget dhe z.Jacek Jezierski, ish-President i SAI-t polak dhe aktualisht Këshilltar pranë Presidentit të NIK, u paraqiten 28 kumtesa nga personalitete dhe eksperte ndërkombëtare dhe vendas të auditimit të jashtëm publik dhe të financave publike. Spikatën kumtesat e Robert Gielisse, Presidentëve të SAI-ve kroat dhe malazez Ivan Klesiç e Milan Daboviç, kumtesat e specialistëve të Gjykatës së Llogarive të Turqisë, të Gjykatës Austriake të Auditimit, si dhe gjetjet e rekomandimet e profesorëve të nderuar të kontabilitetit, auditimit, analizës së riskut dhe financave shqiptare, si Prof. Dr. Skënder Osmani, Prof. Dr. Jorgji Bollano, Prof. Dr. Omer Stringa, Prof. Dr. Hysen Çela, etj..

Morën pjesë me kumtesat e tyre Autoriteti i Konkurrencës, ILDKPI, Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Financave, etj..

Nga të 28 kumtesat e paraqitura, moderatorët arritën në përfundimin se përmirësimi i cilësisë së menaxhimit të financave publike, si një mjet për të optimizuar arritjen e objektivave kombëtare të zhvillimit strategjik, është një sfidë kyçe në shumë vende. Duke përmirësuar proceset dhe institucionet buxhetore, cilësia e financave publike rritet. Efiçienca, efektiviteti dhe transparenca janë tre objektivat themelore të buxhetimit modern. Rregullat fiskale, planet dhe kornizat afat-mesme dhe buxhetimi i performancës kanë provuar te jene efektivë në arritjen e këtyre objektivave.

Institucionet Supreme të Auditimit mund të nxisin më tej përmirësimin e jetesës së njerëzve, duke ndihmuar për të siguruar që fondet dhe projektet publike që kanë të bëjnë me jetesën e njerëzve, te jenë nën mbikëqyrje të rreptë dhe të arrijnë efektin e dëshiruar.

Institucionet Supreme të Auditimit munden po ashtu të kontribuojnë në efiçiencen qeveritare, me mbikëqyrjen dhe vlerësimin e aktiviteteve qeveritare dhe zbulimin e mangësive në qeverisjen dhe kontrollin kombëtar. Ato mund të luajnë një rol të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e mashtrimeve financiare, duke ruajtur interesat kombëtare, nëpërmjet sigurimit të informacionit objektiv, të besueshëm dhe në kohë, për të zbuluar risqet në funksionimin ekonomik dhe social kombëtar.

Konferenca e Katërt Shkencore e KLSH, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm, do të ketë si temë Auditimin e Riskut në sektorët e ekonomisë publike dhe në institucionet publike që KLSH auditon.

Arvizu: KLSH-ja e pavarur, shenjë e funksionimit të demokracisë

Në përshëndetjen e tij, Ambasadori i SHBA-ve, zoti Aleksandër Arvizu cilësoi se një institucion suprem auditimi publik i pavarur është shenjë e funksionimit të demokracisë. Arvizu i vlerësoi si shumë premtuese rezultatet e deritanishme të arritura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ai përmendi punën në grupet e përbashkëta të hetimit me Prokurorinë, ILDKP, etj., ku në vitin 2012 KLSH depozitoi 15 raste korruptive, në vitin 2013, 25 raste dhe vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti 29 raste. “Kjo tregon efektshmërinë e punës së këtij institucioni në luftën kundër korrupsionit”, theksoi Ambasadori Amerikan.

Bujar Leskaj

Edukimi

1990    UT Fakulteti Gjeologji – Miniera

1998    UT Fakulteti i Ekonomisë, Dega Financë

2002    UT Fakulteti i Drejtësisë

2003    Universiteti i Nebraskës – Lincoln SHBA – Diplomë për mësimdhënie në nivel masteri në Administrim Publik

2004    Dhoma Kombëtare e Avokatëve, titulli “Avokat”

2005    Universiteti Bamberg, Gjermani – specializim për Financat Publike

2002- 2006      Fakulteti i Ekonomisë, Shkolla e studimeve të thelluara pasuniversitare – Master në Financë

2009    UT Fakulteti i Ekonomisë – Dizertacioni me temë “Senjorazhi dhe disa probleme të tij në Shqipëri”

Grada shkencore

2009    Doktor i Shkencave Ekonomike

Karriera

1994-1997 Kryetar i degës së doganës, Vlorë

1997 (prill-gusht) Nëndrejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave

2000-2005 Pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, Departamenti i Financës

2005-2007 Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit

2005-2009 Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Pedagog i jashtëm në Fakultetin e Ekonomisë

2007-2009 Anëtar i Delegacionit të përhershëm të Parlamentit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s;

2009- 2011 Pedagog në Fakultetin e Ekonomisë

23 dhjetor 2011 – në vazhdim Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit

Botime

“Historiku i KLSH-së 1925-2012”

“EUROSAI”, 2012

“Standardet e auditimit të INTOSAI-t”, 2012

“Udhëzues i auditimit të Performancës”, 2012

Z.Bujar Leskaj, është Kryetar i Bordit të Revistës Shkencore të KLSH-së, “Auditimi Publik”, revistë katërmujore që publikohet në gjuhët shqipe dhe angleze. Numri i parë i saj ka dalë në maj 2012.