KLSH: Projekti i Terminalit të Trageteve në Durrës, 150 mijë euro mbi kosto!

788
Sigal

DURRËS/Rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për shkarkime dhe penalizime. Raporti i KLSH-së për këtë skandal

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar skandale lidhur me projektet e realizuara në Portin e Durrësit në projektin e terminalit të ri të trageteve. KLSH, gjatë një kontrolli të ushtruar në muajt e fundit të vitit 2013, pas zbulimit të skandalit, ka kërkuar shkarkime nga detyra  dhe penalizime për zyrtarët e dikasterit të Transportit. Kjo për shkak se janë certifikuar punime të pakryera përfituar padrejtësisht nga zbatuesi i punimeve në shumën 46 493 Euro, si dhe rëndimin e kostos së projektit në shumën 150 262 Euro. Në raportin e KLSH  zbulohen fakte që lidhen me projektin e terminalit të ri, abuzimet dhe veprimet e paligjshme nga ish-zyrtarët e Ministrisë Transporteve. KLSH  në raport flet për shkelje në koncesione, ku bëhet fjalë për investime të mbi 100 milionë euro, por merret edhe me 150 mijë euro që kanë rënduar projektin e terminalit të trageteve dhe për të cilat u lihet përgjegjësia dy kompanive të huaja.

RAPORTI I KLSH

Raporti përfundimtar i auditimit të ushtruar në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, për projektin “Ndërtimi i terminalit të trageteve në portin e Durrësit”, me objekt auditimi “Mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare, të projektit”, për periudhën nga data 01.08.2009 deri me datë 28.02.2013, dhe masat për përmirësimin e gjendjes janë miratuar me Vendimin e Kryetarit të KLSH nr. 65, datë 03.06.2013. Bazuar në nenet 9 dhe 16 të ligjit nr. 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, ndryshuar me ligjin nr. 8599, datë 01.06.2000, me shkresat nr. 238/7, datë 03.06.2013 dhe3 nr. 238/8, datë 03.06.2013, dërguar respektivisht MPPT, dhe Drejtorit Ekzekutiv të Autoritet Portual Durrës, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar dhe kërkuar zbatimin e masave të mëposhtme. Njësia e Zbatimit të Projektit (PIU) të marrë masa për të nxjerrë përgjegjësitë për mbikëqyrësit e punimeve “DIWI Consult” dhe “Safege-Scoç Wilson”, lidhur me certifikimin e punimeve të pakryera përfituar padrejtësisht nga zbatuesi i punimeve në shumën 46 493 Euro, si dhe rëndimin e kostos së projektit në shumën 150 262 Euro. Nga strukturat e ngarkuara për zbatimin e projektit, Autoriteti Portual sh.a Durrës, Njësia e Zbatimit të Projektit (PIU), Ministria e Punëve Publike dhe Transportit (MPPT) të merren masa për zbatimin e pjesës së dytë të projektit “Rehabilitimi i moleve 7 e 8”, ose të bëhet vlerësimi i gjendjes së kalatave dhe të merret një vendim në lidhje me ndërhyrjet që nevojiten të bëhen. Të merren masa për të bërë të mundur kryerjen e auditimit financiar për regjistrat dhe llogaritë financiare të projektit, bazuar në Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit, për fondet e akorduara nga kreditë, në zbatim të marrëveshjes së BEI, të ratifikuar me ligjin nr. 9691, datë 8.03.2007. Të merren masa për të siguruar burimet financiare për punimet shtesë të certifikuara dhe të regjistruara si të papaguara, të cilat janë kosto shtesë e projektit dhe në bazë të nenit 6 të marrëveshjes së BEI-it duhet të sigurohen nga pala shqiptare. Njësia e Zbatimit të Projektit (PIU), të marrë masa që interesat e akumuluar të maturuar të shumave të huas së BEI, të përdoren për llogari të projektit dhe jo të xhirohen në llogaritë e Qeverisë në Bankën e Shqipërisë, pasi shkresa nr. 641/1 prot., datë 06.03.2008, e Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit është në kundërshtim me nenin 6 të Marrëveshjes së BEI. Njësia e Zbatimit të Projektit (PIU), të marrë masa për të plotësuar të gjitha detyrimet e përcaktuara në nenin 3 të Marrëveshjes së BERZH, për të paraqitur raportet periodike për projektin, çdo tre muaj, brenda 30 ditëve pas përfundimit të periudhës së raportimit deri në përfundimin e projektit, një tabelë progresi, bazuar në planin kohor të zbatimit të projektit, që tregon progresin e secilës pjesë të projektit dhe përfshin një grafik për shpenzimet faktike dhe ato të planifikuara. Njësia e Zbatimit të Projektit (PIU), të marrë masa që në të ardhmen, nëse është i nevojshëm rialokimi i fondeve të huave dhe ndryshimi i skemës së financimit për projektin “Ndërtimi i terminaleve të trageteve”, të jap argumentet e duhura dhe arsyen pse duhet të bëhet rishpërndarja e fondeve. Njësia e Zbatimit të Projektit (PIU), të marrë masa për të siguruar fonde për të kryer pagesat për kontratat e punimeve të ndërtimit, me qëllim që të mos përdorë të ardhurat e krijuara nga diferencat për veprimet nga konvertimi i valutës në shumën 0.54 milion Euro, pa miratimin e Huamarrësit (Ministria e Financave) dhe bankës BEI. Menjëherë. Nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit dhe Njësia e Zbatimit të Projektit, të merren masa të menjëhershme, për të negociuar me Bankën Europiane për Investimeve (BEI) dhe Bankën Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim (BERZH), për shtyrjen e afatit të përfundimit të projektit, pasi duke parë ecurinë e projektit, ku shtyrja e parë e afatit deri në fund të vitit 2012 nuk është përmbushur dhe pjesa e dytë e projektit “Rehabilitimi i moleve 7 e 8” ende nuk ka nisur të zbatohet, duhet të analizohet e të përcaktohet një afat i arritshëm për realizimin e plotë të projektit. Gjithashtu, të merren masa të nxirren përgjegjësitë për personat dhe strukturat zbatuese për mosrealizimin e projektit brenda afateve të përcaktuara. Njësia e Zbatimit të Projektit (PIU) të marrë masa për të rakorduar me Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit dhe Ministrinë e Financave, të ardhurat e krijuara në mënyrë progresive nga maturimi i lekëve në bankë në shumën 707 mijë lekë ose 5,093 Euro dhe t`i përdorë për zbatimin e projektit, fitimet e nxjerra nga huaja. Njësia e Zbatimit të Projektit (PIU), të marrë masa për të bërë inventarizimin dhe kuadrimin e vlerave të kontabilitetit në shumën 979,794 milionë lekë, pasqyruar në llogarinë 218 “Inventar ekonomik”, të bilancit të vitit 2011, në përputhje me ligjin nr. udhëzimin e MF nr. 14, datë 28.12.2006. Njësia e Zbatimit të Projektit (PIU) të marrë masa për të siguruar burimet e financimit të detyrimeve shtesë në pritje për t`u paguar për kontraktuesin e punimeve në shumën 829,109 Euro, si dhe pagesa e TVSH në shumën 9,949 Euro, pasi këto punime janë certifikuar nga konsulenti, si dhe janë regjistruar si detyrime për t’u paguar.

MASAT DISIPLINORE TË PROPOZUARA

Ndër masat e propozuara nga KLSH janë si më poshtë- Ti kërkohet në rrugë ligjore, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe të gjitha shkallët e gjykimit, arkëtimi i vlerës 46 493 euro, përfituar padrejtësisht nga kompanitë kontraktore për punime të parealizuara sipas kontratës së zbatuar “Ndërtimi i terminalit të trageteve dhe infrastrukturës së kantierit të Durrësit”. (Trajtuar ne faqet nr. 35-37 të Raportit të Auditimit). Mbështetur në nenin 37, të ligjit nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i punës i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, kërkojmë nga Ministri i Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, të fillojë procedurën për dhënien e masës disiplinore, zgjidhje e kontratës së punësimit. Për ish-këshilltarin e ministrit, në cilësinë e ish-drejtorit të Njësisë së Zbatimit të Projektit për projektin “Ndërtimi i terminalit të trageteve në portin e Durrësit”, për arsye se nuk ka marrë masa për të bërë të mundur auditimin e llogarive të fondeve të akorduara nga donatorët BEI e BERZH për projektin, veprim ky në kundërshtim me nenin 6 të marrëveshjes së Huas së BEI të ratifikuar me ligjin nr. 9691, datë 8.03.2007,  nuk ka masa për të siguruar më parë burimin e financimit, për punimet shtesë të kontratës  “Për ndërtimin e terminalit të trageteve dhe shesheve përreth”, punime të cilat janë certifikuar nga konsulenti, veprim ky në kundërshtim me nenit 6, pika 6.03 të marrëveshjes së BEI. Nuk ka marrë masa për të paraqitur raportet periodike për projektin, çdo tre muaj, brenda 30 ditëve pas përfundimit të periudhës së raportimit deri në përfundimin e projektit, një tabelë progresi, bazuar në planin kohor të zbatimit të projektit, që tregon progresin e secilës pjesë të projektit dhe përfshin një grafik për shpenzimet faktike dhe ato të planifikuara, veprime këto në kundërshtim me nenin 3 të Marrëveshjes së huas së BERZH të ratifikuar me ligjin nr. 9758, datë 21.06.2007. Nuk ka dhënë arsyet e sakta dhe nuk ka bërë argumentimin e duhur për rialokimin e fondeve të projektit, për komponentin “Dizenjo dhe mbikëqyrje”, pasi rialokimi ka ardhur si pasojë e paaftësisë të përthithjes së fondeve të grandit brenda afatit të përcaktuara nga KE e BEI, duke bërë që shpenzimet e komponentit të përballohen me fondet e kredisë së BEI duke rënduar koston e projektit, në shumën 2.11 milionë euro. Nuk ka arritur të menaxhojë e të koordinojë procedurat e prokurimit për punimet e ndërtimit për terminalin e ri dhe rehabilitimin e moleve 7 e 8. Kontratat e punimeve për ndërtimin e terminalit është lidhur me në vit vonesë, ndërsa për rehabilitimin e moleve 7 e 8 nuk është zhvilluar asnjë procedurë prokurimi, veprime këto në kundërshtim me marrëveshjen e huas së BEI, pikën A.1.4. Si drejtues i Njësisë Zbatimit të Projektit nuk ka arritur të përmbushë plotësisht detyrimet për menaxhimin financiar të projektit, koordinimin, monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të projektit, pasi ecuria e zbatimit të projektit nuk ka qenë e mirë sidomos në vitet e para; është realizuar vetëm pjesa e parë e projektit dhe kjo me dy vjet vonesë, ndërsa pjesa e dytë ende nuk ka filluar të zbatohet; projekti nuk ka arritur shkallën e realizimit të objektivave dhe të komponentëve krahasuar me ato të përcaktuara në marrëveshjet e huave; ritmi i disbursimeve në vite ka qenë jo i mirë dhe fondet nuk janë përdor me efektivitet, si pasojë e vonesës në përfundimin e ndërtimit të terminali është rritur paralelisht edhe vlera e kontratës së konsulentit dhe mbikëqyrësit të punimeve, duke rënduar koston e projektit në shumën 353,758 euro, veprime këto në kundërshtim me marrëveshjet e huave të BEI dhe BERZH. Mbështetur në nenet 5 dhe 11 të kontratave individuale të punës nr. 49, datë 5.09.2012 dhe nr. 12, datë 18.09.2012, Kontratës Kolektive të Punës, kërkojmë nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës sh.a të fillojë procedurat për dhënien e masës disiplinore Zgjidhje e kontratës së punësimit, për  Shefen e Njësisë së Zbatimit të Projektit, për arsye se nuk ka marrë masa në mënyrë që të kryhej një auditim i pavarur për llogaritë e projektit, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit, përcaktuar në Marrëveshjen e BEI, ndonëse nga auditimi i mëparshëm është lënë si rekomandim që të zbatohet ky detyrim i marrëveshjes; ka miratuar regjistrimin e detyrimeve të papaguara në shumën 829,109 euro, për disa punime shtesë për kontratën e ndërtimit të terminalit të trageteve, pa siguruar më parë burimin e financimit, veprim ky në kundërshtim me nenit 6, pika 6.03 të Marrëveshjes së BEI; nuk ka paraqitur raportet periodike për projektin, çdo tre muaj, brenda 30 ditëve pas përfundimit të periudhës së raportimit deri në përfundimin e projektit, një tabelë progresi, bazuar në planin kohor të zbatimit të projektit, që tregon progresin e secilës pjesë të projektit dhe përfshin një grafik për shpenzimet faktike dhe ato të planifikuara, në kundërshtim me nenin 3 të Marrëveshjes së huasë të BERZH-it nuk ka marrë masa për të siguruar fonde për shtesat në vlerë të kontratave të mbikëqyrjes së punimeve, në shumën 353,758 Euro, shumë e cila ka rënduar koston e projektit. Për financieren e Njësisë së Zbatimit të Projektit, për arsye se ka regjistruar detyrime të papaguara në shumën 829,109 euro, për disa punime shtesë për kontratën e ndërtimit të terminalit të trageteve, pa u siguruar më parë burimi i financimit, veprim ky në kundërshtim me nenit 6, pika 6.03 të Marrëveshjes së BEI ka regjistruar në aktivet e bilancit, inventar ekonomik në shumën 979,794 lekë, pa u kryer procesi i inventarit dhe pa u kuadruar me vlerat kontabël, në kundërshtim me nenin 7 “Inventari i aktiveve dhe detyrimeve”, pikat 1 dhe 2, të ligjit nr. 9228, datë 29.04.2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” me ndryshime dhe Udhëzimin e Ministrisë së Financave nr. 14, datë 28.12.2006.

 150 262 EURO

Kjo është vlera monetare e rëndimit të kostos së projektit të Terminalit të Trageteve në Durrës si pasojë e certifikimit padrejtësisht të punimeve të pakryera, abuzim i denoncuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pas kontrollit të ushtruar.

 46 493 EURO

 Kjo është vlera monetare e përfituar padrejtësisht nga kompanitë kontraktore për punime të parealizuara sipas kontratës së zbatuar “Ndërtimi i terminalit të trageteve dhe infrastrukturës së kantierit të Durrësit”, evidentuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

 829 109 EURO

Kjo është shuma monetare e regjistruar si detyrime të papaguara për disa punime shtesë për kontratën e ndërtimit të terminalit të trageteve, pa u siguruar më parë burimi i financimit, veprim ky në kundërshtim me nenit 6, pika 6.03 të Marrëveshjes së BEI.