Indeksi i Eurostat/ Shqipëria me paga të ulta, inflacion të lartë. Nafta dhe ushqimet në shtetin më të varfër të Europës, njësoj si në BE

420
Sigal

 

Indeksi i Eurostat: Ushqimet në Shqipëri, në shtetin më të varfër të Europës, kushtojnë njësoj si në BE

Ndonëse Shqipëria është shteti më i varfër në Europë, me prodhimin e brendshëm për frymë që është sa 32% e mesatares së Europës, dhe me pagat me të ulta prej 290 euro, si dhe me asistencën sociale prej 70 eurosh,  sipas Eurostat (të dhënat nuk përfshijnë Kosovën), qytetarët e vendit duhet të paguajnë shtrenjtë për blerjen e ushqimeve e pijeve dhe produkteve të tjera, si komunikimi dhe blerja e pajisjeve elektronike e përdorim shtëpiak.

Eurostat ka publikuar indeksin e çmimeve për mallrat dhe shërbimet për vendet e Europës. Në Shqipëri, çmimet në tërësi janë sa 61% e mesatares europiane. Kjo është përqindja më e lartë nga vendet e rajonit pas Malit të Zi (69%),  por ky i fundit kishte të ardhura sa 47% e mesatares Europiane, nga 32% që e ka këtë tregues Shqipëria. Më lirë çmimet janë në Turqi (40% e mesatares europiane), Maqedoni e Veriut (51.5), Bosnjë Hercegovinë (55.8), Serbi (59.9). Kur vjen puna te ushqimet, për të cilat familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve në buxhetin e tyre (rreth 42%, nga 13% që është mesatarja e Bashkimit Europian), çmimet janë pothuajse njësoj si në Europë dhe më të shtrenjtat në rajon. Indeksi i Eurostat për ushqime, është sa 83% e mesatares europiane, më të shtrenjta edhe se në Mal të Zi (78.3), Ushqimet në rajon janë më të lirat në Maqedoninë e Veriut, me 61.4% të mesatares europiane. Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Hungari, Poloni, Rumani, Bullgari.Të shtrenjta në Shqipëri janë veshjet dhe këpucët, me rreth 96% të mesatares së BE-së. Më lirë janë restorantet (46% e mesatares së BE-së). Më i shtrenjtë është komunikimi (108% i mesatares së BE-së). Më shtrenjtë nga të gjitha kushton blerja e pajisjeve shtëpiake (120%) dhe atyre elektronike (110%). Pajisjet personale të transportit janë më të shtrenjtat në rajon (86% e mesatares së BE-së).

Matjet e EUROSTAT: Inflacioni në maj u rrit me 6%, ndikimin më të lartë nafta dhe ushqimet

Metodologjia e EUROSTAT përllogariti se, rritja e përgjithshme e çmimeve  (inflacioni) në muajin maj ishte 6% në vendin tonë.Ky rezultat ishte më i ulët se matjet kombëtare, të cilat raportuan një ndryshim vjetor me 6.7% në maj. Ndryshimet vijnë për shkak të peshave të ndryshme të disa grupeve ne artikut e shportës.Sipas matjeve të EUROSTAT, rritja më e madhe e çmimeve prej 13,3% vërehet në grupin “Transporti”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9,6%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,8%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,3%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,5%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 3,4%, “Veshje dhe këpucë” me 2,1%, “Argëtim dhe kulturë” me 1,2%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,0%, “Shërbimi arsimor” me 0,9% dhe “Komunikimi” me 0,8%.

Në muajin maj 2022, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,8%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,4%, pasuar nga grupi “Argëtim dhe kulturë” me 2,3%.Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” u rritën me 0,9 %, pasuar nga “Hotele kafene dhe restorante” me 0,4%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,3%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Transporti” me 0,2% secili dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,1%.Të dhënat tregojnë se inflacioni në Shqipëri në muajin maj u rrit më pak se mesatarja europiane 8.8%. Estonia dhe Lituania  kishin nivelet më të larta të inflacionit në maj përkatësisht me 20 dhe 18.2% dhe në krahun tjetër Zvicra dhe Islanda kishin nivelet më të ulëta të inflacionit përkatësisht me 2.4 dhe 4.6%.Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit.Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë.