Komisioni i Ligjeve miraton Pr.Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

685
Sigal

Komisioni i Ligjeve ka shqyrtuar dhe miratuar nen për nen një paketë projektligjesh, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, si dhe “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të cilat pritet të jenë në rendin e seancës plenare të kësaj të enjte në Kuvend.

Ditën e djeshme ky projektligj me ndryshimet përkatëse u miratua nga një tjetër Komision parlamentar, ai për Sigurinë Kombëtare, i cili shqyrtoi nen për nen projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, projektligjin “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara dhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar.

I ftuar në këtë mbledhje ditën e sotme ishte z. Agim Muslia, drejtor i Drejtorisë së Përputhshmërisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, i cili theksoi rëndësinë e këtij ligji për parandalimin e aktiviteteve kriminale dhe financimit të tyre.

Më parë, këto projektligje kanë pasur disa ndryshime nga Komisioni i Ekonomisë, nga i cili u miratua nen për nen. Në atë mbledhje, ministrja e Financave, Anila Denaj, tha se këto ndryshime lidhen edhe me reduktimin e ekonomisë informale.

“Kjo nuk ta të bëjë vetëm me një përqindje, për luftën kundër terrorizmit. Kjo ka të bëjë me reduktimin e ekonomisë informale dhe pavarësisht se është brenda paketës Moneyval, është shumë e rëndësishme të reduktohet ekonomia informale dhe përdorimi i cash-it, prandaj hapja e llogarisë është absolute, sikurse kryetari e përmendi” u shpreh Ministrja Denaj.

Në relacionin që shoqëron projektligjin thuhet se qëllimi i këtij projektligji është parandalimi dhe goditja e veprimtarive të terroristëve dhe e atyre që mbështesin dhe financojnë terrorizmin, apo të atyre, për të cilët ka dyshime të bazuara që kanë kryer, po kryejnë ose kanë qëllim të kryejnë veprimtari të tilla, nëpërmjet bllokimit, sekuestrimit të fondeve e pasurive të tyre, në zbatim të rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, akteve të organizatave të tjera ndërkombëtare apo marrëveshjeve ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.

Në funksion të këtij qëllimi të përgjithshëm synohet: zvogëlimi i rreziqeve të financimit të terrorizmit nëpërmjet politikave, koordinimit dhe bashkëpunimit; Parandalimi i hyrjes së fondeve në mbështetje të terrorizmit në sektorin financiar apo në sektorë të tjerë ose zbulimi dhe raportimi i tyre; zbulimi dhe goditja e kërcënimeve financim terrorizmi; reagimi në kohë dhe me efikasitet ndaj rreziqeve të sipërcituara.