Komisioni i Integrimit miraton “Crown Agent”

660
Sigal

Komisioni i Integrimit miratoi vetëm me votat e shumicës projektligjin për asistencës së shërbimit doganor me kompaninë “Crown Agent”. Mbledhja e komisionit u shoqërua me debate mes maxhorancës dhe opozitës, ku kjo e fundit është shprehur kundër miratimit të kontratës me “Crown Agent” për doganat. Deputeti i PD, Genc Ruli ka theksuar se kontrata me “Crown Agent” është më e dobëta e realizuar nga shteti shqiptar. “Kontrata nuk ka parashikuar asnjë penalitet për ‘Crown Agent’, nëse ajo nuk përmbush kërkesat. Nuk është respektuar transparenca dhe rregullat ligjore për kontratën. Kompania Crown Agent në rajon ka dështuar, kontrata nuk duhet të miratohet”, ka theksuar Ruli. Ndërkohë, deputeti socialist Ben Blushi e ka cilësuar si absurd vendimin që agjencia Crown Agent të mos paguajë taksa, por kjo sipas Zv.ministrit Ervin Mete është, pasi po ndiqet një praktikë standarde për një asistencë evropiane. Deputeti i PS-së, Taulant Balla theksoi se kontrata do të sjellë 90 milionë euro me shumë në dogana që në vitin e parë. Ai theksoi se do të kërkoj një audit edhe për fondet e Bashkimit Evropian por kjo sipas deputetit Genc Ruli nuk mund të bëhet pasi këto fonde nuk i menaxhon Shqipëria pasi ajo nuk e ka marrë ende statusin. Ndërsa zv.ministri i Financave, Ervin Mete ka theksuar se kontrata nuk cenon asnjë ligj dhe ajo do të lidhet duke e respektuar ligjin. “Kompania Crown Agent punon në shumë vende, ne kemi kërkuar vetëm asistencë. Kontrata do lidhet sipas ligjit, por duke qenë në emergjencë, respektimi i ligjit të prokurimeve do të na vononte. Kontrata nuk cenon asnjë ligj, Crown Agent ka realizuar një sërë projektesh të tilla në rajon, kanë dhënë efekt. Do rriten të ardhurat nga 10.1 % e GDP në 11 % të saj” është shprehur Mete.