Këndet e lojërave në Tiranë, KLSH: Investimet pa planifikim, nuk plotësojnë kushtet

535
Sigal

Investimet në kënde lojërash kanë qenë në fokus të Bashkisë së Tiranës përgjatë viteve të fundit ku vetëm në vitin 2016 janë ndërtuar 26 të tillë. Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të fundit ka marrë në analizë pikërisht mënyrën sesi janë bërë këto investime nga ana e institucioneve përgjegjëse, kushteve që plotësojnë këto kënde në aspektin e sigurisë dhe mënyrës si janë konceptuar por edhe pjesa e mirëmbajtjes. KLSH vlerëson se në një pjesë të mirë këto kënde nuk përfaqësojnë kushtet dhe praktikat e mira. “Që nga momenti i krijimit, APR (Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit), pavarësisht përpjekjeve, nuk ka vepruar në mënyrë efiçiente me qëllim identifikimin e prioriteteve kryesore sa i takon planifikimit, ndërtimit dhe mirëmbajtjes së parqeve rekreative, veçanërisht për këndet e lojërave. Prej vitit 2016 janë ndërtuar 26 kënde lojërash të rinj, një pjesë e konsiderueshme e të cilave, nuk plotësojnë kushtet dhe kriteret e praktikave më të mira. Gjithashtu janë evidentuar kënde lojërash ekzistues të cilat janë plotësisht të amortizuara dhe nga ana e APR-së nuk është marrë asnjë iniciativë për riparimin dhe kthimin e tyre në gjendje funksionale” thuhet në raportin e KLSH. I njëjti raport nënvizon se nga ana e Bashkisë nuk është bërë ndonjë planifikim apo strategji afatmesëm apo afatgjatë që të përfshijë parqet rekreative apo këndet e lojërave. “Nuk ka një studim lidhur me identifikimin e hapësirave të përshtatshme për ngritjen e këndeve të lojërave, në raport me shpërndarjen e popullatës. Nuk janë hartuar procedura për facilitetet në realizimin e objektivave politik dhe interesave zhvillimin e këndeve të lojërave, të cilat përcaktohen në rregullore. Bashkia Tiranë nuk monitoron veprimtarinë e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit si një institucion që ka në varësinë e saj” thuhet në raport. KLSH ka lënë si detyrë që nga ana e Bashkisë së Tiranës të hartohet dhe miratohet një Plan Strategjik Institucional minimalisht 3-5 vite si dhe të ngrihet një grup pune me synimin e studimit të hapësirave publike që do të jenë në funksion të komunitetit. Raporti vlerëson se nuk janë miratuar standarde për këndet e lojërave nga Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit. Ato nuk janë projektuar sipas ndonjë manuali standardesh. Edhe për këtë pjesë KLSH ka rekomanduar që Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme me qëllim hartimin dhe miratimin e standardeve për projektimin dhe ndërtimin e këndeve të lojërave./Monitor