Ilaçet Bioteknike do të zvogëlojnë faturat e kujdesit shëndetësor

623
Sigal

Kompanitë e mëdha të shitjeve të medikamenteve po konkurrohen nga ilaçet biosimilare që janë rreth 80% më të lira

Kostot shëndetësore si pjesë e prodhimit ekonomik të Amerikës janë rritur nga 14.5% në vitin 2003 në mbi 17% në 2017, me inflacionin e çmimit të ilaçeve si një prej faktorëve kryesorë, shkruan “The Economist”. Edhe pse më pak se 2% e amerikanëve trajtohen me ilaçe specifike të bioteknologjisë, kjo përbën rreth 35% të shpenzimeve totale të ilaçeve. Lajmi i mirë është se ilaçe më të lira bioteknike po vijnë. Të njohura si biosimilarë, këto ilaçe komplekse (të cilat janë pak si gjenerike) janë lejuar të hyjnë në Evropë që prej vitit 2004, ndërsa në Amerikë që prej vitit 2010. Së pari, për shkak të pengesave politike dhe taktikave antikonkurruese, shumë pak prej tyre ia dolën që të hidhen në treg. Por firmat që i prodhojnë ato, të cilat variojnë nga gjigantët bioteknologjikë deri te startup-et e reja, po gjenerojnë shuma të mëdha parash. Këtu mund të përmendim edhe shembullin e Humira, një ilaç bioteknik i prodhuar nga amerikani AbbVie, që trajton artritin reumatoid, psoriasisin, sëmundjen e njohur si Crohn, si dhe sëmundje të tjera.

Ky është një prej ilaçeve më të shitura në botë, shitjet vjetore të të cilit i kalojnë 20 miliardë dollarë amerikanë. Kostoja vjetore (pas zbritjeve) të Humiras në Amerikë është rritur nga rreth 19.000 dollarë amerikanë për një pacient në vitin 2012 në rreth 38.000 dollarë amerikanë për pacient. David Maris nga banka Wells Fargo, ka llogaritur se një rritje prej 9.7% e çmimit të Humiras e vendosur në fillim të këtij viti nga AbbVie, mund t’i rrisë me 1.2 miliardë dollarë amerikanë kostot e kujdesit shëndetësor të Amerikës gjatë këtij viti. Vlera të tilla të bëjnë të kuptosh më mirë se përse hedhja në treg e disa ilaçeve biosimilare të konkurrentëve të Humiras në Evropë po shihet me interes të madh. Pesë kopje të saj janë miratuar, pas verifikimit nga rregullatorët si të sigurta dhe efektive, dhe tre prej tyre hedhur në treg. Njëra prej tyre është Amjevita, e cila është prodhuar nga Amgen, një firmë gjigante bioteknike amerikane. AbbVie konfirmoi javën e kaluar se si pasojë e hedhjes në treg të produkteve të tilla, kostoja e Humiras ka rënë afërsisht me 80% në disa vende evropiane. Kjo e ka detyruar AbbVie që të ulë çmimet në mënyrë të menjëhershme. Në Amerikë, një betejë e ngjashme po zhvillohet edhe mbi Neulasta, një ilaç bioteknologjik që lufton kancerin, i prodhuar nga Amgen dhe që ka shënuar një shitje globale prej rreth 3.7 miliardë dollarësh amerikanë gjatë këtij viti.

Së fundmi, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve miratoi një ilaç biosimilar që do të konkurronte atë të Neulastas dhe që ishte prodhuar nga Coherus BioSciences, një firmë bioteknike me bazë në Kaliforni. Çmimi i tij nuk është bërë ende publik, por duket se këtë herë ka qenë pikërisht Amgen, ajo që do të ulë çmimet. Krijuesit e biosimilarëve nuk përballen me pengesa, edhe pse askush nuk e di ende nëse Presidenti Donald Trump do të mbështesë ilaçet biosimilare me politika praktike për rimbursimin e tyre në sistemin Medicare. Gjithsesi, e ardhmja duket e ndritshme. Sipas firmës së konsulentës McKinsey, tregu global i biosimilarëve mund të trefishohet në 15 miliardë dollarë amerikanë deri në vitin 2020. Megjithatë kjo vlerë është shumë e vogël krahasuar me shpenzimet e përgjithshme shëndetësore. Por për shkak se ilaçet e reja po ndikojnë në uljen e çmimeve të ilaçeve në treg, përfitimet sistemike mund të jenë më të mëdha. Sipas korporatës RAND, biosimilarët mund të reduktojnë shpenzimet e kujdesit shëndetësor amerikan me 54 miliardë dollarë në dekadën e ardhshme.