KE: Ekonomia e Shqipërisë ka pësuar rënie të ndjeshme

657

Raporti i Komisionit Evropian: Investimet e qeverisë vazhduan trendin rënës

“Ekonomia e Shqipërisë u dobësua ndjeshëm në fund të 2018-s”

Rritja ekonomike e vendit u dobësua ndjeshëm në fund të 2018-s pas rritjes me 4.4 për qind në tre tremujorët e parë. Raporti periodik i Komisionit Evropian për vendet kandidate ndalet edhe tek Shqipëria duke marrë në analizë një sërë aspektesh si ecurinë e përgjithshme të ekonomisë, tregun e punës, sektorin e jashtëm, zhvillimet monetare dhe zhvillimet fiskale. Kështu lidhur me ecurinë e ekonomisë raporti nënvizon se rritja me 4.1 për qind e vitit të shkuar u mbështet kryesisht nga konsumi privat ndërkohë që investimet e qeverisë vazhduan trendin e tyre rënës. “Pavarësisht rritjes së fortë të eksporteve në përgjithësi, vetëm eksportet e mallrave dhe të mirave si dhe shërbimet regjistruan një rritje nominale vjetore më të ulët në 2018 me 5.3 për qind nga 14.7 për qind në vitin 2017” thuhet në raport. I njëjti nënvizon pjesën se eksportet e energjisë kanë luajtur një rol kyç në rritje sidomos në 9 muajt e parë të vitit 2018, por që u tkurr në fund të vitit. Gjithsesi rritja në fund të vitit u mbështet nga sektori minerar dhe industria. Ndërtimi dhe bujqësia u ngadalësuan. Lidhur me vlerësimin e agjencive të riskut të kreditit raporti i KE nënvizon se Shqipëria është renditur me B/B+ nga Standard and Poor’s dhe një parashikim të qëndrueshëm duke reflektuar përmirësimet në zbatimin e ligjit dhe vijimin e konsolidimit fiskal. “Agjencitë nënvizuan se Shqipëria performon më mirë nga ana fiskale se vendet e tjera me të njëjtin vlerësim. Një rritje e vlerësimit do të kërkonte përshpejtimin e konsolidimit fiskal dhe uljen e informalitetit. Një dobësim i konsolidimit fiskal dhe transmetimit të politikës monetare mund të kthehej në një risk për një vlerësim më negativ” thuhet në raportin e KE. Sa i përket zhvillimeve fiskale raporti thekson se borxhi publik vitin e shkuar u ul me 2.2 për qind në raport me një vit më parë në 67.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe kjo si efekt i mbiçmimit të monedhës. Për vitin 2019 borxhi publik planifikohet që të ulet në 65.5 për qind. Sektori bankar sipas raportit vlerësohet i konsoliduar./Monitor