Ja skema e re për subvencionimin e qumështit për fermerët

700
Sigal

Qeveria ndryshon sërish skema e subvencionimit të qumështit, jo më 10 lekë për litër, por direkt për bagëtitë

Ende pa u bërë një vit nga vendosja e subvencionimit me 10 lekë për litër qumësht, qeveria ka vendosur të ndryshojë sërish skemën për blegtorët.Thuajse një vit më parë, fermerët në të gjithë vendin dolën në protestë për të kundërshtuar ndryshimin e skemës së TVSH-së së rimbursueshme nga 20% në 6%. Më të prekurit duket se ishin blegtorët, të cilët nën “presionin” e grumbulluesve dhe përpunuesve do të duhet të ulnin çmimin e qumështit për litër. Derdhjet demonstrative të qumështit në rrugë, duket se vunë në lëvizje Ministrinë e Bujqësisë, e cila gjeti si zgjidhje të problemit subvencionim me 10 lekë për litër qumësht. Prej 1 prillit të viti që lamë pas fermerët do të përfitonin këtë subvencion duke dorëzuar faturat e shitjes së qumështit te grumbulluesit në Agropikën më të afërt, por që shitjet nuk duhet të kalonin 700 mijë lekët.Pa u bërë ende një vit prej vendosjes së kësaj skeme mbështetëse, zv Ministri i Bujqësisë, Dhimitër Kote, njoftoi në një intervistë për “Monitor Ekonomi” se do të ketë sërish një ndryshim të skemës së subvencionimit të qumështit, duke kaluar nga subvencionimi për litër qumësht në subvencionim për krerë bagëti.“Vitin e kaluar ne bëmë një mbështetje prej 40 milionë lekësh për sa i përket skemës së qumështit me 10 lek për litër, menduam edhe nga ankesat dhe pretendimet e fermerëve për vonesat dhe burokracitë në shkresa, që po këtë vlerë ne ta shpërndajmë në numër krerësh lopësh. Pragu do të jetë 5 lopë e lart, ose 10 mijë lekë. Atë sasi që merrte nga qumështi tani e merr nga regjistrimi i tufës, sipas matrikullimit”,- tha Ministri Kote.Megjithatë ai shtoi se nuk i mbulojnë dot të gjitha fermat për arsye se kaq ofron buxheti, por rikujtoi si alternativë edhe skemën e IPARD-it që u jep shumë përfitim direkt fermerëve.

Si do të funksionojë skema e re e subvencionimit në bujqësi

Zëvendës Ministri ka sqaruar se në skemën e vitit 2020 pas një analize që iu bë problematikës që kishte bujqësia, por edhe blegtoria dhe se si ka funksionuar skema në 2019, bazuar edhe nga kontaktet me grupet e interesit, por dhe duke parë trendin që blegtoria ka filluar të tkurret sidomos nga blegtorët e rinj, është menduar që rreth 65% e buxhetit të këtij viti në skemë kalon direkt për mbështetjen e blegtorisë.

“Konkretisht, për të imtat ku futen delet dhe dhitë me numër matrikullimi. Vitin e kaluar numri i krerëve ka qenë me 10 mijë lekë me pragun nga 100 krerë e lart. Këtë vit do të jetë pragu mbi 12 krerë me një vlerësim 12 mijë lekë për krerë,”- ka shpjeguar z. Dhimitër Kote.