Koncesionet e Hidrocentraleve me shkelje të mëdha kontraktore, 23 prej tyre drejt anulimit
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pati njoftuar në fundin e janarit nisjen e një verifikimi për të gjitha kontratat koncesionare të Hidrocentraleve. Në vijim të këtij procesi ministria ka bërë publike dhe rezultatet e para të kontrolleve mbi koncesionet. Sipas Zëvendësministrit të MIE, Hantin Bonati, janë analizuar deri më tani 54 dosje, ku 8 prej të cilave kanë rezultuar me shkelje të mëdha kontraktore. “Aktualisht kanë kaluar procesin e skanimit 54 dosje, 8 prej të cilave kanë rezultuar me probleme të mëdha dhe shkelje të kushteve kontraktuale, për të cilat do të fillohet procedura për ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të kontratës. Ndër problematikat kryesore të konstatuara nga kontrolli i deritanishëm mund të përmendim:
- mosrespektim e afateve kohore procedurale;
- mosrespektimin e kushteve dhe kritereve në kontratat dhe lejet e lëshuara (qofshin të aspektit ndërtimor, mjedisor, financiar etj).
Në vëmendje të analizës sonë janë jo vetëm problematikat që janë rezultat i moskorrektësisë nga ana e subjekteve, por janë dhe problematikat që janë shkaktuar nga burokracia procedurale e ndjekur nga institucionet publike. Ndërprerja e kontratave është një proces kompleks dhe nga ana e Ministrisë po procedohet në mënyrë të kujdesshme që të mos ketë risqe dhe pasoja financiare për buxhetin e shtetit” tha Bonati. Në fakt në shifra zyrtare, deri më sot janë nënshkruar gjithsej 201 kontrata koncesionare, për ndërtimin e 556 hidrocentraleve, ndërkohë 23 prej tyre janë në proces zgjidhjeje. Numri. Më tej, zëvendës ministri Bonati u ndal tek bashkëpunimi mes institucionit që ai përfaqëson dhe institucioneve të tjera që janë të përfshira në procesin e verifikimit të koncesioneve të Hidrocentraleve. “Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si një ndër aktorët kryesorë dhe si iniciues i procesit të skanimit, po vijon punën për monitorimin dokumentar dhe në terren. Në këtë proces kompleks, strukturat e Ministrisë janë duke bashkëpunuar ngushtësisht dhe me institucione të tjera publike, ndër më kryesorët mund të përmendim: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, e cila, sipas fushës së saj të përgjegjësisë, po verifikon vlefshmërinë e lejeve mjedisore për këtë tipologji aktivitetesh, nëse këto veprimtari cenojnë zonat e mbrojtura dhe monumentet e natyrës, sikurse dhe nëse subjektet kanë zbatuar dhe përmbushur me përpikëri kushtet e përcaktuara në lejet mjedisore; Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, i cili po verifikon zbatimin e lejeve të ndërtimit nëse këto ndërtime janë kryer në respektim të përcaktimeve të lejeve zhvillimore që gëzojnë. Agjencia Kombëtare e Burimeve Ujore, e cila, po verifikon vlefshmërinë e lejeve për përdorimin e burimeve ujore. Verifikimet në terren po bëhen në prezencë të përfaqësuese të subjekteve, ndërsa për sa i përket verifikimeve dokumentare me subjektet do të vijohet të komunikohet nëpërmjet korrespondencave zyrtare” tha Bonati.






















