HIPOTEKA, SI DO REGJISTROHEN 28 MIJË OBJEKTE TË LEGALIZUARA

798
Zgjidhet përfundimisht problemi i pronësisë për mijëra apartamente, banesa, dyqane, lavazhe dhe pika të tjera biznesi. Dy institucione shtetërore, me harta të ndryshme

ALUIZNI dhe Hipoteka do t’i japin zgjidhje ngërçit të krijuar mes tyre, duke zhbllokuar praktikën e hipotekimit për 28 mijë e më shumë dosje, ende të paregjistruara. Kjo reformë pritet të realizohet në qershor të këtij viti, duke i dhënë fund problemit të mospërputhjes së hartave. Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, i ftuar në “Vizion Plus”, është shprehur se si referuese për zgjidhjen e këtij problemi do të merret harta me të cilën punon institucioni që ai drejton, sepse matjet që ndodhen aty janë të përditësura. Këto matje, sipas Lames, vijnë nga terreni. Lame theksoi se unifikimi i hartave do të sjellë zgjidhje për rastet e mbivendosjes. “Hipoteka ka një problem të hershëm, që e ka zanafillën në 1912. Nuk është çështje që mund të zgjidhet brenda një dite. Kemi të bëjmë me një plagë të mahisur prej një shekulli në sistemin e regjistrimit të pasurive të shtetit shqiptar”, u shpreh Artan Lame. Sipas tij, kësaj gjendje i shtohen edhe problemet e krijuara në vitet e fundit. “Shtuar kësaj, problematikat e ditëve të sotme, të cilat kanë ardhur sa prej politikës, aq edhe prej mungesës së vullnetit dhe mbivendosjes së ligjeve njëri pas tjetrit. Sa u takon hartave, ALUIZNI ka harta me vlerë joligjore, por të sakta. Hipoteka ka harta me vlerë ligjore, por jo të sakta. Kjo, sepse ALUIZNI ka shkuar shtëpi më shtëpi për të bërë matjet. Me bashkim, synojmë të bëjmë pikërisht këtë, të unifikojmë hartat. Për ato raste kur ka mbivendosje, probleme hartografike, të përdorin hartografinë e ALUIZNI-t, pasi është më e saktë”, theksoi Lame. Në listën e objekteve që do të përfitojnë hipotekimin dhe do të zgjidhin përfundimisht problemin e pronësisë ndodhen apartamente, banesa, dyqane, lavazhe dhe pika të tjera biznesi. Për këto objekte, ndonëse është përfunduar procedura e legalizimit, nuk është bërë e mundur të hipotekohen, pasi mes dy institucioneve të shtetit shqiptar nuk ka pasur përputhje të hartave. E njëjta pronë ka qenë e regjistruar me të tjera koordinata në Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit, Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale dhe me të tjera koordinata në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Këto mbivendosje mes të dy institucioneve shtetërore kanë mbajtur peng rreth 28 mijë dosje. 

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama në një takim të posaçëm me drejtuesit e rinj të Hipotekave dhe ALUIZNI-t, kërkoi prej tyre shërbimin me korrektësi ndaj qytetarëve, pasi sipas tij, çdo ankesë e tyre do të çojë automatikisht në humbjen e vendit të punës. Duke iu referuar rasteve të shkarkimit dhe dërgimit për ndjekje penale të 35 punonjësve të hipotekave, kreu i qeverisë, shprehu rezerva për punën e tyre, krahasuar me ALUIZNI-n. Harta e ALUIZNI-t është e azhurnuar (përditësuar) kështu që, sipas Ramës, “kur ALUIZNI thotë se po legalizohet, ke vetëm një detyrë, ta hipotekosh”. “Në rast të kundërt, me çdo kthim mbrapa të dorëzimit të dosjes, do të ketë letër dorëheqjeje të drejtorit të hipotekës”, vlerësoi kryeministri. Rama u shpreh se të gjithë do të jenë në provë, çdo ditë dhe njoftoi se deri në qershor, dy institucionet do të funksionojnë në një sistem, duke reduktuar në maksimum abuzimin dhe sorollatjet për qytetarët. “Ne kemi besim të plotë se deri në Qershor do të kemi formësuar Agjencinë Kombëtare të Pronësisë, që do të thotë bashkim i këtyre dy institucioneve”, nënvizoi kryeministri Rama.
UKT, marrëveshje me ALUIZNI-n për kontratat
Vërtetimet për lidhjen e kontratave të ujit të pijshëm për banorët, të cilët janë në proces legalizimi, do të lëshohen nga Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, që ka arritur një marrëveshje me Agjencinë e Legalizimeve me qëllim lehtësimin e procedurave për qytetarët. Marrëveshja do të vendoset në zbatim prej ditës së sotme (23 janar), ku banorët nuk duhet të shkojnë më pranë sporteleve te ALUIZNI-t për të marrë vërtetim për lidhjen e kontratës për ujin e pijshëm, por këtë shërbim duhet ta kërkojnë pranë UKT,e cila tashmë ka akses në bazën e të dhënave të aplikimeve për legalizim të ndërtimit pa leje nëpërmjet portalit “e-Albania”. “Kjo marrëveshje ka si qëllim formalizimin e bashkëpunimin për shkëmbimin e informacionit në funksion të efektivitetit, reduktimit të kostove administrative dhe ofrimin e shërbimit ndaj qytetarëve”, theksohet në njoftimin zyrtar. Sipas ALUIZNI-t, një marrëveshje e tillë lehtëson punën dhe shkurton sorollatjet e qytetarëve, duke theksuar se kjo marrëveshje do të shtrihet edhe në Drejtoritë e tjera të vendit.
Nisin sot shitjet e lokaleve në pallatet me banesa sociale
Duke nisur nga kjo javë e deri në fund të muajit, Enti Kombëtar i Banesave, institucioni përgjegjës për programet e politikave të strehimit, do të nisë shitjen e njësive të shërbimit në godinat e përfunduara. Bëhet fjalë për 27 njësi të tilla që mund të përdoren për lokale, furra buke apo dyqane të ndryshme, në 7 qytete të vendit. Çmimi për metër katror përcaktohet nga ecuria e ankandeve, të cilët do të zhvillohen pranë EKB në Tiranë. Ekzistenca e lokaleve në katin përdhe të këtyre pallateve, të cilat kanë banesa me kosto të ulët, sipas “Scan” i jep një dimension tregtar zonës, duke e bërë pjesën e rrugës më urbane dhe njerëzore. Në pjesën më të madhe të njësive, cilësia e punime është mjaft e lartë, duke qenë të hidroizoluara, të shtruara me pllaka qeramike dhe të pajisura me rampa të veçanta.

Ankandi për 27 njësi shërbimi në rrethe që do të zhvillohen në datat 22-23-24-25-26-29-30 Janar 2018.
Qyteti Nr i njësive Sipërfaqja Sip. totale Çmimi dysheme
Berat 5 48,4-91 m2 351 m2 55,000 lekë/m2
Fier 6 41,6-74,7 m2 361 m2 44,800 lekë/m2
Librazhd 5 49-91,2 m2 328 m2 55,000 lekë/m2
Lushnje 3 32,7-58,2 m2 140 m2 60,000 lekë/m2
Sarandë 3 56-130 m2 306 m2 560 euro/m2
Korçë 2 52-69 m2 121 m2 54,000 lekë/m2
Kavajë 3 41-77 m2 343 m2 42,400 lekë/m2
Sigal