KLSH: Banditët e administratës, “fundosin” financat e shtetit. Ja ministritë dhe bashkitë që kanë grabitur 1.7 miliardë euro

510
Sigal

KLSH: Në 2018-n, 1.7 miliardë euro dëme, rriten borxhet. Ja subjektet me shkeljet më të mëdha

Papërgjegjshmëria e institucioneve “fundos” financat e shtetit

Financat e shtetit kanë pësuar dëme të mëdha për shkak të funksionimit jo të mirë të institucioneve të administratës shtetërore. Problemet më të mëdha janë hasur tek parregullsitë financiare, keqmenaxhimi i fondeve apo shtimi i nivelit të detyrimeve të prapambetura. Kjo situatë kaotike e institucioneve është raportuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili në një auditim të vjetshëm ka konstatuar një dëm ekonomik prej rreth 1.7 miliardë euro. “Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 24.1 miliard lekë ose 193 milionë euro. Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 189.8 miliard lekë, afërsisht 1,518 milionë euro nga e cila: 116 miliardë lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 923 milionë euro dhe 73.8 miliard lekë afërsisht 587 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve” thuhet në raportin e KLSH-së.

Niveli i borxhit, në rritje

Një tjetër problem sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit mbeten detyrimet e prapambetura, teksa sipas raportit, paratë e buxhetit në një pjesë të mirë të rasteve shkojnë për punë që duhet të ishin paguar me kohë çka bën ul efektin që kanë këto shpenzime në jetën e qytetarëve. “Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit vjetor shkon për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të viteve të kaluara duke mos prodhuar rritje reale të buxhetit, por pagesa për shërbime dhe të mira që janë realizuar në vitet e mëparshme buxhetore. Nga KLSH u konstatuan 6,857 pagesa të faturave dhe detyrimeve të prapambetura në shumën 8.7 miliardë lekë. Ndërkohë u analizuan pagesat e kryera gjatë 7-mujorit 2018 ne zërin shpenzime kapitale ku rezulton se pagesat e lidhura me fatura që mbajnë datë 2017 janë në vlerë 11.5 miliardë lekë, duke treguar që gjatë vitit 2017 detyrimet e prapambetura janë rritur” thotë KLSH, që më tej gjithashtu vlerëson se deklarimi i faturave për detyrimet e prapambetura nuk është i saktë dhe i plotë. Si rrjedhim sipas KLSH gjendja e detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2017, duhej të ishte raportuar të paktën 19 miliardë lekë. Kjo shifër është më e lartë duke marrë në konsideratë edhe llogaritë e tjera dhe pasaktësitë e konstatuara në datat e faturave. “Në vijim janë analizuar dhe grupuar data të kontratave të regjistruara me datën e krijimit në sistem ku rezultojnë gjithsej 16,795 raste ose 72% e gjithë kontratave të regjistruara gjatë vitit 2017 në shkelje të afateve të përcaktuara me vlerë 62.9 miliardë lekë.

Institucionet, me shkeljet më të mëdha

“Numri më i lartë i shkeljeve konstatohet në njësitë e qeverisjes vendore: tipikisht Bashkia Tiranë, Durrës, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Brendshme, dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Po kështu sistemet e parandalimit të krijimit të detyrimeve të prapambetura dhe marrjen e angazhimeve pa fonde buxhetore sipas KLSH, megjithëse të ndërtuara nuk janë efikase.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, “Menaxhimi i likuiditetit paraqitet me dobësi të theksuara i bazuar në një metodologji që ofron informacion të limituar dhe jo të konsoliduar nëpërmjet institucioneve kryesore shpenzuese dhe arkëtuese. Koordinimi ndërmjet strukturave të borxhit dhe likuiditetit është i dobët, duke u përqendruar vetëm tek monitorimi i pagesave sesa një menaxhim i mirëfilltë i flukseve hyrëse dhe dalëse.”